Vitin e kaluar, sektori bankar pagoi mbi 34 milionë euro për Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme dhe atë të Sigurimit të Depozitave
Ersuin Shehu
Kriza e gjatë që nisi në vitin 2008 solli një qasje universale shumë më të kujdesshme në rregullimin dhe mbrojtjen e sektorit bankar në Europë. Veç rritjes dhe shtrëngimit të mëtejshëm të kërkesave rregullatore për bankat, sidomos ato të lidhura me kapitalizimin, kriza frymëzoi edhe krijimin e mekanizmave të rinj, që nuk ishin përdorur më parë. Shembulli më domethënës ishte krijimi i një mekanizmi për shpëtimin e bankave në të ardhmen.
Një shembull të ngjashëm ndoqi edhe Shqipëria, me miratimin në fund të vitit 2016 të ligjit “Për Rimëkëmbjen dhe Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme në Banka në Republikën e Shqipërisë”.
Fondi nisi të ngrihej në vitin 2018 dhe krijimi i tij po ecën në përputhje me ritmet e parashikuara. Fondi ka arritur vlerën e afërsisht 2.7 miliardë lekëve. Banka e Shqipërisë bëri të ditur në muajin maj se bankat tregtare kanë paguar të plotë kontributin për vitin 2021.
Ligji parashikon që deri në vitin 2027, fondi të ketë vlerën e 0.5% të detyrimeve të sektorit bankar. Mbi këtë bazë, objektivi i llogaritur nga Banka e Shqipërisë për t’u arritur në vitin 2027 është rreth 6.64 miliardë lekë. Aktualisht, objektivi është plotësuar pranë nivelit të 40%, në linjë me parashikimet e ligjit dhe rregullores përkatëse.
Banka e Shqipërisë e përllogarit çdo vit kontributin vjetor që sektori bankar do të paguajë për arritjen e nivelit të synuar të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme. Në parim, formula është e tillë që, barra e kontributeve të jetë e shpërndarë në mënyrë sa më të barabartë në një dekadë. Por, për shkak të rritjes së vazhdueshme të detyrimeve të sektorit bankar, edhe objektivi i synuar për në vitin 2027 ka ardhur duke u zmadhuar; kjo ka ndikuar në një rritje të lehtë dhe graduale të kontributit vjetor të bankave.
5.4 milionë euro në vit për Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme
Për vitin 2021, bankat paguan 664 milionë lekë, ose rreth 5.4 milionë euro kontribut për Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme. Që nga viti 2018, kur bankat nisën të kontribuonin për këtë fond, shuma vjetore e kontributit është rritur lehtë vit pas viti, duke reflektuar rritjen e totalit të detyrimeve, që ka kërkuar edhe rregullimin e objektivit në përputhje me limitin e vendosur në ligj (0.5% të detyrimeve).
Pagesa për Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme është një nga zërat që, në vitet e fundit, kanë marrë peshë të konsiderueshme për bankat tregtare. Kontributi i paguar për vitin e kaluar ishte afërsisht sa 3% e shpenzimeve operative të sektorit bankar.
Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, ose siç njihet ndryshe Fondi i Shpëtimit të Bankave, është një mekanizëm që u krijua në vendet e Bashkimit Europian, pas krizës financiare. Kriza në fjalë kërkoi angazhimin e fondeve publike për shpëtimin e disa bankave brenda Unionit.
Me qëllim që operacione të tilla në të ardhmen të mos rëndojnë buxhetet kombëtare dhe taksapaguesit, u krijua skema e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, sipas së cilës bankat duhet të kontribuojnë vetë për të krijuar një fond që do t’i shpëtojë, në rast nevoje, në të ardhmen.
Shqipëria nuk u përball me nevojën për të shpëtuar ndonjërën prej bankave, por mekanizmi mbrojtës u krijua edhe në vendin tonë, në modelin e praktikave të reja të rregullimit në Bashkimin Europian.
Ky fond mund të përdoret nga Banka e Shqipërisë për disa qëllime, të tilla si: garantimi i aktiveve ose pasiveve të bankës, në ndërhyrje të jashtëzakonshme, bankës urë apo shoqërisë për administrimin e aktiveve;
plotësimi i nevojës për likuiditet të bankës në procedurën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, bankës urë apo shoqërisë për administrimin e aktiveve; blerja e aktiveve të bankës në procedurën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, për të kontribuuar në kapital dhe për të siguruar fondet e tjera të nevojshme për bankën urë apo shoqërinë për administrimin e aktiveve;
kompensimi i humbjeve të pambuluara që lindin për shkak të përjashtimit të detyrimeve të pranuara të kreditorëve të bankës në ndërhyrje të jashtëzakonshme; mbulimi i shpenzimeve për administrimin e Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, etj.
