Rritja e normave të interesit po rezulton më e shpejtë nga sa u mendua në një moment të parë. Ajo pritet të sjellë kosto të ndjeshme për huamarrësit, por edhe buxhetin e shtetit. Një e treta e borxhit publik është e ekspozuar ndaj rritjes së interesave në afatin e shkurtër
Ersuin Shehu
Rritja e normave të interesit këtë vit nuk ishte sigurisht surprizë. Banka e Shqipërisë, ashtu si shumë institucione të tjera homologe, kishin dhënë sinjale të qarta për normalizim gradual të politikës monetare që në tremujorin e fundit të vitit të kaluar.
Megjithatë, deri në muajin mars, kur Banka e Shqipërisë vendosi rritjen e parë të normës bazë, shumica e ekspertëve prisnin që për vitin 2022, rritja e normave të ishte graduale dhe e kufizuar, edhe për t’iu dhënë mundësinë tregjeve të përshtateshin me kushte më të shtrënguara monetare pas më shumë së një dekade uljesh të vazhdueshme.
Në një intervistë për “Monitor”, Banka e Shqipërisë u shpreh se priste që inflacioni të arrinte deri pranë nivelit 7% dhe të prekte pikun mes tremujorit të dytë dhe të tretë të këtij viti. Megjithatë, pas mbledhjes së fundit, në muajin gusht, Këshilli Mbikëqyrës arriti në konkluzionin se goditja inflacioniste ka marrë trajta më shqetësuese dhe vendosi të rrisë sërish me 0.5 pikë normën bazë të interesit.
Në muajin prill, Raiffeisen Research, njësia e kërkimit e grupit bankar Raiffeisen, parashikonte se Banka e Shqipërisë do të ndërmerrte dy rritje të tjera të normës bazë me 0.25 pikë përqindje në vitin 2022 dhe pritej që norma bazë e interesit të arrinte nivelin 1.5%. Në fakt, norma bazë arriti në 1.75% që në fillim të muajit gusht.
Inflacioni bazë, si kambanë alarmi
Përmbajtja e raportit të Politikës Monetare për tremujorin e tretë të vitit shpjegon shumë për arsyet pse Këshilli Mbikëqyrës vendosi të shpejtojë ritmet e shtrëngimit të politikës monetare. Ndoshta treguesi më përcaktues në këtë drejtim ishte rritja e paprecedentë e inflacionit bazë.
Inflacioni bazë është një tregues i rëndësishëm në vendimmarrjen e Bankës Qendrore, sepse ai përjashton efektin e atyre çmimeve që nga natyra kanë luhatshmëri të lartë, siç janë kryesisht lëndët e para dhe produktet ushqimore.
Sipas Bankës së Shqipërisë, për tremujorin e dytë të vitit, inflacioni bazë arriti nivelin 6.3%, më i larti i regjistruar ndonjëherë. Rritja e lartë e inflacionit bazë është tregues se goditja nga krahu i ofertës, që u theksua edhe më shumë nga sulmi rus në Ukrainë, ka nisur të përcillet me ritme shqetësuese në të gjithë ekonominë. Inflacioni bazë u zgjerua me rreth 3.1 pikë përqindjeje krahasuar me vlerën e tremujorit të parë të vitit.
Rritja e lartë e inflacionit bazë është një sinjal se presionet inflacioniste po marrin një trajtë më të qëndrueshme dhe kjo e ka shtyrë Këshillin Mbikëqyrës të vendosë për një shtrëngim më të shpejtë monetar.
Vlerësimet e Bankës së Shqipërisë sugjeruan përmirësimin e pozicionit ciklik në tremujorin e parë 2022, të pasqyruar në rritje të punësimit, rënie të papunësisë dhe ritme të larta të rritjes së pagave. Edhe për këtë tremujor, rritja e pagave në sektorin privat qëndroi mbi nivelin 10%. Paralelisht me të, rritja e çmimeve të prodhimit dhe e atyre të importit ka nxitur presionet e brendshme dhe të huaja inflacioniste.
Inflacioni i importuar nxori në pah një zgjerim të dukshëm, i ndikuar nga efektet e trashëguara të pandemisë dhe pasojat e luftës në Ukrainë. Ndërkohë që konflikti vazhdon, tregjet energjetike, të lëndëve të para dhe ushqimeve bazë, po vuajnë mungesa të zgjatura të ofertës, kosto në rritje dhe pasiguri të larta në formimin e pritjeve inflacioniste.
