Fatura e shumëfishtë

12/05/2017 3:46 PM 0 komente

Mungesa e standardeve të sigurisë ushqimore ka krijuar një faturë të shumëfishtë për shqiptarët. Urgjencat nga helmimet kanë arritur në 18 mijë gjatë një viti në QSUT, teksa dieta ushqimore është shkaktare në masën 70% për nivelin e sëmundjeve në vendin tonë.
Fermerët shqiptarë penalizohen me gati 100 milionë euro të munguara në një vit nga bllokimi i eksporteve të produkteve blegtorale dhe mijëra biznese do të duhet të përballen me falimentin, pasi nuk do të mund të ofrojnë siguri në standarde nëse hapen negociatat në BE.
Ekspertët japin alarmin. Situata është emergjente

 

Blerina Hoxha

Tek Uzina Dinamo pranë zonës së Medresesë në Tiranë, ndodhet një nga pikat më të mëdha të shitjes me pakicë dhe shumicë të frutave dhe perimeve. Kushtet në të cilat tregtohet nuk janë dinjitoze as për një vend afrikan, por megjithatë ky treg sot është furnitori kryesor i kryeqytetit me perime, pasi shet me pakicë për qytetarët, por edhe me shumicë për dyqanet më të vogla. E nisëm me këtë treg, pasi ka një histori të veçantë. Prishja e tij në vitin 2014 përbën një nga precedentët e paktë kur politika e të gjitha krahëve u bashkua në një vendimmarrje.

Bashkia e Tiranës, në vitin 2013, kur drejtohej nga Lulzim Basha, lëshoi urdhër për prishjen e tregut, i cili në atë kohë ishte nga më të mirët në Tiranë, i mbuluar, i rrethuar mirë, me çezma me ujë të rrjedhshëm, me tualete të posaçme, i shtruar me pllaka etj. Tregtarët dolën në protestë kundër vendimit, por Bashkia e Tiranës në atë kohë mori mbështetjen e qeverisë, pasi forcat e rendit dhe ato të INUK-ut ndihmuan policinë bashkiake që tregu të prishej përfundimisht. Ish-nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo, tha në atë kohë se tregu po prishej, pasi zona ishte e ndotur nga prania e cianurit pranë tregut. Siç u pa më vonë, tregu u prish me forcë për të populluar magazinat e reja që ishin ndërtuar në autostradën Tiranë–Durrës, poshtë mbikalimit të Kamzës. Sot, tre vite më vonë, tregtarët dhe tregu i Uzinës Dinamo janë po aty dhe shesin në kushte tejet të papranueshme, mes inerteve dhe mbeturinave në mes të një katrahure ku shiten edhe rroba të përdorura.

Ky është një shembull se si siguria ushqimore u përdor si fasadë për prishjen e tregut dhe për interesa krejt të tjera.
Në kushtet kur krizat politike nuk i lënë radhë njëra–tjetrës dhe kostot e të bërit biznes janë rritur përballë një konsumi të dobët, siguria ushqimore cenohet e para thotë Alban Zusi, sot biznesmen në sektorin e agropërpunimit dhe më herët ka qenë zëvendësministër i Bujqësisë me fokus edhe sigurinë ushqimore. Ai thotë se siguria ushqimore e vendit është thuajse e zbuluar nga ana institucionale dhe momentalisht është vetëm në ndërgjegjen e bizneseve. Nga ana tjetër, janë shumë institucione që monitorojnë sigurinë, nuk kanë bashkërendim, burime njerëzore dhe kapacitete të mjaftueshme monetare për të përballuar kontrollet dhe monitorimin e cilësisë së ushqimit.

