Koncesionet e dhëna nëpërmjet Partneritetit-Publik-Privat dhe ato që projektohen të jepen më 2018 arrijnë në 268 miliardë lekë (2 miliardë dollarë) ose 17% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Për shkak të efekteve negative në borxhin publik dhe mungesës së analizës për projektet, kjo formë investimi ka qenë më e kontestuara gjatë periudhës së tranzicionit nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe ekspertët vendas. Bumi i ofertave nga bizneset dhe “torta” që ofron qeveria.
Blerina Hoxha
Projekti “One Billion”, një paketë investimesh prej 156 miliardë lekësh që do të aktivizohet vitin e ardhshëm nga qeveria Rama, në bashkëpunim me kompanitë vendase për ndërtimin e 6 segmenteve rrugore, një spitali rajonal në Fier dhe rreth 5 shkollave në Tiranë ka marrë kontestime të shumta si nga ekspertiza vendase, edhe institucionet financiare ndërkombëtare për efektin negativ që do të ketë në stabilitetin e financave publike.
Precedentët negativë të koncesioneve në të shkuarën dhe mungesa e ekspertizës dhe kapaciteteve monitoruese të Shqipërisë i shtojnë më tej rreziqet. Përfaqësuesja e Përhershme e Zyrës së Bankës Botërore në në Shqipëri, Maryam Salim, tha se “kontratat e PPP-ve krijojnë detyrime të drejtpërdrejta dhe të tërthorta për qeverinë. Vlerësimi dhe bërja publike e këtyre detyrimeve është një hap i rëndësishëm për menaxhimin e ndonjë rreziku të mundshëm fiskal. Aktualisht, implikimet fiskale të PPP-ve nuk përfshihen plotësisht në dokumentet e buxhetit, pasqyrat financiare apo raportet statistikore”.
Aktualisht, qeveria shqiptare ka dhënë me koncesion rreth 200 kontrata për punë dhe shërbime publike. Një pjesë e këtyre kontratave, siç është ndërtimi i HEC-eve, po kryhen me financimet e kompanive, të cilat më pas nxjerrin investimin duke shitur produktet ose shërbimet, por instrumenti i ndërtimeve publike me Partneritet Publik Privat (PPP) ku privati ndërton me fondet e shtetit po shihet si një formë eksperimentale mjaft e rrezikshme. Deri më tani, vlera e kontratave të dhëna me PPP ka arritur në 111 miliardë lekë, të cilat dominohen nga kontrata shërbimesh në shëndetësi dhe tre impiantet e trajtimit të mbetjeve në Tiranë, Fier dhe Elbasan. Por ndërkohë gjatë vitit që vjen do të jepen me koncesion me PPP edhe 156 miliardë lekë, duke e çuar vlerën e përgjithshme të PPP-ve më shumë se 268 miliardë lekë, e cila është sa 17% e PBB-së. Institucionet financiare ndërkombëtare këmbëngulin që kjo shumë të përfshihet në borxhin publik. Fondi Monetar Ndërkombëtar, në deklaratën përmbyllëse të marrëveshjes trevjeçare, kërkoi që ndikimi i projekteve me PPP, ndryshe nga sa veprohet aktualisht, të reflektohet në llogaritë fiskale dhe borxhin publik, në mënyrë transparente dhe në linjë me normat ndërkombëtare.
Aktualisht qeveria e reflekton borxhin vetëm si detyrim korrent të vitit kur ndodh, ndërsa standardet ndërkombëtare kërkojnë dhe llogaritjen e pjesës së detyrimit të shtetit në totalin e borxhit publik. FMN e ka shprehur më parë se është e rëndësishme që çdo projekt PPP të bëhet transparent, të ketë një analizë të qartë kosto-përfitime dhe një analizë të plotë rreziku. Nëse PPP e dhëna deri më tani dhe ato që janë planifikuar të jepen më 2018 do të përllogariteshin si detyrime publike, borxhi i vendit do të shkonte në mbi 87% e PBB, nga rreth 71% që është aktualisht.
Duke anashkaluar efektin që kanë në stabilitetin makroekonomik në afat të gjatë, eficenca e projekteve që do të kryhen investimet duket se nuk përputhet me prioritetet kombëtare që ka vendi në zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë. Arben Dervishi, nga Shoqata e Ndërtuesve, thotë se dublimi i Korridorit 8 dhe plotësimi i tij me hekurudhë është më i rëndësishëm se Rruga e Arbrit dhe kostoja është e njëjtë. Ai pohon se hekurudhat dhe autostradat që nxisin lidhjet me rajonin dhe Europën janë më strategjike se rrugët që afrojnë Tiranën me një qytet të caktuar.