Presionet e shtuara nga çmimet e huaja kanë kontribuuar në prirjen rritëse të inflacionit të importuar, në tremujorin e dytë të vitit. Inflacioni i importuar kontribuoi me 3.4 pikë përqindjeje në inflacionin total, ndërkohë që përmes kanaleve indirekte, presionet rritëse të tij kanë shtuar edhe kontributin e inflacionit të brendshëm, në të njëjtin tremujor.

Yield-et e Bonove 12-mujore, në nivelin më të lartë që nga viti 2015
Tregu primar i instrumenteve të borxhit të qeverisë shqiptare është segmenti ku rritjet e normës bazë reflektohen më shpejt dhe kjo dëshmohet më së miri nga rritja e dukshme e yield-eve në muajt e fundit. Në mesin e muajit gusht, Bonot me maturim 12- mujor (instrumenti me frekuencën më të shpejtë të emetimit në tregun primar) u emetuan me një yield mesatar të ponderuar prej 3.47%, nga 3.04% në ankandin e mëparshëm, në fillim të muajit gusht. Tashmë, yield-et e Bonove 12-mujore kanë arritur nivelin më të lartë që prej prillit të vitit 2015.
Që nga muaji mars e në vazhdim, kërkesa e tregut për instrumentet e borxhit të qeverisë shqiptare ka qenë e paqëndrueshme, duke nxitur edhe më shumë rritjen e yield-eve, të orientuar nga ndryshimi i kursit të politikës monetare. Kjo ka bërë që në shumë ankande, Ministria e Financave të mos sigurojë dot të plotë shumën e siguruar për financim.
Megjithatë, për shkak se deri tani, buxheti ka qenë në suficit, kjo nuk ka krijuar probleme shumë të mëdha në administrimin buxhetor. Por, në gjysmën e dytë të vitit, historikisht shpenzimet rriten dhe buxheti orientohet drejt deficitit, ndaj pamundësia për të siguruar financimin e planifikuar mund të krijojë probleme për menaxhimin buxhetor.
Rritja e shpejtë e normave të interesit të letrave të borxhit të qeverisë po sjell rritje të shpejtë të kostos së huamarrjes për qeverinë shqiptare, por së shpejti ky efekt do të ndihet edhe në sektorin privat. Kreditë afatgjata në lekë kryesisht janë të kuotuara mbështetur në yield-et e Bonove të Thesarit dhe interesi i kredisë rivlerësohet të paktën një herë në vit, për të reflektuar lëvizjen e yield-eve. Huamarrësit, që kanë rivlerësimin e normës së interesit, në këtë periudhë do të përballen me shtrenjtim të dukshëm të kësteve të kredisë. Kjo rritje e shpejtë e shpenzimeve për interesa mund të ketë ndikim të rëndësishëm, në ecurinë e konsumit të sektorit privat, por edhe në cilësinë e portofolit të kredisë së sektorit bankar.

Rritja e interesave, sa po i shtrenjton këstet e kredive
Zakonisht, treguesi më i përdorur si benchmark (normë reference) është yieldi-i i Bonove të Thesarit 12-mujore, së cilës i shtohet një marzh fiks interesi. Norma totale e interesit të kredisë rishikohet me frekuencë të përcaktuar në kontratë, minimalisht një herë në vit, për të reflektuar ecurinë e yield-eve të Bonove.
Për të vlerësuar efektin e kësaj rritje, mund t’i referohemi një shembulli hipotetik.
Një vit më parë, yield-i i Bonove 12-mujore ishte në nivelin 1.77%. Duke i shtuar edhe një marzh fiks interesi prej 2.5%, norma totale e interesit për një kredi hipotekore me interes të ndryshueshëm një vit më parë rezultonte afërsisht 4.3%. Aktualisht, yield-i i Bonove 12-mujore ka arritur në 3.47%. Duke shtuar edhe marzhin fiks të interesit, interesi total i kredisë arrin në afërsisht 6%.
Një familje që ka blerë një pronë, me vlerë 12 milionë lekë, dhe e ka financuar 70% të blerjes me hua bankare, mund të llogaritet se ka marrë një kredi prej afërsisht 8.4 milionë lekësh. Për një afat shlyerjeje prej 25 vjetësh, një vit më parë, me normë interesi 4.3%, kjo familje paguante një këst kredie afërsisht 45,700 lekë në muaj.
