Dekorativiteti, ngjyrat me dritë herë të përmbajtura e herë “shpërthyese”, që kanë brenda tyre elementë të artit bashkëkohor europian i gjen në pikturat e piktorit Fatmir Dardha. Këto vepra mund të plotësojnë mjediset familjare me mobilim me dizajn të thjeshtë e njëngjyrësh. Por edhe ambjentet e një zyre të gjerë, ku faqja e murit ka të inkuadruar mobilje ngjyrë gështenjë apo qershie. “Monitor” ju sugjeron të zgjidhni një vepër nga koleksioni i piktorit Dardha dhe ju ofron konsulencën për krijimtarinë akoma më të gjerë të tij që gjendet në studion e piktorit apo për vepra të porositura si: portrete, peizazhe e vepra të aplikuara. Piktori Fatmir Dardha i përket grupit të piktorëve shqiptarë që u diplomuan në Akademinë Arteve të Tiranës pas viteve 90 (1991 95). Akademia në këto vite ishte në kontakte të vazhdueshme me Akademitë e Europës Perëndimore (Zvicër, Francë, Itali), duke përshtatur dhe futur lëndë të reja në programet e rinovuara. Mjaft leksione, biseda e konferenca u organizuan nga profesoriati i AAB, duke ftuar kolegë nga vendet e tjera, veçanërisht nga Franca e Italia. Piktori Dardha u formua si artist në atmosferën e transformimeve demokratike në jetën politikoshoqërore në Shqipëri si dhe të kontakteve të vazhdueshme me manifestimet artit bashkëkohor, që u organizuan në ato vite. Pas studimeve ai kthehet në qytetin e Lindjes Elbasan dhe i kushtohet mësimdhënies në Shkollën e mesme artistike “Onufri” dhe në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Krijimtaria artistike e Dardhës ekspozohet për herë të parë që kur ishte student (1993) në Galerinë e Akademisë së Arteve e më tej ai është pjesëmarrës në veprimtari kolektive dhe personale brenda dhe jashtë Shqipërisë (“Tunel”, “Kol Idromeneo”, “Pranverë”, “Onufri”, “Marubi” etj.).Interesi i piktorit Fatmir Dardha ndaj natyrës zhvillohet në dy kahe kryesorë: a) si peizazhist dhe b) si piktor modern i imazhit formal me motive floreale. I prirur të vrojtojë me kujdes elementë të veçantë të natyrës (lule, gjethe, fije bari etj) për ti realizuar në tablotë e tij, duke i interpretuar dhe krijuar me to vepra gati formaliste, Dardha parapëlqen të qëndrojë në kufirin ndërmjet figurës dhe abstraktes. Në disa nga tablotë e realizuara në vitin 98 (“Pa titull”, “Pemët”, “Pritja” etj.), ndjehet prirja e një dekorativiteti gati formal, ku loja e ngjyrës dhe linjave piktorike, kanë përparësi dhe janë synimi i artistit. Në veprat që i takojnë viteve 2000 02 piktori Dardha herë “fokusohet” tek një gjethe apo disa gjethe të thara (“Vjeshtë”, “Gjethe të kuqe”), herë tek një grup lulesh që sapo kanë çelur dhe akoma mbajnë freskinë dhe aromën e tokës (“Lulet e bardha”) dhe në vepra të tjera ndjehet një kthim tek figura dhe imazhi nga natyra (“Natyrë e qetë”, “Prag dimri”).Piktori Fatmir Dardha, përveç pikturës, ka pasion fotografinë artistike duke qënë debutues në shumë veprimtari brenda dhe jashtë vendit. Fotografia atij i jep material të mjaftueshëm imazhesh që ai i priret ti pikturojë në telajo. Fatmir Dardha ka ofruar për lexuesin e revistës “Monitor” 10 vepra të realizuara nga viti 1998 – 2002, me çmime nga 450 – 1 500 euro.
Ylli Drishti
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.