Komisioni Europian ka klasifikuar me rëndësi strategjike për financime të vetmin projekt infrastrukturor në Shqipëri, Autostradën Blu, që shtrihet përgjatë bregdetit dhe synon të jetë një rrugë turistike që lidh brigjet kroate nëpërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë me plazhet greke. Mirëpo teksa qeveria shqiptare po angazhon së paku 1 miliard euro në akset kombëtare të brendshme, ende nuk ka vënë në vijë projektet e fizibilitetit për Autostradën Blu, duke vënë në zgrip mundësinë për tërheqjen e financimeve nga grantet e BE për vendet në proces integrimi.
Arben Dervishi
Dublimi i Korridorit 8 dhe plotësimi i tij me hekurudhë është më i rëndësishëm se Rruga e Arbrit dhe kostoja është e njëjtë. Hekurudhat dhe autostradat që nxisin lidhjet me rajonin dhe Europën janë më strategjike se rrugët që afrojnë Tiranën me një qytet të caktuar.
Ekspertët: “One Billion”, skenari grek për Shqipërinë
Zef Preçi, nga Qendra Shqipëria për Kërkime Ekonomike, thotë se nëse ky borxh i ri i fshehtë i cilësuar PPP merret në një kohë që fuqia ripaguese e ekonomisë nuk është e mundur të rritet, shtohen rreziqet. E nëse këto para shkojnë për investime fasadash, pllakash, lulesh, etj., pra nuk hapin vende pune, nuk zhvillojnë industrinë, bujqësinë, etj., përsëritja e skenarit të dhimbshëm grek është e pashmangshme, shtoi ai.
Sherefedin Shehu, ish-zëvendësministri i Financave, shkon edhe më tej duke pohuar se nga paketa 1 miliard euro, investimet reale do të jenë vetëm 495 milionë euro. Sipas tij, fatura që bizneset e ndershme do t’i bëjnë qeverisë, do të jetë të paktën 2.2 herë më e lartë se sa kostoja e investimit, ose nga fatura 1 miliard euro që do të paguajë qeveria, vetëm 490 milionë do të jenë investime reale.
Shehu thotë se, “po të supozojmë një interes minimal 10% për kredinë (8% është sot interesi për obligacionet 7-vjeçare) atëherë për pagimin e saj, biznesi duhet të fitojë të paktën 15%. Kështu kosto mesatare e kapitalit (kredi+para të veta) do të jetë minimalisht 12%” përllogariti ish-zyrtari i lartë i financave”. Ndërkohë përvoja na tregon se gjatë zbatimit të projekteve publike, fatura shtohet nga “pengesat” që krijon qeveria dhe “domosdoshmëria” për ndryshimin e projekteve.
Një kredi 13-vjeçare me 12% interes që paguhet me 13 këste të barabarta vjetore kushton 2.2 herë më shumë se vlera e kredisë që merret sot. Ndryshe mund të thuhet: për çdo lek që biznesi do të investojë “veresie” sot do të marrë mbrapsht 2.2 lekë, ose më shumë se dyfishi.
Presidenti i UET, Adrian Civici, thotë se njihen disa forma të realizimit të PPP. Por ai konsideron më të rrezikshme në lidhje me pasojat në rritjen e borxhit publik, formën e investimeve në dukje private, por që thelb janë publike, si një detyrim i qeverisë për t’ua shlyer investitorëve privatë të gjithë shumën e investuar brenda një periudhe të ardhshme 5 ose 10-vjeçare.
Eksperti Selami Xhepa mendon se herët apo vonë, buxheti do të rrezikohej seriozisht nga paketa e investimeve me PPP, prandaj ai i sugjeron qeverisë ta rimendojë seriozisht këtë projekt.
Banka Botërore, në një analizë për koncesionet PPP në të gjithë botën të cilësuar “Benchmarking Public-Private Partnerships Procurement 2017”,
cilëson se Shqipëria nuk po i jep PPP duke i prioritizuar ato me nevojat që ka vendi për investime publike.