Nëse kësaj familjeje do t’i rishikohej interesi sot, me yield-et aktuale të Bonove, do të paguante një interes vjetor total prej 6%, që do të përkthehej në një këst mujor prej rreth 54,100 lekësh. Në raport me një vit më parë, kësti i kredisë rezulton i rritur me 8400 lekë, ose mbi 18%.
Sipas vlerësimeve më të fundit të INSTAT (të vitit 2020) një familje shqiptare ka mesatarisht një buxhet mujor shpenzimesh prej 83500 lekësh. Shpenzimi i shtuar për interesa në një vlerë prej 8400 lekësh përbën më shumë se 10% të buxhetit mesatar mujor të një familje shqiptare.
Megjithëse tipikisht, një familje që paguan një këst kredie në këto nivele, mund të supozohet se ka buxhet mujor më të madh se mesatarja, sërish një rritje e shpenzimeve për interesa me 8400 lekë në muaj është një barrë e konsiderueshme, po të kemi parasysh edhe efektet paralele të inflacionit të lartë. Në këto kushte, familja ose do të konsumojë më pak, ose do të kursejë më pak, për të përballuar shpenzimet shtesë.
Një tendencë e ngjashme po vërehet edhe për kreditë në Euro. Një vit më parë, treguesi i referencës, Euribori 12-mujor, ishte në nivele negative dhe llogaritej zero në përcaktimin e interesit të kredive të ndërtuara mbi të. Duke shtuar një marzh prej 4% (për Euron, marzhet fikse janë më të larta, sepse Euribori ka qenë në nivele shumë të ulëta), një vit më parë interesi total për një kredi me interes të ndryshueshëm në Euro ishte afërsisht 4%. Aktualisht, Euribori ka arritur nivelin 1.12%, që do ta çonte interesin total të kredisë në 5.1%.
Për një kredi me vlerë 70 mijë euro dhe me maturitet 25-vjeçar, një vit më parë kësti mund të llogaritej në 369 euro, ndërsa me normën e sotme të Euriborit, kësti i kredisë do të arrinte në 414 euro. Krahasuar me një vit më parë, vlera e këstit do të rezultonte e rritur me 45 euro, ose afërsisht 12%. Për Euron, rritja e normave të referencës është më e vogël krahasuar me Lekun, por sidoqoftë, rritja e shpenzimeve për interesa është e dukshme, në rastin e kredive me interesa të ndryshueshëm.
Kredia, 60% është afatgjatë
Sipas Bankës së Shqipërisë, në mesin e këtij viti, sektori bankar kishte një portofol kredie afatgjatë (me maturim mbi 5 vjet), në vlerën e 413 miliardë lekëve, ose 3.5 miliardë eurove. Kredia afatgjatë përbën rreth 60% të stokut të kredisë për ekonominë dhe pesha e saj ka ardhur në rritje në vitet e fundit.
Arsyeja kryesore është zhvendosja e kreditimit nga financimet afatshkurtra për bizneset te kreditë afatgjata për investime, sidomos në pasuri të paluajtshme, nga familjet dhe bizneset.
Kreditë afatgjata jepen pothuajse në të gjitha rastet me norma interesi të ndryshueshme, gjë që do të thotë se i gjithë ky portofol (por edhe një pjesë e madhe e portofolit të kredisë afatmesme, prej 110 miliardë lekësh) do të ndikohet nga rritja e normave të interesit, duke rritur ndjeshëm barrën mbi buxhetet e familjeve dhe bizneseve.
Nëse do të llogarisim efektin e rritjes së normave të interesit, huamarrësit me kredi afatgjata do të paguajnë gjithsej më shumë se 4 miliardë lekë në vit për çdo 1 pikë përqindje rritje në normën e interesit të kredisë.
Herjola Spahiu, Drejtore e Përgjithshme e institucionit financiar NOA dhe menaxhere për shumë vite në sektorin bankar, thotë se rritja e yield-eve do të ndihet shumë shpejt edhe në buxhetet e huamarrësve privatë. Megjithatë, ajo mendon se klientët e sektorit bankar do të jenë në gjendje ta amortizojnë këtë rritje të kostove.
