“Faktorët që kufizojnë zhvillimin e fondeve private të pensioneve”

09/07/2019 4:40 PM 0 komente

Flet Brunilda Haxhimihali (Emini), Drejtore e Departamentit Ligjor & përputhshmërisë, Raiffeisen Invest, Albania

 

Shumica e njerëzve vijojnë ta konsiderojnë pensionin si një detyrë të shtetit. Një mentalitet i tillë, si dhe historia jonë me tregjet financiare në të kaluarën, janë elemente që kufizojnë rritjen e përgjithshme.

Brunilda Haxhimihali, drejtore e Departamentit Ligjor & Përputhshmërisë Raiffeisen Invest, nënvizon se ka nevojë për edukim financiar nga njëra anë dhe rishikimin e kuadrit ligjor, nga ana tjetër, në mënyrë që pensionet private vullnetare të hyjnë në një tjetër ritëm rritjeje.

Si ka qenë ecuria e pensioneve private në 2018. Si është trendi në 2019?

Tregu i fondeve të pensioneve vullnetare, si një nga tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, ka vijuar ndonëse në mënyrë modeste, prirjen për rritje nga viti në vit. Si gjatë vitit 2018, ashtu edhe gjatë 2019-s, në këtë treg vazhdojnë të ushtrojnë aktivitetin tre fonde të pensionit vullnetar, të cilat janë:

– Fondi i pensionit vullnetar Raiffeisen, i cili administrohet nga shoqëria Raiffeisen Invest sh.a

– Fondi i pensionit vullnetar Sigal, i administruar nga shoqëria Sigal Uniqa Group sh.a

– Fondi i pensionit vullnetar Credins, i administruar nga shoqëria Credins Invest sh.a

Nga të dhënat e publikuara për vitin 2018, lidhur me dy treguesit kryesorë të ecurisë së këtij tregu, rezulton se më 31.12.2018, ky treg përfshinte një total asetesh neto prej 2,289.10 milionë lekësh (18.54 milionë euro[1]) me një rritje prej 561.56 milionë lekësh (32.51%) krahasuar me 31.12.2017. Numri i anëtarëve në fondet e pensioneve, më 31.12.2018 ishte 25,298 anëtarë, duke shënuar rritje prej 20.77% krahasuar me fundin e vitit 2017,

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2019, të dhënat zyrtare për tregun e fondeve të pensionit tregojnë rritje në totalin e aseteve neto prej 134.81 milionë lekësh, ose 5.89% krahasuar me 31.12.2018, ndërkohë numri i anëtarëve në fondet e pensioneve, ka shënuar një rritje prej 3.34% krahasuar me 31.12.2018.

Fondi i Pensionit vullnetar Raiffeisen, për tremujorin e parë 2019 ka shënuar rritje prej 5.82% për sa i përket totalit të aseteve neto nën menaxhim, krahasuar me 31.12.2018, si dhe një rritje me 1.55% lidhur me numrin e anëtarëve pjesëmarrës në fond. Pjesën më të madhe të anëtarëve e përbejnë të punësuarit pjesë e planeve profesionale.

Siç shihet nga të dhënat e mësipërme, ende nuk mund të flasim për një rol domethënës të fondeve të pensionit vullnetar në tregun financiar të vendit, por gjithsesi tendenca është në rritje ndonëse të ngadaltë.

Çfarë faktorësh e kufizojnë rritjen e këtij tregu në vend?

Mund të themi që janë një sërë faktorësh shpesh të gërshetuar me njëri-tjetrin, të cilët do t’i përmblidhja si vijon:
Duke nisur me faktorin më makro, niveli i zhvillimit ekonomik dhe social i vendit tonë, nuk ka favorizuar zhvillimin e këtyre skemave. Sipas raporteve të fundit të Bankës Botërore mbi nivelin e varfërisë, Shqipëria renditet si një nga vendet më të varfra të Europës. Me një treg pune të kufizuar, me një nivel të lartë papunësie (12.1% niveli i raportuar zyrtarisht nga INSTAT për T1 2019), me një pagë minimale 26 000 lekë, pa harruar dhe ekzistencën e ekonomisë informale në një nivel të lartë, të gjithë padyshim janë faktorë që nuk lejojnë zhvillimin e këtij tregu.

