Fajësoni populistët, jo reformatorët, për fiaskon e fundit të Argjentinës

20/09/2019 10:00 PM 0 komente

Ekonomia ka vuajtur nga trashëgimia e së kaluarës dhe frika për të ardhmen

 

Përpara se ai të bëhej President i Argjentinës në vitin 2015, Mauricio Macri ishte president i një klubi futbolli në Buenos Aires, Boca Juniors, shkruan The Economist.

Më 1 shtator, ekipi u përball me kundërshtarin e tij, River Plate, në superklasiko, termi që përdoret për përballjen e këtyre dy ekipeve. Çuditërisht, për herë të parë, dy “ushtritë e tifozëve kundërshtarë” ranë dakord në një pikë. Teksa ata arritën në stadium, qeveria e z. Macri njoftoi një rivendosje emergjente të kontrolleve të monedhës. Pothuajse të gjithë besojnë se kjo politikë e re shënon njëkohësisht edhe fundin e tij në krye të vendit.

Situata thekson realitetin e tmerrshëm të dështimit financiar të Argjentinës. Kontrollet kufizojnë sasinë e dollarëve që argjentinasit mund të blejnë dhe detyrojnë eksportuesit të riatdhesojnë të ardhurat e tyre. Ato u vendosën menjëherë, pasi qeveria tha se do të vononte shlyerjet e disa prej borxheve afatshkurtra dhe se do të kërkonte një zgjatje të detyrimeve afatgjata. Me qëllim kryesor, parandalimin e rrjedhjes së kapitalit dhe stabilizimin e pezos, këto masa konsiderohen si fundi i z. Macri, biznesmenit i cili premtoi se do të ringjallte ekonominë duke hequr kontrollet e monedhave dhe se do të reformonte sektorin publik.

Investitorët e huaj e besuan vizionin e tij liberalizues pas zgjedhjeve të 2015, ku së bashku me shefat e Wall Street, si Jamie Dimon, shefi i JPMorgan Chase, e konsideruan Argjentinën si një vend që duhej ndihmuar, sepse vinte nga një e kaluar e vështirë. Dhe kur tregjet financiare po bëheshin të paqëndrueshme, në vitin 2018, FMN-ja e mbështeti Argjentinën, duke i dhënë një kredi me vlerë 57 miliardë dollarë, njëkohësisht edhe kredia e saj me vlerë më të lartë.

Një vit më vonë, pozitat e saj nuk mund të ishin në një gjendje më të keqe. Inflacioni është mbi 50%. Pezoja ka rënë me 30% në 12 muajt e fundit. Edhe tregtia e obligacioneve në dollarë ka shënuar rënie drastike. Shumica e argjentinasve dhe madje edhe disa të huaj, kanë arritur në përfundimin se premtimet e z. Macri për të liberalizuar ekonominë ishin një dështim i plotë. Dështim ishte edhe ndihma e dhënë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Në fakt, shumica e fajit për dështimin e qeverisë së z. Macri i është lënë paraardhëses së tij populiste, Cristina Fernández de Kirchner, e cila do të rikandidojë në zgjedhjet e ardhshme për postin e zëvendëspresidentit. Znj. Fernández pasi u largua nga detyra, la pas një qeveri me deficit të lartë buxhetor, çmime artificialisht të ulëta të shërbimeve, statistika të manipuluara dhe shpenzime të larta publike. Pas vitesh të tëra të përballur me një keqmenaxhim të tillë, është e vështirë të arrish të bindësh argjentinasit se çmimet dhe monedha vendase do të jenë të qëndrueshme.

Mosbesimi i tyre ndaj institucioneve publike ekonomike është i madh. Pikërisht kjo situatë po mban larg investitorët. Dhe me të drejtë, sepse kush do t’i besonte një vendi, ku edhe banorët e tij nuk kanë besim në të? Z. Macri dhe FMN-ja kanë bërë gabime. Për të shmangur një reagim të ashpër publik, z. Macri vendosi të ngushtojë deficitin e buxhetit gradualisht, duke vënë në provë durimin e tregut të obligacioneve sesa atë të elektoratit. Ndoshta FMN-ja duhet të kishte dhënë një kredi me vlerë më të vogël (e shoqëruar ndoshta me një ristrukturim të mëparshëm të borxhit). Por ajo shpresonte se një kredi në këtë vlerë kaq të lartë do të forconte sërish besimin e investitorëve, duke i krijuar mundësinë Argjentinës të rikuperohej pa shpenzuar të gjitha paratë që fondi i kishte premtuar. Por ajo që i dha goditjen finale besimit të investitorëve dhe e shkatërroi përfundimisht ishte rikthimi i mundshëm në pushtet i populistëve.

Alberto Fernández, së bashku me znj. Fernandez, triumfuan në votimin paraprak të 11 gushtit dhe janë pothuajse të sigurt se do të fitojnë zgjedhjet e tetorit. Frika e investitorëve është se një qeveri e mundshme e populistëve do të përfshijë padyshim vonesat në shlyerjen e borxhit dhe vendosjen e kontrolleve të monedhës. Edhe pse z. Fernández ka ndikuar negativisht në karrierën e z. Macri, duke bërë që ky i fundit të largohet shpejt nga qeveria, ai kurrë nuk është ekspozuar si udhëheqësi i ri i Argjentinës. Në vend të kësaj, ai e ka goditur qeverinë aktuale me qëndrime të paqarta dhe kontradiktore. Nëse ai fiton, z. Fernandez, do të fillojë zyrtarisht detyrën në dhjetor dhe deri atëherë, Argjentina do të përballet me një “vakum të dëmshëm politik”.

Qeveria në largim po prezanton masa, duke përfshirë ngrirjet e çmimeve, në përpjekje për të mbrojtur popullsinë nga tronditja e madhe e shokut të ekonomisë. Situata besohet se do të përkeqësohet kur drejtuesi i ri i mundshëm do të përballet me problemin që mposhti z. Macri, “Si mund të rikthehet ekonomia e Argjentinës në një linjë me realitetet e tregjeve”? Por një pjesë e madhe e elektoratit dhe mbi të gjitha, Presidenti i mundshëm i ardhshëm duket se dëshirojnë ta shmangin dhënien e përgjigjes ndaj kësaj pyetje.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of