monitor 780.inddHysni Gurra, inxhinier agrar, ekspert i fushës tha se “ne duhet të kuptojmë rrezikun sesi funksionet normale të trupit tonë, po dëmtohen nga kimikatet inxhinierike të cilat po shkaktojnë një gamë të gjerë problemesh shëndetësorë si: obeziteti, diabeti, kanceri, sëmundjet kardiovaskulare, infertiliteti dhe çrregullime të tjera seksuale. Të gjitha këto nuk të vrasin në një ditë, por është e sigurt që të vrasin”.
Sipas të dhënave nga QSUT, Shërbimi i Infektologjisë menaxhon mesatarisht 20 000 raste në vit, prej të cilave 18 mijë raste janë urgjenca. Kryesisht rastet e urgjencës paraqesin helmime nga ushqimet. Burimet nga QSUT pranojnë se rastet kur pacientët helmohen nga konsumi i ushqimeve janë rritur, për shkak të tendencës për të konsumuar vakte jashtë shtëpisë.

Këto të dhëna reflektojnë pasojat afatshkurtra të pasigurisë ushqimore, por në afate më të gjata, situata lajmërohet dramatike.
Ministria e Shëndetësisë pohon si shkaktare të sëmundshmërisë në masën 70% dietën ushqimore. Prevalenca e kancerit në dekadën e fundit është rritur me 70%, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik.
Profesor Kristaq Sinaj, pedagog i Bioteknologjisë, tha se nga të dhënat e literaturës shkencore referohet se vetëm rreth 5% e sëmundjeve kanceroze kanë origjinë gjenetike. Ai shpjegon se pjesa dërmuese e sëmundjeve kanceroze nuk janë të trashëguara, por shfaqen gjatë jetës së njeriut nga kontakti i tij me mjedisin e jashtëm. Ai shtoi se, problematika me kancerin e gjirit, prostatës, kancerit vaginal, kancerit të zorrës së trashë, stomakut, mëlçisë, pankreasit, etj., lidhet më së shumti me konsumin e produkteve ushqimore të trajtuara me hormone dhe pesticide.
Fatura më e rëndë nga mungesa e standardeve të sigurisë ushqimore lidhet me të drejtën për të jetuar që është e drejta më bazike, por nuk është e vetmja. Ekonomia e vendit po dëmtohet rëndë nga ky fakt. Bllokimi i eksporteve për shkak të mungesës së standardeve të sigurisë ushqimore po penalizon bujqit shqiptarë, me së paku 100 milionë euro në vit të ardhura nga eksportet. Alban Zusi pohon se pavarësisht se në Shqipëri ka ferma serioze blegtorale që respektojnë standardet e sigurisë, ato janë të penalizuara në eksport, pasi prodhimet shqiptare nuk ofrojnë siguri ose më e pakta nuk e vërtetojnë dot sigurinë që ofrojnë.

Mungesa e standardeve në sigurinë ushqimore krijon edhe një deformim të thellë në konkurrencën e ndershme, pasi produktet e manipuluara dalin në treg me kosto më të ulët, duke konkurruar në mënyrë jo të ndershme edhe në bizneset serioze.

Pasiguria ushqimore 5Fermat, jashtë fokusit të kontrolleve për pesticidet

Fermerët në Krutje të Lushnjës i spërkasin bimët e serës një ditë po e një ditë jo me pesticide. Ambulanca shkon në fshat gati përditë duke transportuar fshatarët që shpesh helmohen, duke mjekuar bimët me pesticide. Ata na pohojnë se nuk kanë rrugë tjetër. Pesticidet janë të skaduara dhe kontrabandë në të shumtën e rasteve dhe si të tilla nuk është se e bëjnë punën mirë. Ata bëjnë spërkatje 15-16 herë për një kulturë në serë nga dy-tre herë që pranojnë protokollet e trajtimit të bimëve.