Qëllimi i këtij mekanizmi është sigurisht një sektor bankar më i sigurt ndaj goditjeve në të ardhmen dhe besimi më i lartë i publikut në këtë sektor. Megjithatë, këto mekanizma kanë edhe një kosto. Praktikat e paskrizës që forcojnë në mënyrë drastike rregullimin e tregjeve dhe krijojnë mekanizma të rinj mbrojtës kanë sjellë kosto shtesë që, në fund të fundit, duhet të paguhen në çmimin e produkteve dhe shërbimeve bankare.
Fondi investohet në letra me vlerë të qeverisë
Në ligjin “Për Rimëkëmbjen dhe Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme në Banka në Republikën e Shqipërisë”, Banka e Shqipërisë ngarkohet si Autoriteti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, që ushtron të drejtat e ndërhyrjes të përcaktuara në ligj. Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD), në përputhje me politikën e administrimit të mjeteve financiare të fondit, politikë që miratohet nga Banka e Shqipërisë. Fondi është bërë efektiv, duke filluar nga data 1 Janar 2018.
Në raportin vjetor të vitit të kaluar, ASD bën të ditur se mjetet financiare të Fondit janë investuar në përputhje me strategjinë vjetore të investimit për vitin 2020, miratuar nga Komiteti i Investimeve i Agjencisë. Më 31 dhjetor 2020, mjetet financiare kishin vlerë nominale 1.99 miliardë lekë dhe ishin të investuara të gjitha në letra me vlerë të Qeverisë Shqiptare dhe depozita njëjavore e llogari rrjedhëse pranë Bankës së Shqipërisë.
Në funksion të administrimit me efektivitet të mjeteve financiare të këtij fondi, Agjencia në përputhje me politikën e administrimit të mjeteve financiare në fund të vitit 2020 kishte 13.7% të portofolit në instrumente shumë likuide, si llogari rrjedhëse dhe depozita me Bankën e Shqipërisë dhe letra me vlerë me maturitet të mbetur deri në 90 ditë. Mjetet financiare të FNJ mbahen në masën më të madhe në lekë, ndërsa investimet në monedhë të huaj përbëjnë 6% të totalit të mjeteve financiare nën administrim. Për vitin 2020, të ardhurat nga investimi i mjeteve të Fondit ishin rreth 38 milionë lekë.
Burimi: ASD
Sigurimi i depozitave, bankat paguan 29 milionë euro vitin e kaluar
Veç shpenzimeve të tjera, për nevojat e aktivitetit të tyre, bankat paguajnë edhe prime vjetore për sigurimin e depozitave, si dhe, prej katër vjetësh, edhe kontribut vjetor për fondin e tyre të shpëtimit.
Për vitin 2020, bankat paguan prime të sigurimit të depozitave në vlerën e 3.57 miliardë lekëve, në rritje me 5.8% krahasuar me vitin 2019. Këtyre iu shtohen edhe 654 milionë lekë për Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, që e çojnë shpenzimin vjetor për të dy fondet në rreth 4.2 miliardë lekë, ose rreth 34 milionë euro.
Të ardhurat nga primet e sigurimit në periudhën 2009 – 2020 kanë qenë në rritje, gjë që lidhet drejtpërsëdrejti me rritjen e depozitave të siguruara në sistemin bankar në këto vite. Për bankat, primi tremujor i sigurimit përllogaritet si 0.125% e mesatares aritmetike të shumës së depozitave të siguruara, që janë regjistruar në bankë në ditën e fundit të çdo muaji të tremujorit të mëparshëm.
Ligji parashikon sigurimin e detyrueshëm të depozitave të individëve dhe shoqërive tregtare në banka deri në vlerën e 2.5 milionë lekëve. Në fund të vitit 2020, depozitat e siguruara në sistemin bankar ishin 741.6 miliardë lekë, ose 5.52% më shumë se një vit më parë. Fondi i sigurimit të depozitave bankare në fund të vitit 2020 arriti në 47.9 miliardë lekë, në rritje vjetore me 10.9%.
Raporti i mbulimit të depozitave të siguruara bankare nga fondi përkatës që administrohet nga agjencia e sigurimit të depozitave u rrit më tej vitin e kaluar. Sipas informacionit të ASD, në fund të vitit 2020, raporti arriti në 6.46%, nga 6.15% një vit më parë.
Ky tregues llogaritet si raporti mes vlerës totale të fondit të sigurimit të depozitave bankare dhe vlerës totale të depozitave të siguruara. Rritja e këtij raporti tregon se fondi i sigurimit të ASD është rritur me ritme më të shpejta se vlera e depozitave të siguruara. Në objektivat e agjencive të sigurimit të depozitave, zakonisht raporti i synuar i mbulimit të depozitave të siguruara është niveli 5%. Fondi i ASD e ka arritur këtë nivel që prej vitit 2016.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.