Gjithashtu banka vë në dukje se Shqipëria nuk ka zhvilluar ndonjë metodologji specifike për përballueshmërinë fiskale të këtyre projekteve. Gjithashtu, Shqipëria nuk ka vlerësuar ndonjë metodologji për vlerësimin e rreziqeve që mbartin këto projekte.
Salillari jep ofertë për Thumanë-Rrogozhinë
Teksa Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës është në negociata me kompaninë Gjoka Konstruksion për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, të paktën 6 oferta janë paraqitur në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës për të ndërtuar nëpërmjet koncesionit PPP. Burimet nga Ministria e Transportit bëjnë me dije se kompania Salillari ka dorëzuar një projekt-propozim për ndërtimin e autostradës, Thumanë-Vorë–Rrogozhinë, i pagëzuar si boshti i qendrës. Vlera e projektit llogaritet në 75 miliardë lekë nga të cilat, 34 miliardë lekë kushton aksi Thumanë-Vorë dhe 41 miliardë lekë të tjera Vorë-Rrogozhinë. Projekti i kompanisë Salillari nuk kërkon financim nga buxheti i shtetit, por nëpërmjet përvetësimit të pagesës pas përfundimit. Boshti qendrës, edhe në studimet e mëparshme, është konsideruar me fizibilitet të lartë në krahasim me akset e tjera, për shkak të densitetit të lëvizjes që e justifikon pagesën.
Aksi Thumanë-Rrogozhinë është gjithashtu pjesë e Korridorit Blu, me gjatësi 64 kilometra. Ky segment paraqet rëndësi të veçantë, pasi mënjanon trafikun Jug-Veri në Qendrat kryesore, Tiranë-Durrës, duke kaluar në mes të Tiranës dhe Durrësit nga Thumana e Fushë-Krujës në Rrogozhinë, duke shmangur ndjeshëm trafikun dhe duke zvogëluar distancën. Korridori Blu është i vetmi seksion rrugor, i cili ka marrë financime nga nisma e Berlinit, që para dy vitesh kualifikoi për financime akset rrugore në vendet e rajonit që janë pjesë e procesit të integrimit.
Rreth 10 vite më parë, kompani austriake i kanë sjellë propozime konkrete qeverisë shqiptare, të cilat nuk u finalizuan, pasi atëherë nuk ekzistonte as baza ligjore për të bërë investime me Partneritet Publik-Privat.
5 ofertat e tjera nga ndërtuesit për rrugët
Janë të paktën edhe pesë kompani të tjera të ndërtimit të rrugëve që kanë bërë oferta për paketën “One Billion”. Burimet nga Shoqata e Ndërtuesve pohuan se kompania Cobial ka shprehur interes për segmentin Kardhiq-Delvinë, ndërtimi i së cilës është braktisur prej vitesh. Vlera që parashikohet të financohet nga buxheti i shtetit pritet të jetë mbi 9 miliardë lekë. Kjo rrugë do ta shmangte Gjirokastrën dhe Qafën e Muzinës, duke bërë që distanca Tiranë-Sarandë të përshkohej normalisht për 3-3.5 orë, duke e shkurtuar atë me 50 km. Përpjekjet për ndërtimin e këtij aksi kanë nisur që në vitin 2003, në kohën e qeverisë Nano. Gjatësia e saj është 28 km, një pjesë e së cilës është e ndërtuar. Pjesa më e vështirë është ndërtimi i një tuneli 1 km të gjatë.
Kompania Albstar gjithashtu ka dorëzuar një ofertë të pakërkuar për segmentin Vorë-Pezë-Plazhi i Gjeneralit.
Gjithashtu mësohet se kompania Gjikuria ka bërë ofertë për Bypass-in e Vlorës, me një rrugë që vijon nga Tragjasi me tunel në Llogara dhe dublim deri në Himarë.
Kompania ANK ka ofertuar për një propozim të pakërkuar me PPP për Bypass-in e Lezhës.
Victoria Invest, në bashkëpunim me një kompani kineze, ka bërë ofertë për Autostradën Blu, duke marrë përsipër edhe studimet e fizibilitetit.
Kontratat reja PPP më 2018 arrijnë 156 mld lekë
Qeveria shqiptare ka programuar që gjatë vitit 2018 të angazhojë 156 miliardë lekë kontrata me PPP, të cilat përbëjnë planin e njohur tashmë si “One Billion”.