Perimet e serës janë të mbytura me kimikate. Ish-zëvendësministri i Bujqësisë, Alban Zusi, thotë se fermerët shqiptarë nuk e respektojnë protokollin e trajtimit të bimës dhe nuk kanë një regjistër për këtë qëllim. Zusi thotë se rregulli e do që fermerët të mbajnë një regjistër ku të kenë të shënuar mjekimin e bimëve. Drejtoritë e Bujqësisë duhet të kontrollojnë regjistrat, por ato nuk e kryejnë këtë funksion. Aktualisht vetëm këshillojnë. Institucione të tjera që kontrollojnë në këtë aspekt nuk ka. Ndaj pesticidet dhe hormonet përdoren për fruta dhe perime pa asnjë kontroll. Ekspertët japin alarmin se, pesticidet që përdorin fermerët shqiptarë në vetvete nuk kanë standard dhe se, shpesh ka disa syresh që futen kontrabandë në vendin tonë dhe që nuk lejohen të përdoren në ato të BE-së.

Eksperti Gurra thotë se prodhimet në tregjet maqedonase apo greke, që importohen për llogari të tregjeve tona, mollë apo perime, kanë një etiketë, ose një kod, që është certifikata e frutës që siguron gjurmimin nga pas të kokrrës së mollës deri në fermën ku ajo është prodhuar. Kjo është ndjekja ose gjurmueshmëria e produktit. “Në Shqipëri, ti nuk e di nga vjen, kush e ka prodhuar dhe me çfarë është ushqyer bima që ka prodhuar atë frutë. Konsumatori shqiptar mundohet të identifikojë origjinën e produktit nga dialekti (e folura) e fshatarit. Nëse patatja p.sh., është nga Kukësi, Korça apo Divjaka” tha Gurra.

“Nuk di sa është respektuar karenca (afati që duhet të kalojë për të këputur frutën nga momenti i përdorimit të pesticidit, simulantit… etj.). Në këtë aspekt, konsumatori është në mëshirë të fatit dhe ndërgjegjen e fermerit. Por, kjo është edhe pika më e rrezikshme që cenon sigurinë ushqimore. Plehrat kimike dhe pesticidet janë një e keqe e domosdoshme në bujqësinë konvencionale, dhe unë nuk bëj pjesë te njerëzit që mendojnë se këto nuk duhen përdorur, por duhen respektuar me rigorozitet dhe përgjegjshmëri të larta të gjitha normat”, – shtoi ai.
Bioteknologu Kristaq Sinaj na pohoi se në Shqipëri, ushqimet përmbajnë hormone të ndaluara në vendet e BE-së, si dhe kimikate të tjera të përdorura shpesh jashtë kritereve. Këto kimikate, tha ai, ndikojnë në sistemin imunitar të njeriut, në dëmtimin apo prishjen e rritjes së kontrolluar nga sistemi hormonal, në tjetërsimin e metabolizmit normal dhe të gjeneve përgjegjëse të rrugëve kryesore metabolike, duke pasur si pasojë sëmundje të ndryshme deri në kancer. Që të mbrohemi nga këto rreziqe, kafshët dhe bimët me të cilat ushqehemi, nuk duhet të trajtohen me kimikate për shtim artificial të peshës dhe prodhimit, si dhe të ushqehen dhe mbrohen sipas kritereve, duke respektuar kohën e përdorimit të kimikateve përpara kohës së tregtimit, këshilloi ai.

Blegtoria me shërbim gjysmak veterinar dhe hormone të ndaluara

Përhapja në masë e dermatozës nodulare te gjedhi verën e vitit të kaluar na tregoi se sistemi veterinar nuk i përgjigjet kërkesës, pasi edhe vaksinimi i bagëtive u bë pasi sëmundja kishte marrë dhenë dhe qindra ngordhën nga ky fakt.
Ish-zëvendësministri i Bujqësisë, Alban Zusi, pohon se struktura e kontrollit veterinar në Ministrinë e Bujqësisë është e vjetruar, e pareformuar dhe me burime të pamjaftueshme njerëzore dhe materiale për të garantuar sigurinë në sektorin e blegtorisë në Shqipëri.
Hormonet janë një aspekt tjetër i rrezikshëm në mënyrën se si përdoren në Shqipëri.

