Bizneset e vogla janë zemra e ekonomisë shqiptare dhe mënyra se si ato do ta përballojnë krizën e shkaktuar nga koronavirusi, do të përcaktojë thellësinë dhe madhësinë e recesionit, që tashmë ka mbërritur, pas dy tremujorësh radhazi me rritje negative.
Në vend ka rreth 94 mijë subjekte me 1-4 të punësuar, ose mbi 80% e totalit. Prej tyre e sigurojnë jetesën një e treta e të punësuarve në sektorin privat në vend. Edhe përqindja e vetëpunësimit është më e larta në Ballkan (me 35% të totalit) dhe e dyta në Europë, pas Turqisë. Bizneset e vogla janë të përqendruara në aktivitetet e tregtisë, shërbimeve dhe akomodimit e shërbimit ushqimor (baret e restoranteve). Të tre këta sektorë po goditen rëndë nga kriza e konsumit. Individët kanë frenuar blerjet e produkteve jo të domosdoshme, rrjedhojë kjo e rënies së parave që kanë në dispozicion si dhe mbylljes gjatë karantinës, por edhe pasigurisë për të ardhmen.
Pandemia e koronavirusit po rezulton si një kërcënim ekzistencial për bizneset e vogla të vendit. Të dhënat e para flasin për një rritje të ndjeshme të mbylljeve të subjekteve, kryesisht atyre mikro. Nga lista e subjekteve pasive që publikohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve rezulton se për periudhën nga 1 maji deri në 14 korrik, bizneset që kaluan në status pasiv janë rritur me 54% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ekspertët presin që situata të përkeqësohet më tej në shtator, kur dhe përmasat e krizës do të bëhen më të qarta (shiko shkrimin në faqet e brendshme të revistës). Vera, që shpresohej të sillte rritje të konsumit nga turistët dhe emigrantët (të cilët hezitojnë të vijnë për shkak të karantinës që i pret në kthim), duket shumë e ftohtë. Pasiguritë janë shtuar dhe shumë vende po mbyllin sërish kufijtë, duke i hequr vendit një kanal të rëndësishëm për injektimin e likuiditetit.
Se sa këto biznese do të jenë ende në këmbë dhe do të arrijnë të rikuperohen, kjo do të varet nga ndihma që ato do të marrin. Shumë sipërmarrje të vogla nuk kanë likuiditete rezervë dhe shumë pak prej tyre kanë marrëdhënie me bankat. Të vegjlit operojnë me norma të vogla fitimi në krahasim me sipërmarrjet e mëdha dhe këto të fundit kanë më shumë akses në linjat e kreditit, që mund t’i ndihmojnë të përballojnë stuhinë e pandemisë. Të mëdhenjtë kanë më shumë mundësi që të mbijetojnë në periudhën e pasigurt që na pret përpara, pasi ata kanë rezerva likuiditeti, ose mund të mbështeten në hua.
Në fakt, rënia e të vegjëlve kishte nisur që më parë. Zgjerimi i qendrave tregtare dhe i zinxhirëve të supermarketeve, i shoqëruar me tkurrjen e konsumit (e nxitur dhe nga gjallërimi i emigrimit vitet e fundit) kanë çuar në mbylljen neto të 4-5 mijë subjekteve të vogla në vit, sipas të dhënave të INSTAT. Gradualisht po përvijohej një tendencë e zhvendosjes drejt sipërmarrjeve më të mëdha, të cilën pandemia vetëm sa e përshpejtoi.
Rreziku kryesor sot lidhet me pasojat në punësim. Fundi i korrikut (kur subjektet do të bëjnë deklarimet tremujore) do të tregojë përmasat e vërteta që kriza e shumëfishtë ka dhënë në vendet e punës dhe sidomos në vetëpunësim. Rreziku tjetër ka të bëjë me strukturën e sipërmarrjeve të mëdha dhe potencialin që ato do të kenë për të kompensuar rënien e të vegjëlve. Ashtu si ndërmarrjet mikro, edhe të mëdhatë janë të përqendruara kryesisht në aktivitete joproduktive, me vlerë të ulët të shtuar, që si avantazh kryesor kanë krahun e lirë të fuqisë punëtore.
Pandemia pritet të nxisë zhvillimin e teknologjisë, por procesi mund të jetë i ngadaltë, pasi sot Shqipëria renditet e fundit në rajon për risitë dhe sofistikimin. Bizneset ende po rendin drejt ndërtimit, si një sektor që u sjell atyre fitime të shpejta dhe të larta, (duke shfrytëzuar kërkesën e lartë, që vjen nga ekonomia informale dhe kriminale), pa pasur vizionin e një të ardhmeje afatgjatë dhe të qëndrueshme.
Muajt në vijim do të jenë kritikë për të treguar se sa biznese të vogla, por edhe të mëdha, do të arrijnë që t’ia dalin. Pandemia mund të ndryshojë përgjithmonë mënyrën se si ato funksionojnë dhe nëse ekonomia nuk përshtatet me shpejtësi, dalja nga recesioni do të jetë një proces i gjatë dhe i mundimshëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.