Negociatat janë ende në proces, por skandali i shkeljes së privatësisë mund t’i kushtojë shtrenjtë Facebook. Sipas “Washington Post”, flitet për një gjobë “miliarda dollarë”.
Edhe pse burimet bënë të qartë se nuk ka ende një vendim, e sigurt është se bëhet për një fjalë për një shifër rekord që do të vendoset nga Federal Trade Commission ndaj një kompanie hi-tech.
Për momentin, sanksioni më i lartë është ai prej 22,5 milionë dollarësh në vitin 2012 ndaj Google, pasi gjurmoi sjelljet e përdoruesve të Safari, browser i Apple. Por avokatët dhe aktivistë të të drejtave të njeriut kanë mbështetur gjithnjë se një gjobë prej disa miliona dollarësh do të ishte e paefektshme në nivel parandalues kundër një gjiganti si Facebook. Disa shoqata i kanë shkruar FTC duke i kërkuar sanksione jo më të ulëta se 2 miliardë dollarë.
Federal Trade Commission ka hapur një çështje kundër Facebook në lidhje me shkeljen e të dhënave personale, duke ua shitur ato palëve të treta, siç doli në skandalin e Cambridge Analytica, e cila ka shitur për qëllime politike të dhënat e 87 milionë përdoruesve të rrjetit social. Në muajt në vijim, një hacker ia doli të vidhte të dhënat e 29 milionë personave. Këto dy fakte tregojnë shkeljen e angazhimit të marrë nga grupi i cili drejtohet nga Mark Zuckerberg në vitin 2011 për mbrojtjen e të dhënave personale.
Cambridge Analytica, një vit më pas… Si po ndryshon tregu i të dhënave personale
Ka kaluar thuajse një vit nga shpërthimi i skandalit ndërkombëtar që përfshiu Facebook. Një vit gjatë të cilit rrjeti social i Mark Zuckerberg – tani është duke u përballur me Federal Trade Commission dhe rrezikon gjobë miliarda dollarë – ka përjetuar momente të vështira. Rasti i Cambridge Analytica ka shënuar një kthesë të rëndësishme në historinë e të dhënave personale. Tregu i informacioneve personale – parajsa e re globale – tani është disi më i ridimensionuar, në drejtim të besueshmërisë. Një rol kyç ka luajtur GDPR, rregullorja e re europiane për trajtimin e të dhënave personale e cila hyri në fuqi më 25 maj 2018, tetë javë pas skandalit që përfshiu Facebook.
Të paguaj për të dhënat e tua
Sigurisht, gjatë këtij viti, tregu i të dhënave po ndryshon. “Ka më shumë ndjeshmëri mbi mbledhjen e të dhënave dhe një vëmendje më të madhe mbi të dhënat që u shiten nga kompanitë e specializuara – shprehet Gabriele Faggioli, përgjegjës i Osservatorio Information Security & privacy në Politeknikun e Milanos. Ka më shumë vëmendje. Tregu i paligjshëm ka qenë e do të jetë gjithnjë. Por në tregun ligjor, ai ku të dhënat mund të shiten në mënyrë legjitime dhe transparente, mendimi im është se ai që shet të dhëna është më i kujdesshëm, pikërisht për shkak të sanksioneve”.
Ndërkohë po rritet numri i startup-eve që po investojnë në sektorin e të dhënave, duke e përqendruar biznesin e tyre në mundësinë e pagimit të përdoruesve që vendosin t’u japin informacionet e tyre.