Një burrë në moshë pensioni nga malësia e Kukësit, vitin e kaluar shkoi për diagnozë në Britaninë e Madhe, pasi për një periudhë disajavore masa trupore iu trefishua. Mjekët i thanë se trupi i tij ishte në efektin e hormonit Boldemec, i cili përdoret për shëndoshjen e kafshëve. I moshuari është kujtuar se pak javë para se të shëndoshej, kishte konsumuar një vic nga atë të shtëpisë së tij. Plaku e kishte injektuar në qafë të viçit hormonin Boldemec, por viçi nuk ishte shëndoshur. Më pas ai kishte ndryshuar planin duke e therrur bagëtinë dhe më pas e ka konsumuar me familjen shumë shpejt pasi i kishte bërë gjilpërën. Tani i moshuari do të vuajë pasojat e mbipeshës deri në fund të jetës së tij për shkak të këtij veprimi.
Bioteknologu Sinaj thotë se, në vendet ku lejohet përdorimi i hormoneve për rritjen e prodhimit të qumështit dhe mishit, ka norma të caktuara të mbetjeve të tyre. Por, nga njëra anë, saktësia dhe ndjeshmëria e analizave për sasitë e vogla të hormoneve dhe nga ana tjetër, pasiguria në nivelin e ndikimit hormonal, kanë lënë shumë për të dëshiruar. Këto janë dy arsyet ku bazohet vendimi i BE-së për ndalimin e përdorimit të tyre dhe importit të mishit hormonal. Nga ana tjetër, sado e vogël qoftë mbetja e hormoneve të përdorura në mish apo në qumësht, ajo mund t’i shtohet sasisë së hormoneve që natyrshëm i ka çdo njeri. Dhe efekti mund të jetë i ngjashëm me rastin e rrëkesë që derdhet vetëm nga një pikë ujë e shtuar në gotën apo fuçinë e mbushur plot. Kjo është edhe arsyeja e tretë e vendimit të BE-së.

Ai tha se në Shqipëri, jo vetëm që importohet mish hormonal, por hormonet tregtohen dhe përdoren lirisht nga blegtorët. Ai këshillon se, “fatmirësisht nuk përdoren kudo, prandaj në mënyrë urgjente duhet etiketimi dhe nuk është vonë për të reaguar ndaj përdorimit të tyre. Hormonet e përdorura te gjedhët, nuk përdoren te pulat dhe derrat, sepse nuk sjellin përfitim ekonomik, kurse antibiotikët përdoren te të tre llojet, për të njëjtat arsye të përfitimit nëpërmjet shtimit të rritjes”.

Fatura për eksportet

Siguria ushqimore është një nga barrierat më të mëdha tregtare për eksportet shqiptare. Alban Zusi me veprimtari, në sektorin e agropërpunimit, shpjegon se eksportet nuk po diversifikohen për shkak të mungesës së standardeve të sigurisë ushqimore. “Kemi mbetur tek eksportet e perimeve, peshkut, bimëve mjekësore”. Në momentin që do të kemi sistem sigurie ushqimor publik, do të ketë diversifikim dhe dyfishim të eksporteve. Zusi parashikon se siguria ushqimore e pranuar nga BE diversifikon dhe rrit menjëherë eksportet me 100 milionë euro. Ai tha se Maqedonia, në një vit eksporton në Italinë e Veriut 500 mijë qengja, çka i ka rritur ndjeshëm të ardhurat për fermerët e vendit fqinjë. Shqipëria, edhe pse ka raca autoktone, nuk mund të eksportojë produkte blegtorale, pasi fermat tona nuk mbulohen me shërbime veterinare, nuk kanë standarde dhe certifikata të cilësisë në këtë aspekt.