Projekti i parë në listë janë ndërtimi i shkollave në Tiranë, me vlerë 6,1 miliardë lekë. Projekti i dytë është financimi i një spitali rajonal në Fier, me financim 9,4 miliardë lekë.
Me tej, 140 miliardë lekë do të angazhohen në ndërtimin e segmenteve të infrastrukturës rrugore. Ndërtimi i aksit Tiranë-Thumanë-Vorë, pjesë e boshtit të qendrës, do të jepet me koncesion kundrejt vlerës së financimit 34 miliardë lekë. Pjesa e dytë e këtij segmenti, ndërtimi i rrugës Kashar – Rrogozhinë do të jepet me koncesion kundrejt vlerës 41 miliardë lekë. Kardhiq – Delvinë do të ndërtohet me Partneritet Publik Privat kundrejt vlerës 8.6 miliardë lekë. Ndërtimi i rrugës Milot-Balldren është ofruar për koncesion PPP kundrejt një financimi nga buxheti i shtetit 14.2 miliardë lekë.
Nëpërmjet kësaj forme është programuar të financohet edhe segmenti Orikum – Himarë me vlerë prej 17 miliardë lekësh. Në program është përfshirë edhe Rruga e Arbrit, me një financim prej 24 miliardë lekësh.
Sipas skemës që ka zbardhur ministri i Financave, Arben Ahmetaj, njoftohet se sipërmarrësit që do të bëhen pjesë e realizimit të këtyre investimeve, duhet të financojnë 20% të vlerës së projektit nga kapitalet e veta. Ministria ka shpjeguar se buxheti i shtetit do të nisë të shlyejë investitorët, vetëm pasi të jetë bërë 50% e investimit, por këto hollësi do të jenë të sqaruara në kontratat individuale që do të lidhen për secilin nga projektet. Nga ana tjetër, qeveria synon të shlyejë kompanitë gjatë një periudhe 10-15-vjeçare. Kostot e përgatitjes së studimit të fizibilitetit në fazën e parë dhe të projektit në fazën e dytë, përballohen nga sipërmarrja por, qeveria e shkëmben projektin me ofrimin e bonusit prej 10 pikë përqindje, siç është përcaktuar në ligjin e koncesioneve. Ministria e Financave ka shpjeguar se prokurimet nga fondi “One Billion” do të bëhen me një afat 1-2 vjet dhe duhet të ketë disponueshmëri të fondeve për t’u hapur prokurimi publik.
Ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, ka pohuar se, paketa “One Billion” nuk është zgjidhja më e mirë, por është e vetmja, pasi donatorët nuk e financojnë më tej, për shkak të nivelit të lartë në të cilin ka arritur borxhi publik i vendit.
70 milionë euro nga taksat, pagesa për koncesionet më 2018-n
Koncesionet me Partneritet Publik Privat po rëndojnë gjithnjë e më shumë faturën, që duhet të paguhet nga taksapaguesit shqiptarë.
Për vitin 2018, sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave do të bëhen 9.4 miliardë lekë pagesa për koncesionet, ose 70 milionë euro. Kjo shumë është 30% më e lartë se ajo e vitit të kaluar, ku fatura e koncesioneve në shpenzimet buxhetore të këtij viti u përllogarit me 7.1 miliardë lekë.
Këtë vit financohen 12 koncesione nga 8 koncesione që ishin llogaritur për financim.
Koncesionet e reja, janë ndërtimi i Rrugës së Arbrit, koncesioni i mirëmbajtjes në Rrugën e Kombit, Ndërtimi i inceneratorit të Tiranës dhe ndërtimi i shkollave në Bashkinë e Tiranës.
Vlera më e madhe e financimeve do të shkojë për koncesionet në sektorin e shëndetësisë me 3.9 miliardë lekë, ose 42% e krejt vlerës totale të financimit për koncesionet më 2018.
Nga koncesionet e shëndetësisë, vlera më e madhe e financimit për vitin 2018 shkon për koncesionin e sterilizimit, me rreth 1.5 miliardë lekë. Më tej, financimet më të mëdha i merr koncesioni i shërbimeve laboratorike, me mbi 880 milionë lekë dhe ai Check-Up me mbi 876 milionë lekë. Ministria e Financave dhe Ekonomisë vlerëson dhe miraton paraprakisht të gjitha projektet koncesionare dhe të Partneritetit Publik Privat (PPP), si dhe çdo ndryshim të tyre, nga pikëpamja e implikimeve individuale apo në grup, për shpenzimet buxhetore, deficitin buxhetor, qëndrueshmërinë e borxhit publik dhe detyrimet kontingjente eventuale.
