Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku njoftoi sot se në lidhje me fashën 800 kWh për familjet shqiptare nga 1 tetori ka disa propozime që do të diskutohen nga Këshilli i Ministrave për tu zgjedhur ajo më e mira.
“Është bërë studimi se sa familje preken dhe sa do jetë ky çmim. Synojmë të mos prekim çmimin e tregut.
Mbrëmë në orën 20:00 çmimi në bursën hungareze që i referohemi arriti në 1040 euro për MWh. Mund ta llogarisni vetë sesa është kilovati për orë dhe nëse do ti ekspozonim qytetarët tanë përballë këtyre çmimeve do të ishte e pamundur.
Megjithatë fasha 800 kWh ka disa propozime nga Operatori i Shpërndarjes dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, të cilat do të diskutohen nga Këshilli i Ministrave për t’u zgjedhur ajo që do të jetë më e mirë edhe për të optimizuar financat e sektorit, por edhe për të diferencuar mburojën sociale që i japim qytetarit për nevojat që një familje sa i përket energjisë elektrike dhe pastaj ata qytetarë që vendosin të shpenzojnë më shumë por që mbetet në diskrecionin e tyre për të paguar një çmim më të lartë”, tha Balluku.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.