Fasonet po sjellin më shumë të ardhura se turizmi

01/01/2021 12:00 PM 0 komente

Sektori fason shënoi një rritje të ndjeshme të ardhurave në tremujorin e tretë të vitit 2020.

Mbështetur në të dhënat e bilancit të Pagesave të Bankës së Shqipërisë, të ardhurat për shërbimet e përpunimit të mallrave të porositësve nga jashtë vendit arriti në 125 milionë euro, në rritje me 30 milionë euro krahasuar me tremujorin e dytë, madje në zgjerim me 6 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ky sektor u prek ndjeshëm nga shpërthimi krizës së Covid 19, për shkak të rënies së porosive dhe vështirësive për të vijuar normalisht aktivitetin prodhues. Megjithatë, deri tani efekti i krizës në bilancin progresiv vjetor ka qenë i kufizuar.

Në terma neto, fasonet ishin kontribuesi i tretë më i madh i të ardhurave në llogarinë korrente gjatë tremujorit të tretë të vitit 2020, duke iu afruar shumë turizmit, që solli rreth 133 milionë euro të ardhura. Ndikimin kryesor në ngushtimin e deficitit të llogarisë korrente për tremujorin e tretë e dhanë dërgesat e emigrantëve, me 197 milionë euro.

Nëse llogarisim kontributin për të gjithë 9-mujorin, fasonet e kanë tejkaluar dukshëm turizmin. Në nëntë muaj, të ardhurat nga sektori fason kanë arritur vlerën e 320 milionë eurove, 5% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, të ardhurat neto nga turizmi ishin vetëm 224 milionë euro, të ndikuara shumë nga bllokimi total i tremujorit të dytë të vitit.

Edhe për 9-mujorin, burimi kryesor i të ardhurave në llogarinë korrente ishin remitancat, me 470 milionë euro.

Fasonet tradicionalisht kanë qenë shtylla kryesore ku mbështeten eksportet shqiptare. Ky sektor është i përqendruar kryesisht tek prodhimi i veshjeve dhe këpucëve me porosi nga jashtë vendit, por në vitet e fundit ka pasur një zgjerim edhe në segmente të tjera, kryesisht tek industria e pjesëve për automjetet apo pajisjet e tjera industriale.

Në dekadën e fundit, sektori fason ka shfaqur përgjithësisht një ecuri të mirë, pa pasoja shumë të mëdha nga kriza e gjatë ekonomike botërore. Falë afërsisë gjeografike me Europën Perëndimore, përvojës së fituar, por edhe falë pagave të ulëta, fasoneria shqiptare i ka rezistuar mirë konkurrencës nga tregjet e tjera.

Sipas Institutit të Statistikave, në Shqipëri janë rreth 800 ndërmarrje me aktivitet në prodhimin e tekstileve, veshjeve dhe këpucëve. Vlerësohet se ky sektor ka gjithsej rreth 70 mijë të puyënsuar. Në pjesën dërrmuese këto biznese punojnë me porosi nga jashtë vendit./E.Shehu

Burimi: BSH

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of