Së dyti, kuadri nënligjor i lidhur me zbatimin e lehtësive fiskale është i paplotë;
Fondet e pensionit vullnetar, kudo ku janë zhvilluar, janë shoqëruar me paketa nxitëse, kryesisht në aspektin fiskal, të cilat janë aplikuar sipas formulave të ndryshme duke ju përshtatur karakteristikave të sistemeve të çdo vendi.
Ligji nr. 10197, datë 10/12/2009 “Për fondet e pensionit vullnetar” ka një seksion të veçantë që rregullon regjimin fiskal të kësaj skeme, dispozita që më pas u reflektuan edhe në ligjin nr. 8438, datë 28/12/1998 “Për tatimin mbi të ardhurat” me ndryshimet datë 27/11/2014.

Por, nëse procesi i aplikimit të lehtësive fiskale, në rastin kur anëtari përfshihet në fond nëpërmjet një plani profesional (skema klasike të krijuara nga punëdhënësit për të motivuar punëmarrësit), është i rregulluar në aktet nënligjore të dala në zbatim të ligjit, ndërkohë për disa kategori të tjera si: të vetëpunësuarit, emigrantët apo individë të tjerë të cilët duan të krijojnë një plan pensioni tërësisht të financuar si studentë, gra shtëpiake mënyra e aplikimit të lehtësive fiskale është de jure tërësisht e papërcaktuar.

Mund të themi që këto kategori kanë shfaqur gjithnjë e më tepër interes për një investim afatgjatë, me qëllim pensionin, por pamundësia e përfitimit nga instrumentet nxitës, ka bërë që të shtyjnë pjesëmarrjen e tyre në një moment më të përshtatshëm.

Së treti, por jo nga rëndësia, është edukimi financiar dhe ndërgjegjësimi i publikut;
Edhe pse mund të ketë ndryshime pozitive vitet e fundit, sërish vërehet mungesë ndërgjegjësimi, në disa raste e shoqëruar edhe me mungesë besimi në anëtarësimin në këto fonde, e lidhur me çka kemi trashëguar qoftë nga historia jonë financiare, por edhe me shkallën e zhvillimit të shoqërisë. Në përgjithësi, shoqëria vazhdon të shfaqet e etur për konsum dhe prirja për plane kursimi apo investimi afatgjatë për qëllime pensioni shfaqet jo e lartë. Njerëzit vazhdojnë ta konsiderojnë pensionin si përgjegjësi të shtetit; Me keqardhje shpesh këtë qasje e konstatojmë edhe tek brezi i ri, edukimi financiar i të cilit mbetet një sfidë për të gjithë aktorët e tregut, autoritetet rregullatore dhe më gjerë.

Si mund të stimulohet ky treg që të ketë më shumë shqiptarë që sigurohen edhe privatisht?

Në fakt, përgjigjja për këtë pyetje është e lidhur me përgjigjen e pyetjes paraardhëse. Masat e menjëhershme që mund të merreshin do të ishin:

Rishikimi i legjislacionit dhe plotësimi i tij me aktet nënligjore në mënyrë që të zbatohen nxitësit fiskalë për të gjithë kategoritë sociale që paraqesin interes, si një nga instrumentet kryesore për zhvillimin e fondeve të pensionit vullnetar; Më konkretisht, duhet rishikuar Udhëzimi nr. 5, datë 30/01/2006 “Për tatimin mbi të ardhurat” që jo vetëm të mundësohet zbatimi i një të drejte që ligji ua ka dhënë tashmë qytetarëve, por edhe të zgjerohet baza pjesëmarrëse dhe të zhvillohet tregu.

Ndërmarrja e fushatave për edukimin financiar dhe ndërgjegjësimin e vazhdueshëm, jo vetëm nga aktorët e tregut, por edhe nga institucionet publike, autoritetet rregullatore, partnerët socialë etj. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka hartuar një strategji 5-vjeçare në këtë drejtim, duke vijuar me disa konferenca për edukimin financiar dhe marrëveshje bashkëpunimi me disa universitete në vend. Gjithashtu, shoqatat e krijuara nga aktorët e këtij tregu, nëpërmjet rrjeteve të krijuara kanë rritur aktivitetet me fokus edukimin financiar dhe ndërgjegjësimin e publikut, veçanërisht te të rinjtë.

