Intervistë me Vilma Baçe, Anëtare e Bordit Drejtues për Biznesin Retail në Raiffeisen Bank Albania
Rritja graduale dhe e ngadaltë e normave të interesit nuk do të ketë ndikime të mëdha në kërkesën për kredi nga individët.
Vilma Baçe, Anëtare e Bordit Drejtues për Biznesin Retail në Raiffeisen Bank Albania, thotë për “Monitor” se familjet do të korrigjojnë gradualisht buxhetet dhe parashikimet për të ardhmen, me inflacionin në rritje dhe me normat më të larta të interesit.
Çfarë rreziqesh shtron inflacioni i lartë dhe rritja e normave të interesit në tregun e bankingut për individët?
Rritja e inflacionit na bën më të “varfër”, sepse me të njëjtën sasi parash ne mund të blejmë më pak produkte dhe shërbime. Edhe kredia, si produkt financiar, nuk bën përjashtim nga kjo logjikë.
Nga ana tjetër, rritja e inflacionit u shoqërua edhe me rritjen e normës bazë të interesit, që logjikisht reflektohet edhe në një shtrenjtim të interesit të kredisë. Megjithatë, rritja e normës bazë nuk është pasqyruar plotësisht në normat e interesit të kredive.
Patjetër që buxhetet e familjeve preken nga rritja e normave të interesit, por më shumë preken nga rritja e inflacionit. Sidoqoftë, duhet të kemi parasysh se rritja e inflacionit dhe e normave të interesit vjen me një periudhë të caktuar axhustimi. Familjet i rregullojnë buxhetet dhe parashikimet për të ardhmen, në përputhje me rritjen e inflacionit dhe me rritjen e normave të interesit.
Nëse një familje me të ardhura mesatare sot do të konsideronte të merrte një kredi, do të mbante parasysh edhe efektin e inflacionit dhe të interesave më të larta në shpenzimet e veta dhe, ndoshta, do ta shtynte marrjen e kredisë në një moment tjetër. Nga informacionet që kemi deri tani, sidoqoftë nuk konstatojmë rënie të kërkesës për kredi.
Mendoj se një rritje e ngadaltë e normave të interesit, që do t’i japë kohë axhustimit të kërkesës, nuk do të ndikojë në mënyrë të qenësishme kërkesën për kredi deri në fund të vitit. Gjithsesi, duhet të shohim cila do të jetë tendenca e normave të interesit në vazhdim.
Sa prisni ta dëmtojë inflacioni dhe normat më të larta të interesit cilësinë e portofolit të kredisë për individë? Keni konstatuar deri tani përkeqësim të aftësisë paguese në këtë portofol?
Ne jemi shumë të kujdesshëm për sa i takon menaxhimit të rrezikut tek individët, ashtu si edhe te bizneset. Mund të themi se ne jemi deri diku konservatorë në këtë drejtim, gjë që e konsideroj më shumë si etikë biznesi, se sa shtrëngim të mirëfilltë.
Ne jemi këtu për të dhënë kredi, por në momentin që gjykojmë se klienti nuk ka fuqi të mjaftueshme paguese, atëherë duhet të ruajmë klientin në radhë të parë dhe veten tonë. Një kredidhënie e arsyeshme dhe e kontrolluar është shumë e rëndësishme për të mirën afatgjatë të bankës dhe të klientit.
Për momentin, është herët të flitet për përkeqësim të portofolit të kredisë. Përkundrazi, portofoli është duke u përmirësuar, madje ka një përmirësim të konsiderueshëm që nga periudha e pandemisë. Ne kemi një sistem shumë të kujdesshëm monitorimi të cilësisë së portofolit në çdo kohë, por sidomos në kushtet kur ka një përkeqësim të situatës makroekonomike.
Mendoni se rritja e normave të interesit do të ketë ndikime domethënëse në tregun e pasurive të paluajtshme, që ka qenë shtysa kryesore e rritjes së portofolit të individëve në vitet e fundit?
Në vitet e fundit, ne kemi parë që ka pasur një rritje të konsiderueshme të kredive për blerjen e pasurive të paluajtshme, që ka ndjekur një dinamikë të rritjes së ofertës në tregun e pronave.
Për momentin, besoj se është herët për të folur për një ndikim të rritjes së interesave në tregun e kredisë për prona dhe në tregun e pasurive të paluajtshme. Në perspektivë, mendoj që sidoqoftë, blerja e një pasurie të paluajtshme është vendim i menduar dhe merr parasysh edhe zhvillimet të mundshme negative në të ardhmen, pra, nuk është një vendimmarrje impulsive e momentit.
Mendoj se kërkesa për kredi për blerjen e pasurive të paluajtshme do të vazhdojë të jetë e lartë dhe e shëndetshme, megjithëse rritja e normave të interesit mund të ketë një lloj ndikimi.
Të mos harrojmë gjithashtu se një pjesë e madhe e pasurive të paluajtshme blihen pa pasur nevojë për kredi bankare, ndaj kredia dhe normat e interesit nuk janë faktori i vetëm që ndikojnë tregun e pronave.
Gjithsesi, mendoj se për momentin nuk mund të flasim për një rritje aq të madhe të normave të interesit, sa të ndikojë kërkesën për kredi në të ardhmen e afërt.
Besoni se rritja e normave të interesit mund ta frenojë disi rritjen e çmimeve të pasurive të paluajtshme?
Shpresojmë që jo, tregu i pasurive të paluajtshme ndikohet nga shumë faktorë dhe shtrihen në horizonte kohore afatgjata. Nëse çmimet janë rritur, kjo tregon se tregu ka pasur kërkesë dhe nuk besoj se kjo kërkesë do të frenohet në mënyrë të beftë apo të menjëhershme.
Nuk mendoj se ekuilibrat e kërkesës dhe ofertës do të mund të ndikohen kaq shumë nga rritja e normave të interesit, aq sa të shkaktojë një impakt të madh në ecurinë e çmimeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.