“Pjesa e kredive afatgjata do ta ndiejë shumë efektin, sepse shumica dërrmuese e kredive janë të dhëna me norma të ndryshueshme interesi. Në këto kredi, interesi rregullohet minimalisht një herë në vit, duke reflektuar ecurinë e normës referuese, zakonisht të bonove të thesarit.
Në këtë segment, ndoshta efektet do të fillojnë të ndihen më shpejt, por besoj se edhe bankat do të tentojnë të përdorin mekanizmat e ristrukturimit për t’u ardhur në ndihmë klientëve.
Sidoqoftë, nuk e shoh situatën kaq problematike. Klienti i bankave, në shumicën e rasteve, është edhe më i edukuar financiarisht. Do të dijë të heqë dorë nga shpenzimet e tjera, jo të domosdoshme. Mendoj se institucionet financiare do të dinë si ta menaxhojnë këtë situatë”, – thotë ajo.
Sipas saj, problemi kryesor për huamarrësit mund të jetë më shumë inflacioni i lartë.
“Për individët shoh më shumë problem rritjen e çmimeve, sesa rritjen e normave të interesit. Sepse, barra e rritjes së çmimeve në fund të ditës do të transferohet tek individët. Në këto kushte, sigurisht që edhe tregu i kredisë konsumatore do të preket. Një sfidë më vete është kriza energjetike. Nëse do të kemi shtrenjtim të energjisë, ose edhe mungesë të saj, do të shkaktojë goditje në ekonomi, por edhe pakënaqësi dhe rreziqe për stabilitetin”, – thotë znj. Spahiu.
Rritja e interesave, sinjale reflektimi edhe te depozitat
Përgjithësisht, përcjellja e sinjaleve të politikës monetare tek normat e interesit të depozitave, mund të pritet që të jetë disi më e ngadaltë. Një arsye është se sektori bankar në tërësi është mjaft likuid dhe, të paktën në nivel sistemi, nuk perceptohet ngut për të rritur normat, me qëllim tërheqjen e sa më shumë depozitave. Por, rritja e yield-eve të instrumenteve ku investohen depozitat dhe konkurrenca në tregun bankar sërish do të ushtrojë gradualisht trysni për rritjen e interesave të depozitave.
Po t’u referohemi statistikave në nivel sistemi, në muajt e fundit vërehen sinjale të rritjes së normave të interesit të depozitave me afat. Sipas Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit të depozitave me afat, për të gjitha maturitetet, në fund të qershorit ishte 0.96%, nga 0.7% në fund të tremujorit të parë dhe në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Megjithëse sektori bankar në tërësinë e vet është mjaft likuid, rritja e yield-eve të instrumenteve të borxhit të qeverisë (dhe në vijim edhe e kredive) iu jep bankave stimuj për të tërhequr më shumë depozita nga publiku.
Sipas Shoqatës së Bankave, në mesin e këtij viti, raporti mes kredive dhe depozitave në nivel sistemi është mjaft i ulët, në nivelin 44.9%. Por, ky raport ka diferenca shumë të mëdha mes bankave. Raporti fillon nga 23.9% për BKT, deri në 111% për ProCredit Bank. Tashmë që normat e interesit me të cilat investohen aktivet janë qartësisht drejt rritjes, sidomos bankat e vogla dhe të mesme, mund të tentojnë të ofrojnë interesa më konkurruese edhe për depozitat.
Për më tepër, sezoni veror është një periudhë që shoqërohet me flukse në rritje të depozitave bankare dhe zakonisht, bankat ofrojnë interesa më të larta, për të tërhequr sa më shumë nga ky fluks. Edhe në këtë sezon veror nuk mungojnë ofertat për depozita, apo llogari kursimi, me norma interesi ndjeshëm më të larta nga ato që bankat kanë ofruar në vitet e fundit.

Inflacioni i lartë po ndikon aftësinë paguese
Mikrofinanca është një segment i tregut, ku efektet e inflacionit të lartë mund të fillojnë të ndihen më shpejt. Ky segment i shërben në përgjithësi një segmenti më pak të formalizuar të tregut dhe me rrezik më të lartë. Përgjithësisht, kredia në tregun e mikrofinancës është afatshkurtër dhe me norma fikse interesi.