Zusi thotë se ligji detyron të gjitha thertoret të kenë certifikata për mishin që tregtojnë, por asnjë nuk e zbaton këtë kriter të ligjit. Për më tepër nuk ka asnjë të penalizuar në këtë aspekt. Zusi vë në dukje se mediat kanë zbardhur shumë raste me abuzime të rënda në sigurinë ushqimore, por nuk ka asnjë denoncim në organet e prokurorisë për këto raste dhe nga ana tjetër, asnjë inspektor i AKU-së nuk është ndjekur penalisht se nuk e ka zbatuar ligjin për të cilin paguhet me taksat e shqiptarëve. Ai tha se sistemi i sigurisë në vend nuk funksionon dhe shëndeti i shqiptarëve është i cenuar rëndë. Zusi thotë se, nëse eksporti i produkteve blegtorale do të lejohej, ekonomia fermere do të përmirësohej dhe do të frenonte migracionin e brendshëm nga zonat rurale drejt qytetit dhe riekuilibron ekonomikisht zonat malore e kodrinore, pasi kryesisht këto të ardhura do të shkojnë drejt këtyre zonave. Më tej, ai shpjegoi se ekonomia do të orientohej nga përpunimi në industri të krahut të lirë të punës në industri të mirëfillta prodhuese.
Nga ana tjetër, bizneset e qytetit, kryesisht ndërtuesit, kanë vërshuar të ndërtojnë ferma me kafshë dhe dhi apline në të gjithë vendin dhe në kushtet kur ende eksporti nuk lejohet, ato rrezikojnë falimentin.

Pasiguria ushqimore 6Katrahura institucionale e përgjegjësive

Aktualisht, autoritetet kompetente përfshirë në menaxhimin e politikave të sigurisë ushqimore në Shqipëri dhe zbatimin e legjislacionit në këtë fushë janë: Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit, MBZHRAU, dhe institucionet nën varësinë e saj, kryesisht Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Instituti i Sigurisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Drejtoritë Rajonale të Bujqësisë, Ministria e Shëndetësisë, pushteti vendor.

Eksperti Gurra thotë se, institucionet janë, edhe kuadri ligjor deri diku është mjaft i mirë, por mungojnë burimet financiare, kapacitetet njerëzore (profesionistët) dhe ka me tepri korrupsion. Ai thotë se pushteti vendor, është absolutisht inekzistent në këtë aspekt. Inspektorët e bashkive, agronomët, veterinerët, momentalisht lënë shumë për të dëshiruar nga ana profesionale dhe kanë prirje për korrupsion, shtoi ai. Alban Zusi pohon se, institucionet që me ligj garantojnë sigurinë ushqimore, aktualisht nuk e kontrollojnë as fizikisht territorin në aspektin e sigurisë ushqimore për shkak të kapaciteteve të kufizuara të burimeve njerëzore dhe financiare. Ai thotë se institucionet që ofrojnë sigurinë ushqimore duhet të grumbullohen në një ombrellë dhe të fuqizohen nga aspekti i infrastrukturës në mënyrë që abuzimet të frenohen.
Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk iu përgjigjën kërkesës së “Monitor” për këtë çështje.

Mungesa e standardeve, integrimi mund të çojë bizneset në faliment

Kur Bullgaria dhe Rumania hynë në BE në vitin 2008, shumë biznese u mbyllën përfundimisht ose përkohësisht, për shkak se nuk plotësonin standardet e kërkuara nga BE-ja. Alban Zusi, ish-zëvendësministër i Bujqësisë, sot sipërmarrës në agroindustri, mendon se e njëjta gjë do të ndodhë në mënyrë të pashmangshme edhe në Shqipëri. “Në momentin që Shqipëria do të hyjë në BE, prodhuesit vendas ose do të bllokojnë prodhimin, ose duhet të bëjnë investime të rëndësishme, që nuk dihet nëse do të mund t’i përballojnë dot, për shkak të kostove të larta”.
Sipas raportit të fundit të progresit të Bashkimit Europian, sistemi në fazë të hershme i sigurisë ushqimore do t’i vërë prodhuesit shqiptarë veçanërisht ata joeksportues, para detyrimit të investimeve të mëdha dhe të menjëhershme në momentin e imponimit të këtyre masave nga BE, çka do të ulte aftësinë e tyre për investime në konkurrueshmëri për së paku dy-tre vite.