Shuma e përgjithshme e pagesave vjetore neto, që kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat rezultojnë nga kontrata koncesionare apo Partneriteti Publik Privat (PPP), si rregull, nuk duhet të tejkalojnë kufirin prej 5% të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor. Në rast tejkalimi të këtij kufiri, Këshilli i Ministrave merr masa korrektuese në krahun e të ardhurave buxhetore, të nevojshme dhe të mjaftueshme, për t’u rikthyer brenda kufirit të lejuar, gjatë dy viteve të ardhshme buxhetore.
Aktualisht, janë në fuqi 8 kontrata koncesionare apo Partneriteti Publik Privat (PPP), të cilat marrin mbështetje buxhetore, si dhe pritet që gjatë vitit 2018 të fillojnë dhe 3 kontrata të reja të lidhura nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë/Bashkisë së Tiranës. Pagesat vjetore neto për kontratat koncesionare apo PPP për vitin 2018, përbëjnë rreth 2.4% të totalit të të ardhurave tatimore faktike për vitin 2017.
OPINIONET
Flet prof. Adrian Civici, president i UET
Paketa “One Billion”, pasojat për rritjen e borxhit të rrezikshme
Më e rrezikshme në lidhje me pasojat në rritjen e borxhit publik do të ishte forma e investimeve në dukje private, por në thelb publike si një detyrim i qeverisë për t’ua shlyer investitorëve privatë të gjithë shumën e investuar brenda një periudhe të ardhshme 5 ose 10-vjeçare.
Në thelbin e tyre, koncesionet e realizuara si PPP janë investime të domosdoshme për ekonominë shqiptare, sidomos në këtë fazë të zhvillimit ekonomik që ndodhemi. Në këtë këndvështrim, mendoj se janë oksigjen i domosdoshëm për të mbështetur rritjen ekonomike, punësimin dhe zhvillimin ekonomiko-social të vendit. Problemi apo diskutimet kanë të bëjnë me modalitetet dhe procedurat e aplikimit praktik të tyre, me transparencën dhe mekanizmat e institucioneve kontrolluese e verifikuese të tyre për të shmangur kostot e larta me natyrë klienteliste të këtyre lloj investimeve. Njihen disa forma të realizimit të PPP. Më e rrezikshme në lidhje me pasojat në rritjen e borxhit publik do të ishte forma e investimeve në dukje private, por në thelb publike si një detyrim i qeverisë për t’ua shlyer investitorëve privatë të gjithë shumën e investuar brenda një periudhe të ardhshme 5 ose 10-vjeçare. Në këtë rast, ashtu siç e ka nënvizuar dhe FMN, do të kishim të bënin me krijimin e një borxhi të ri, në dukje të fshehur, por real si pjesë e borxhit publik. Por, nëse PPP do konceptohej si investim privat që fitimet do t’i marrë nga shfrytëzimi i objekteve ku financohet dhe roli i qeverisë është vetëm krijimi i lehtësive institucionale për realizimin e investimit, atëherë do kishim të bënim me një PPP mjaft pozitiv dhe të efektshëm për ekonominë. Problemi qëndron, se deri në këto momente, mjaft nga modalitetet e realizimit të këtyre PPP nuk janë prezente dhe transparente.
Flet prof. Selami Xhepa, drejtor i Institutit Pashko
PPP-të po krijojnë shpenzime të larta për shërbimin e borxhit
Sido që të serviret politikisht kjo iniciativë, në analizë të fundit këto para do t’u kthehen privatëve në formën e taksave të shtuara të ardhshme dhe duke u kontabilizuar në pasqyrat e financave publike, treguesit e borxhit publik do të duken kërcënuese.