Kuvendi e ka ngarkuar AMF në rezolutën e këtij institucioni që të bëjë një analizë mbi kolonën e dytë. Si e shihni këtë nismë dhe çfarë efektesh mund të sjellë kolona e dytë në skemën e pensioneve? Si funksionon kjo kolonë?

Ne jemi njohur me Rezolutën e Kuvendit të RSH miratuar më datë 30/05/2019, duke e mirëpritur këtë rekomandim të saj.
Mendojmë që tashmë janë krijuar kushtet për një nismë të tillë, kur pavarësisht reformave të vazhdueshme “parametrike”, skema publike e pensioneve (PAYG) nuk premton një qëndrueshmëri dhe përfitueshmëri në të ardhmen afatgjatë, në kushtet kur tregu i kapitaleve në vendin tonë ka filluar të zhvillohet, si dhe ka një konsolidim të shoqërive private që administrojnë fondet e pensionit dhe bankave që shërbejnë si Depozitare të fondeve(rreth 15 vite që operojnë në treg)

Sistemi shumë-kolonësh (multi-pillar) është një sistem i mbështetur fuqimisht dhe asistuar teknikisht nga Banka Botërore në fillimet e viteve ‘90 në të gjitha vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, të cilat të sapodala nga sistemet socialiste, kishin trashëguar sisteme pensioni, ku shteti kishte rolin kryesor në sigurimin e të ardhurave për pension, sisteme të hartuara me qëllim rishpërndarjen e të ardhurave, me një lidhje të dobët midis kontributeve dhe përfitimeve, dhe rrjedhimit në një sistem të karakterizuar nga përfitueshmëria e ulët.

Në këtë këndvështrim, pothuajse të gjitha vendet reflektuan këto rekomandime të BB, në mënyra të ndryshme sipas veçorive të tyre të brendshme, duke reformuar sistemet e tyre të pensionit. Ndërkohë që Shqipëria vazhdoi reformat për konsolidimin e skemës publike (Pay as you go), e cila bazohet në parimin e solidaritetit të brezave, duke e konsideruar të parakohshëm kalimin në sistemin e financuar me menaxhim privat, nisur dhe nga situata politiko-ekonomike e atyre viteve.

Vetëm në vitin 2005, në Shqipëri u licencuan tre shoqëritë e para dhe të vetmet deri më sot, që do të administronin fondet e pensioneve vullnetare, duke i hapur kështu rrugën zhvillimit të skemave individuale dhe profesionale vullnetare.

Ka disa vite që po studiohet dhe vlerësohet prezantimi dhe ndikimi i kolonës II në sistemin shqiptar të pensioneve, dhe së fundi referuar edhe Rezolutës së Kuvendit, po konkretizohet prezantimi gradual i saj. Themi, gradual, pasi hapat e parë janë hedhur me miratimin e ligjit nr. 29/2019, datë 23.5.2019 “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”, duke parashikuar funksionimin e skemave profesionale nën administrimin e shoqërive private, për kategoritë e mësipërme të profesioneve të vështira (vetëm të punësuarit nën moshën 48 vjeç) dhe duke vijuar më tej edhe me kategori të tjera profesionesh të caktuara.

Kolona II, ka tiparet e një llogarie personale kursimi, me kontribute të detyrueshme, e administruar nga shoqëritë private të licencuara, që sot administrojnë fondet e pensionit vullnetar. Kjo skemë paraqet një lidhje të qartë kontribute-performancë investimi- përfitime.

Pra, kolona II do të funksionojë krahas skemës publike të detyrueshme (PAYG), rrjedhimisht përfituesit e ardhshëm do të marrin përfitime nga dy burime, skema publike dhe skema e detyrueshme me menaxhim privat.
Kjo do të bëje të mundur diversifikimin riskut, duke e bërë sistemin edhe më të qëndrueshëm financiarisht ndaj risqeve demografike, politike, dhe të tregut të punës, do të rrisë mjaftueshmërinë e të ardhurave gjatë periudhës së pensionit, gjithashtu investimi i aseteve në tregun vendas, do të mbështesë zhvillimi ekonomik, punësimin, si dhe do të ndikojë në zhvillimin më tej të tregut të kapitaleve në Shqipëri.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of