Facebook prezantoi të martën një aplikacion të ri mesazhesh për çiftet, i quajtur “Tuned”, ku ata mund të flasin, të ndajnë foto e muzikë (nëpërmjet Spotify) dhe të kenë një hapësirë për kujtimet e përbashkëta.
Aplikacioni për momentin është i disponueshëm në App Store, në iPhone dhe iPad, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, sipas të dhënave të faqes Sensor Tower.
Sipas burimeve që bënë të ditur lajmin, aplikacioni është krijuar nga një grup i vogël brenda Facebook, i quajtur New Product Experimentation (NPE) qëllimi i të cilit është të krijojë dhe të eksperimentojë aplikacione të reja.
NPE e përshkruan aplikacionin si “një hapësirë private ku ju dhe partneri mund të jeni thjesht vetvetja”.
Tuned aktualisht renditet në vendin e 872 në SHBA dhe në të 550 në Kanada në kategorinë e rrjeteve sociale – tha Sensor Tower.
Kjo nuk është hera e parë që Facebook përfshihet në universin e ndjenjave. Vitin e kaluar, në shtator, Facebook lançoi Facebook Dating, një aplikacion takimesh që i bën konkurrencë Tinder, Meetic etj. Aplikacioni mund të shkarkohet në 20 vende të botës, por jo në Europë. Ai pritej të lançohej ditën e Shën Valentinit, por u shty për shkak të një hetimi nga ana e Komisionit Irlandez për Mbrojtjen e Privatësisë. (DPC).
Burimi: Reuters