Unë e kam shprehur në shumë raste se, projekti i njohur si “1 Billion”, ku qeveria do të koncesionojë në formë Partneriteti Publik-Privat projekte publike në vlerën e 1 miliard dollarëve, ngre shqetësime serioze sa u takon efekteve që këto borxhe të nënkuptuara publike do të kenë mbi stabilitetin e financave publike të vendit. Sido që të serviret politikisht kjo iniciativë, në analizë të fundit këto para do t’u kthehen privatëve në formën e taksave të shtuara të ardhshme dhe duke u kontabilizuar në pasqyrat e financave publike, treguesit e borxhit publik do të duken kërcënuese. Të mos harrojmë se edhe sot, buxheti i shtetit shpenzon rreth 350-400 milionë euro për shërbimin e borxhit. Duke planifikuar në të ardhmen një shumë edhe më të lartë pagesash për këto projekte, barra e pagesave të interesave dhe borxheve të maturuara do të tejkalonte edhe shifrën e investimeve publike. Herët apo vonë, buxheti do të rrezikohej seriozisht prandaj gjykoj se qeveria duhet ta rimendojë seriozisht këtë projekt.
Rreziku i dytë serioz janë procedurat aspak transparente të prokurimit të projekteve të kësaj natyre. Siç e nënvizoi së fundmi edhe një shqetësim i Bankës Botërore, Shqipëria ka probleme serioze në kontrollin e korrupsionit. Projekte si ky nuk bëjnë gjë tjetër veçse krijojnë edhe më shumë hapësira abuzuese dhe korrupsion.
Ushtria, Shqipëria e përdor për pastrimin e plehrave, Afrika për të ndërtuar rrugë
Teksa Shqipëria e ka ulur nivelin e përdorimit të ushtrisë për pastrimin e plehrave në akset rrugore nacionale, vendet afrikane e kanë kthyer ushtrinë në një mjet parësor për ndërtimin e infrastrukturës.
Banka Botërore vlerëson se Afrika do të duhet të investojë rreth 93 miliardë dollarë në vit gjatë dekadës së ardhshme për të përmbushur nevojat e saj për infrastrukturë. Një e treta e kësaj kosto do të shkojë në mirëmbajtje. Një pjesë e këtij investimi mund të plotësohet përmes investimeve të sektorit publik dhe privat, duke përfshirë objekte të reja, siç janë obligacionet e infrastrukturës të propozuara nga Banka Afrikane e Zhvillimit.Por urgjenca për të adresuar infrastrukturën e Afrikës kërkon ndërhyrje shtesë jo-konvencionale, si mobilizimi i Forcave të Armatosura të kontinentit. Historikisht, ka një trashëgimi të gjatë të përfshirjes ushtarake në projektet e infrastrukturës që shkojnë në ditët romake.
Forcat e armatosura afrikane kanë burime të konsiderueshme njerëzore dhe pajisje të nevojshme për ndërtimin e projekteve të infrastrukturës. Shumë vende afrikane kanë konvertuar objekte ushtarake për të mbështetur aktivitetet e infrastrukturës civile. Ruanda, për shembull, u kthye në një kazermë ushtarake në Institutin Kigali të Shkencës dhe Teknologjisë, i cili luajti rol jetësor në rindërtimin e vendit pas gjenocidit.
Një nga angazhimet më të qarta për rolin e ushtrisë në projektet e infrastrukturës vjen nga Uganda. Forcat e armatosura të vendit kanë themeluar së fundmi Universitetin e Parë të Afrikës së Shkencës dhe Teknologjisë Ushtarake, i cili trajnon inxhinierë për të ndërtuar projekte infrastrukturore. Uganda ka bashkëpunuar me ushtrinë amerikane se si të rehabilitohen rrjetet hekurudhore.Senegali, për shembull, ka krijuar politika dhe udhëzime operacionale të qarta në programin e saj “Ushtria-Kombëtare”. Programi përfshin aktivitetet në infrastrukturë (sidomos në furnizimin me ujë dhe ndërtimin e rrugëve), kujdesin shëndetësor dhe menaxhimin e mjedisit.
Në vitin 1999, Senegali ngriti komitetin civil-ushtarak në mbështetje të zhvillimit për të mbledhur përfaqësues nga Parlamenti, ushtria, ministritë e qeverisë, shoqëria civile dhe sektori privat për të bashkëpunuar në zbatimin e programeve publike. Anëtarësia e saj e gjerë ndihmon në nxitjen e besimit dhe koordinimit.
Vende të tilla si Indonezia dhe Papua Guineja e Re po u përgjigjen sfidave të varfërisë, duke i vendosur forcat e tyre të armatosura për të ndërtuar projekte infrastrukturore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
A nuk ka njerez te tjere ne kete vend qe mund te flasin pervecse UET-it?