Hyn në fuqi vendimi për faljen e taksës vjetore 2020 të mjeteve që në operojnë në linjat e rregullta të transportit qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas, si dhe të transportit të udhëtarëve jashtë vendit. Vendimi për kompensimin e taksës vjetore të mjeteve të transportit u propozua nga Ministria e Infrastrukturës dhe rindërtimit me qëllim zbutjen e efekteve në sektorin e transportit nga Covid-19.
Në vendimin e botuar në Fletoren Zyrtare, përcaktohet se ata mjete që kanë paguar taksën për 2010, do të kompensohen në momentin e pagesës së TVMP pasardhëse, pra vitin tjetër.
Nuk përfitojnë nga ky vendim të gjitha subjektet që rezultojnë debitore dhe nuk kanë kryer pagesën e taksës vjetore për mjetet e përdorura, për vitet paraardhëse. Subjektet mund të jenë përfituese nga falja e taksave për vitin 2020, vetëm në rast se shlyejnë detyrimet e prapambetura brenda 1 muaji nga hyrja në fuqi e vendimit.
Sipas të dhënave të drejtorisë të përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor nga vendimi i faljes të taksave vjetore përfitojnë 7,204 mjete dhe efekti financiar llogaritet rreth 170 milionë lekë dhe do të përballohet nga fondi rezervë i krijuar nga drejtoria e Shërbimit të Transportit të Udhëtarëve.
Vendimi
- Kompensimin financiar të taksës vjetore të mjeteve të përdorura (TVMP), të vitit 2020, për mjetet e destinuara për transport udhëtarësh, të kategorive “M2” dhe “M3”. Në masën e kompensimit financiar, krahas taksës vjetore të mjeteve të përdorura, përfshihen dhe gjobat e krijuara për detyrimet e vitit 2020, të lidhura me TVMP-në.
- Nga ky vendim përfitojnë të gjitha subjektet, individë, persona fizikë ose juridikë, të cilat shfrytëzojnë mjete të transportit rrugor në pronësi, në bashkëpronësi ose me qira, si dhe që ushtrojnë aktivitetin e transportit rrugor të udhëtarëve brenda vendit dhe pjesërisht jashtë territorit tokësor të Republikës së Shqipërisë nga transportues me seli në Republikën e Shqipërisë.
- Sipas objektit të veprimtarisë, përfitojnë nga kompensimi financiar të gjitha subjektet që: a) ushtrojnë veprimtarinë e transportit rrugor të udhëtarëve brenda vendit nëpërmjet; shërbimeve në linja të rregullta (transporti qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas); shërbimeve të rregullta, të specializuara; transporteve për llogari të vet; transporteve të rastit. b) ushtrojnë veprimtarinë e transportit të udhëtarëve jashtë vendit nëpërmjet: shërbimeve të rregullta; shërbimeve të rregullta, të specializuara; shërbimeve të rastit.
- Nuk përfitojnë nga ky vendim të gjitha subjektet që rezultojnë debitore dhe nuk kanë kryer pagesën e TMVP-së për vitet paraardhëse. Përjashtimisht, këto subjekte përfitojnë vetëm nëse paguajnë detyrimet e prapambetura brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
- Subjekteve përfituese, sipas pikës 3, të këtij vendimi, që kanë kryer pagesën e TVMP-së për vitin 2020, kompensimi do t’u bëhet sipas radhës së datës së pagesës së ardhshme, duke i zbritur detyrimin përkatës të paguar tashmë.
- Vlera e kompensimit për subjektet përfituese përballohet nga fondi rezervë i krijuar i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.