Kjo bën që efekti i rritjes së normave të interesit të mos përcillet direkt në portofolin ekzistues. Por, nga ana tjetër, inflacioni i lartë tkurr aftësinë paguese dhe kjo mund të reflektohet më shpejt në cilësinë e portofolit të kredisë së këtyre institucioneve.
Efektet e para kanë nisur të ndihen sidomos në segmentin e mikrofinancës konsumatore.
“Për sa i përket aftësisë paguese të klientelës së mikrofinancës, mund të themi që është vënë re përkeqësim i lehtë i cilësisë së portofolave të kredisë, por duke mbetur përsëri në nivelet standarde të industrisë. Ne jemi në monitorim të vazhdueshëm të sjelljes së klientëve tanë për sa i përket korrektësisë dhe mundësisë së tyre për të paguar detyrimet në kohë dhe synojmë të marrim në kohë masat e nevojshme, në mënyrë që të mos i vëmë në vështirësi financiare ata”, – thotë Ervin Peçuni, Drejtor i Financës në Iute Credit Albania.
Sipas tij, kërkesa për kredi ende nuk është ndikuar shumë nga situata inflacioniste.
“Deri tani, mund të themi që Mikrofinanca nuk është ndikuar ende nga ulja e kërkesës për kredi dhe kjo besoj është e lidhur direkt me tendencën në ulje të normave të ofruara për produktet e saj, por, duhet të kemi kujdes me lëvizjet e radhës, si një përgjigje ndaj rritjes së normave të interesit në treg”, – thotë ai.
Ndërkohë, znj. Spahiu nga NOA thotë se konsumatori është prekur shumë nga inflacioni dhe në shumicën e rasteve, efektet e inflacionit nuk janë reflektuar në indeksimin e pagave. Rrjedhimisht, fuqia blerëse e konsumatorëve ka rënë.
“Deri tani, nuk ka pasur luhatje të mëdha të kërkesës për kredi, por megjithatë, në disa sektorë vërehen sinjale ngadalësimi. Për shembull, ka një frenim në sektorin e veshmbathjeve, njësoj si në periudhën e pandemisë”, – shprehet znj. Spahiu.
Për sa i takon cilësisë së portofolit të kredisë, ajo shprehet se goditja mund të jetë më e vonuar te mikrofinanca.
“Te klientët e mikrofinancës, ndonjëherë është e vështirë të vlerësohet plotësisht aftësia paguese. Këtu ka më shumë informalitet mes klientëve dhe ndoshta ka edhe një prani më të madhe të remitancave, që mund ta zbusin disi goditjen inflacioniste. Nga ana tjetër, edhe këstet përgjithësisht janë më të vogla. Ne kemi edhe elasticitetin e ristrukturimit, që e ofrojmë sa herë që nevojitet për të gjetur zgjidhje”, – thotë ajo.

Norma tavan e vë mikrofinancën në presion të dyfishtë
Herjola Spahiu, nga NOA, thotë se sektori i mikrofinancës ka filluar ta ndiejë efektin e rritjes së normave të interesit në linjat e reja të financimit. Duke qenë se këto institucione nuk mund të mbështeten në depozitat e publikut, ato e ndiejnë më shpejt efektin e rritjes së normave të interesit në tregjet financiare dhe në koston e sigurimit të fondeve.
Sipas saj, kjo situatë do të sjellë gradualisht frenim të oreksit për rrezik dhe ngadalësim të ritmeve të huadhënies në këtë sektor.
“Ne e kemi ndier në momentin e linjave të kredisë që po marrim, me norma interesi pak më të larta se ato që merrnim më parë. Në linjat e financimit i marrim kryesisht në Euro dhe ka një pritshmëri të qartë në tregjet ndërkombëtare për rritje të normave të interesit.
Në thelb, rritja e normave të interesit do të transferohet te konsumatori, sepse është e natyrshme që institucionet financiare duan të ruajnë parametrat e tyre të përfitueshmërisë. Ne ende nuk kemi aplikuar rritje, por kemi filluar t’i përgatitim klientët se kreditë që mund të marrim në të ardhmen, mund të jenë më të shtrenjta”, – thotë znj.Spahiu.
Nga ana tjetër, edhe kostot operative të kompanive po rriten. Sipas saj, këtë vit, kostot e kompanisë janë rritur me 12-13% krahasuar me një vit më parë. Rritja e kostove është e lidhur kryesisht me pagat e stafit, qiratë e ambienteve, pajisjeve elektronike, etj.
