Sektori fason është ndër më të prekurit nga vonesat në rimbursimin e TVSH-së. Pavarësisht se administrata tatimore i ka dhënë përparësi në shlyerjen e stokut kreu i dhomës së fasonëve shprehet se detyrimet arrijnë në 14 mln euro. Gjergji Gjika deklaron se vonesat në rimbursim dhe zhvlerësimi i euros po e shkatërrojnë këtë sektor. Fasonët propozojnë që TVSH për këtë sektor të jetë 0 në mënyrë që të shmangen problemet.
Vonesat e rimbursimit të Tvsh-së për sektorin fason janë mbi një vit dhe kapin një vlerë mbi 14 mln euro.
Kryetari Dhomës së Fasonëve Gjergji Gjika deklaron se pavarësisht sinjaleve pozitive për shlyerjen e detyrimeve ky sektor po përballet me vështirësi financiare. Zhvlerësimi i euros është një tjetër problem për këtë sektor.
Gjika: Në sektorin tonë ka rreth 14 mln euro të cilat duhet të rimbursohen urgjentisht, ka dhe rreth 8-9 mln euro të mbartura për 1-1.5 vite më përpara. Por ne vlerësojmë frymën aktuale që është pro larjes së këtyre borxheve.
Zgjidhje për ngërçin e krijuar Gjika sugjeron që TVSH për këtë sektor të bëhet 0.
Gjika: Ne kemi shpjeguar që TVSH 0 nuk dëmton as shtetin dhe as privatin. Atëherë përse bëhet?
Shpërndarja e rimbursimit të TVSH-së për sektorin fason parashikohet të realizohet në bazë të vjetërsisë së kërkesave.
Gjika: Ideja e tyre është bashkëpunim me ne, që të lahen ata që janë me të prapambetur, pra kush ka ardhur i pari merr i pari. Kjo nuk mundet që të përjashtojë njerëzit që kanë nevoje emergjente.
Administrata Tatimore premtoi se brenda qershorit do të shlyejë detyrimet e akumuluara nga rimbursimi i Tvsh-së. Kjo deklaratë erdhi pas ngritjes së shqetësimit nga Fondi Monetar Ndërkombëtar pas përfundimit të misionit në Shqipëri.
/ ORA NEWS
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.