Fasoni: Heqja e tarifave doganore mundëson zgjerimin e tregjeve të eksporteve

23/11/2016 1:17 PM 0 komente

Ka qenë një letër e Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve për heqjen e tarifave doganore që ka vënë në lëvizje autoritetet shqiptare, të cilat e miratuan kërkesën e tyre në Paketën Fiskale 2017. Në letrën dërguar kryeministrit dhe ministrit të Financave në korrik të këtij viti, thuhej se me prodhimet e destinuara për tregun europian, kompanitë po hasnin vështirësi serioze, sa u përket kostove të prodhimit dhe kryesisht lëndëve të para. “Mallrat që ne prodhojmë përfitojnë origjinë preferenciale shqiptare, por për shkak të këtij përfitimi, ne duhet të fokusohemi në lëndë të para origjinuese (EU CEFTA), të cilat kanë kosto më të larta dhe, rrjedhimisht, çmime përfundimtare më pak konkurruese për mallrat e prodhuara nga ne.  Nëse kalojmë në tregje të tjera, të cilat janë më atraktive si, Pakistani, Amerika Latine, Egjipti, Rusia etj., ne duhet të paguajmë taksa doganore në momentin e eksportit, taksa të cilat serish rëndojnë koston dhe ulin konkurueshmërinë e produkteve tona.  Referuar ashpërsisë që paraqet ky treg, kërkojmë rishikimin e taksave doganore të lëndëve të para që përdor industria jonë, pasi jemi të bindur se këta artikuj përdoren vetëm nga ne dhe vetëm për produktet nën regjimin e përpunimit aktiv dhe nuk sjellin asnjë efekt në buxhetin e shtetit, përveçse përkeqësojnë pozicionin tonë në tregun evropian”, thuhej në letër.

Autoritetet kanë reaguar ndaj këtij shqetësimi të fasonit dhe në Paketën Fiskale të 2017-s është vendosur të reduktohen tarifat doganore nga 2%, 6%, 10% dhe 15% në masën 0% për lëndën e parë të përdorur në industrinë fasoniste.

Sipas qeverisë, kjo masë u mor pasi prodhimet e destinuara për tregun europian kanë shfaqur vështirësi serioze lidhur me kostot e prodhimit dhe kryesisht me lëndët e para. Që këto mallra të përfitojnë origjinë preferenciale, lëndët e para duhet të jenë me origjinë EU, EFTA, CEFTA, të cilat kanë kosto më të lartë dhe rrjedhimisht çmime përfundimtare më pak konkurruese për mallrat e prodhuara nga kjo industri. Në rastet e importit të lëndëve të para nga vendet jo EU, EFTA, CEFTA në Kodin Doganor, me qëllim përfitimin e origjinës preferenciale, kërkohet pagesa e tarifës doganore, megjithëse mallrat pas përpunimit janë të destinuara për eksport. Reduktimi i këtyre tarifave do të krijonte një klimë më të favorshme për këtë industri, duke rritur eksportin dhe konkurrueshmërinë në tregjet ndërkombëtare.

Efektet në buxhet, duke marrë parasysh të dhënat vjetore për lëndët e para të importuara në vitin 2015 do të jetë negative në masën 41 milionë lekë.

Industria e prodhimit të këpucëve dhe veshjeve ka evoluar vitet e fundit  duke kaluar drejt ciklit të mbyllur dhe duke prodhuar artikuj që tregtohen  nën markën “Made in Albania” në shumë shtete të botës, nga SHBA deri në Japoni.

Falë investimeve të kryera në këtë industri, sot kompanitë administrojnë kontrata me emra të njohur botërorë në fushën e prodhimit dhe tregtimit të veshjeve të sipërme dhe të poshtme dhe, njëkohësisht, realizojnë cikle prodhimi të plota, që fillojnë nga përzgjedhja e lëndës së parë, deri në dorëzimin në dyqan të produkteve të gatshme.

Heqja e tarifave doganore do t’u mundësojë atyre tashmë që të zgjerojnë gamën e eksporteve dhe të shesin produktet e tyre edhe në tregje të tjera, ku më tërheqëset janë Rusia e Amerika Latine.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of