Sektori i përpunimit të qumështit, industria që përpunon fruta-perime (p.sh., fërgesa, specat apo kastravecët turshi), industria e prodhimit të mishit të pulës dhe ajo e ëmbëlsirave, që përdor qumësht e vezë pritet të jenë më të goditurat, pasi do të vihen para detyrimit të investimeve të mëdha dhe të menjëhershme në momentin e imponimit të masave të sigurisë ushqimore nga BE.
Mbikëqyrësit e BE-së konfirmojnë shqetësimin e ekspertëve shqiptarë se siguria ushqimore do të jetë më problematikja në procesin e integrimit të vendit.

Sipas raport-progresit 2015 të Bashkimit Europian për Shqipërinë, në përgjithësi, nuk janë ndërmarrë ende procedurat e brendshme dhe planet operative të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Nuk janë ndërmarrë hapa për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe institucional për sistemin e sigurisë ushqimore, duke ndarë përgjegjësitë dhe duke vendosur bashkëpunimin mes institucioneve të ndryshme. Rregullat e organizimit, funksionimit dhe procedurës së Komitetit Shkencor dhe Paneleve nuk janë përfunduar ende.

Në lidhje me rregullat e sigurisë ushqimore, raporti thekson se nuk është bërë progres në përshtatjen e rregullores për etiketat e ushqimeve, materialet që janë në kontakt me ushqimet dhe papastërtitë, në lidhje me ‘acquis’ përkatëse. Frekuenca e monitorimit mikrobiologjik e qumështit të papërpunuar duhet të rritet në linjë me rregulloret në fuqi dhe duhen përshpejtuar masat që i detyrojnë prodhuesit të përshtasin praktikat e mira të higjienës në lidhje me prodhimin e qumështit më të sigurt.

Shërbimi veterinar është i fragmentuar, me procedura të paqarta dhe burime të kufizuara humane dhe financiare. Të dhënat për kafshët nuk përditësohen rregullisht, për shkak të mungesës së raportimit të lëvizjeve. Edhe raportimi i sëmundjeve duhet të përmirësohet.
Sipas raportit nuk është bërë progres as në politikat fitosanitare dhe as në kontrollin e organizmave të dëmshme, farave dhe sektorin e shumimit të bimëve. Përkundrazi, së fundmi, fermerët po ankohen për cilësinë e dobët të kimikateve dhe farave, çka po i detyron ata të mbjellin për së dyti prodhimet. Sidomos tregu i plehrave kimike në vend mbetet ndër më të pakontrolluarit dhe, vitin e fundit, ka pasur zhvendosje të importeve, ku Indonezia dhe Argjentina dolën në skenë për herë të parë në 2015-n, si destinacionet kryesore nga importohen plehrat organikë. Fermerët, nga ana e tyre, ankohen se ndonëse po i përdorin më shumë kimikatet, nuk kanë rezultat. Nëse vendi do të kishte përshtatur standardet e BE-së dhe cilësia e plehrave do të ishte e kontrolluar, ndoshta fermerët nuk do t’i kishin këto probleme.