“Rritja e kostove mund të sjellë një lloj frenimi të oreksit për rrezik dhe të ritmeve të huadhënies, sepse nuk është e lehtë ta transferosh rritjen e kostove te klientët. Në fund të fundit, një nga qëllimet e rritjes së normave bazë të interesit është ngadalësimi i kredidhënies. E njëjta gjë do të ndodhë edhe në mikrofinancë”, – shprehet ajo.
Edhe Ervin Peçuni, nga IuteCredit, thotë se ndikimi kryesor dhe më i drejtpërdrejtë pritet të jetë rritja e kostos së fondeve dhe në përgjithësi, do të jetë e pashmangshme që kostot e shtuara të përcillen te klientët.
“Kosto e fondeve është një element që ka qenë gjithmonë në fokus të Institucioneve Mikrofinanciare, me synimin për të shkuar drejt uljes së saj, gjë që tani do të jetë edhe më e vështirë. Nga një këndvështrim tjetër, tendenca në rritje e normave të interesit edhe në tregun bankar mund të shihet si faktor që do të çojë në drejtimin e klientelës së bankave drejt tregut të Mikrofinancave, si një alternativë më e pranueshme, por kjo gjithmonë do të jetë e mundur vetëm nëse Mikrofinancat e absorbojnë vetë koston në rritje të fondeve, duke pranuar marzhe në rënie të fitimeve.
Në përgjithësi, rritja e normave të interesit mund të pranojmë se do të sjellë kosto më të larta kreditimi të reflektuara te klienti fundor, individi apo biznesi, cilido qoftë ai dhe, si rrjedhojë, mikrofinanca nuk do të ketë mundësi të ketë ndikimin e dëshiruar pozitiv në treg, në një masë më të gjerë klientësh”, thotë z. Peçuni.
Përveç rritjes së kostove dhe të normave të interesit, mikrofinanca prej këtij viti po përballet edhe me rregullat e reja, që përcaktojnë aplikimin e një norme tavan interesi për kredinë konsumatore. Në kushtet kur interesat po rriten, norma tavan e interesit e bën të kufizuar mundësinë për të ruajtur marzhet e institucione financiare.
“Mendoj se është tashmë një problem. Me normat e reja që u publikuan në mesin e këtij viti, sidomos në intervalin nga 200 mijë deri në 2 milionë lekë, për ne bëhet e vështirë të konkurrojmë me sektorin bankar, që ka kosto shumë më të ulët të fondeve.
Është e vështirë, sidomos për ato segmente ku ka informalitet të lartë, mbi të gjitha te fermerët. Një fermer që nuk ka NIPT, ne jemi të detyruar ta trajtojmë si individ në huadhënie. Ndërkohë që ai ka një aktivitet bujqësor, kredia jepet sipas kritereve të kredisë individuale. Sidomos për këto raste, është e vështirë të japësh kredi me limitet e vendosura dhe norma tavan ka filluar të japë efekt edhe pa llogaritur rritjen e inflacionit dhe të normave të interesit”, – thotë znj. Spahiu.
Peçuni, nga IuteCredit, shprehet se në situatën aktuale ndoshta të gjitha institucionet financiare, përfshi bankat, do të duhet të pranojnë marzhe më të ulëta, nëse duan të ruajnë apo të nxisin më tej kërkesës konsumatore për kredi.
“Është fakt që kjo periudhë e vështirë është shoqëruar me norma në rritje, jo vetëm të interesave, por ka filluar me një normë në rritje të inflacionit dhe rritje të gjithanshme të çmimeve për të gjitha produktet. Si rrjedhim, pavarësisht politikave që institucionet e mikrofinancës do të ndjekin për të arritur ruajtjen e marzheve të nevojshme për produktet e tyre, ajo që duhet të na shqetësojë më shumë është se kjo rritje dhe transferim i kostove në konsumatorët finalë do të çojë në një pikë ku do të kemi tkurrje të nismës dhe kërkesës për kredi.
Mendojmë që tregu financiar, si ai bankar dhe ai i mikrofinancave do të duhet të pranojë marzhe më të ulëta të fitimeve, me qëllimin e vetëm atë të vazhdimësisë afatgjatë dhe të nxitjes së kërkesës së konsumatorëve për kredi”, – thotë ai.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.