Ndërsa zbatimi i standardeve të BE-së do t’i vërë bizneset nën presion për shkak të domosdoshmërisë së kryerjes së investimeve, për konsumatorët efektet do të jenë pozitive. Rregullat e higjienës së BE-së për prodhimin e produkteve ushqimore garantojnë nivel të lartë të sigurisë ushqimore. Shëndeti i kafshëve dhe siguria e ushqimeve me prejardhje shtazore kontrollohen së bashku me cilësinë e farave, materialet e mbrojtjes së bimëve, organizmat e dëmshme dhe ushqimin e kafshëve.

monitor 780.inddSëmundjet me origjinë nga ushqimet

Sëmundjet me origjinë nga ushqimet janë zakonisht me natyrë infektive ose toksike. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, ato shkaktohen nga bakteret, viruset, kërpudhat, prionet, parazitët ose substancat kimike që hyjnë në organizëm nëpërmjet ushqimit ose ujit të ndotur. Këto sëmundje akute me origjinë nga ushqimet (shpesh quhen helmim ushqimor) shkaktohen rëndom nga ngrënia e ushqimit të kontaminuar nga bakteret, si p.sh. Nga Salmonella, Campylobacter, Clostridium perfringens, Staphylocoçus aureus, Bacillus cereus ose Escherichia coli (E. coli), ose nga një virus, si p.sh., norovirus.

Nëpërmjet ushqimit përhapen më shumë se 200 sëmundje të shkaktuara nga mikroorganizma (baktere, viruse, kërpudha, prione, parazitë), substancë kimike ose edhe agjentë fizikë. Simptomatologjia e këtyre sëmundjeve varion nga simptoma akute dhe/ose kronike, dhe nga diarreja në kancer. Në planin global, sëmundjet me origjinë nga ushqimi vrasin çdo vit 2 milionë njerëz, shumë prej të cilëve janë fëmijë. Në vitin 2013, pati më shumë se 310.000 raste të sëmundjeve me origjinë nga ushqimet të raportuara vetëm në Bashkimin Europian të cilat sollën 322 vdekje. Çdo vit, në BE raportohen më shumë se 85.000 raste salmoneloze, me një kosto prej më shumë se 3 miliardë eurosh. Epidemia e Escherichia Coli enterohemorragjike e vitit 2011 në Gjermani dhe Francë, që lidhej me filizat e ndotura të bimës trigonella foenum-graecum, çoi në 4000 raste në 16 vende, duke përfshirë 908 raste të sindromës së uremisë hemolitike, 55 vdekje, si dhe në humbje të vlerësuara prej 1,3 miliardë dollarësh për fermerët dhe industrinë.

Sipas ISHP-së, njerëzit që jetojnë në varfëri janë më të pambrojturit nga rreziqet ndaj shëndetit me prejardhje nga ushqimet, por ndryshimet demografike dhe mjedisore, si p.sh., plakja e popullsisë, migracioni në rritje, emergjencat, ndryshimet klimatike dhe ngjarjet e jashtëzakonshme të motit – po vënë në rrezik gjithmonë e më shumë popullsinë. Ndryshimet në stilin e jetesës, – duke përfshirë urbanizimin, udhëtimet, ngrënien e më shumë ushqimeve jashtë shtëpisë dhe prirjet e reja ushqimore – po rrisin rrezikun ndaj sëmundjeve me origjinë nga ushqimet. Gjatë dekadave të fundit janë shënuar sfida të reja ndaj sigurisë ushqimore.

Globalizimi i tregtisë së ushqimeve dhe kafshëve e ka zgjeruar gamën e ushqimeve në dispozicion të konsumatorëve dhe paraqet shanse për vendet eksportuese. Megjithatë, ai e bën zinxhirin e ushqimit më të gjatë e më kompleks duke krijuar një mjedis ku sëmundjet me origjinë nga ushqimet bëhen kërcënim dhe mund të përhapen më lehtë, duke lehtësuar transmetimin e patogjenëve në distancë. Problem gjithmonë e më i madh i sigurisë ushqimore po bëhet dhe Rezistenca Antimikrobiale që duhet të trajtohet në vijim. Për shembull, në vendet e BE-së, Salmonella dhe Campylobacter tregojnë një nivel të lartë rezistence ndaj antimikrobialëve të përdorur te njerëzit dhe kafshët.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of