Ankohet për taksat, për krizën dhe për ligjet e shtetit, por sot biznesi i vogël po kthehet në shkaktarin kryesor të informalitetit në vend dhe mungesës së të ardhurave në buxhet
I mbajtur me hatër se është “i vogël”, si në aspektin e taksave, të politikave fiskale, të tolerimit me gjobat, e madje dhe me procesin e kasave, ku qeveria u rimbursoi shpenzimet për blerjen e pajisjeve, sot kategoria e subjekteve me xhiro vjetore deri në 5 milionë lekë po kthehet në makthin e të mëdhenjve.
Për të shmangur detyrimet e tepërta dhe për tu mos u futur në skemën e TVSH-së, biznesi i vogël nuk pranon faturë të lëshuar nga subjekti i madh për mallra të ndryshme. Përpiqen ta kryejnë blerjen me para në dorë, mundësisht pa faturë, duke bërë madje dhe presion se përndryshe nuk merr furnizim, kurse i madhi, në kushtet e nevojës për të shitur, pranon nga halli. Kjo situatë nuk është e re. Për vite të tëra subjektet furnizuese me shumicë kanë vuajtur nga fenomeni i informalitetit tek i vogli, ndërsa si zgjidhje, mallin e shitur pa faturë e kanë shkarkuar duke plotësuar letra me emra dhe blerës të rremë.
Në kushtet e krizës ky raport po bëhet i padurueshëm nga subjektet e mëdha, pasi pas tyre qëndron presioni i adminsitratës tatimore. Këtu nis dhe debati mes ekspertëve dhe grupeve të interesit. Shteti e ka më të kollajtë të kontrollojë “të mëdhenjtë”, kurse të vegjlit përpiqet t’i menaxhojë përmes presionit që ushtron ndaj furnizuesve të mëdhenj. Këta të fundit shprehen se situata po rëndohet më shumë, duke arritur kulmin.
Mënyra se si punon biznesi i vogël dëshmohet nga dhënat zyrtare. Statistikat tregojnë se të ardhurat nga subjektet e vogla, janë në rënie. Po kështu raporton edhe INSTAT në indeksin e shitjes me pakicë. Duke i analizuar të dhënat del se shitjet kanë rënë për njësitë e vogla tregtare të paspecializuara (marketet e lagjeve), kurse për njësitë e specializuara (supermarketet dhe qendrat tregtare), shitjet kishin rënie. Pra, kemi një kontradiktë të dhënash kur të dyja palët punojnë në të njëjta kushte ekonomike të krizës.
Kontradiktat me shitjet
Kriza e shpenzimeve, ose më saktë kursimet, ndihet kudo dhe natyrshëm ka reflektuar të ardhurat në buxhetin e shtetit. Në 12 vjet, nga 2002-shi, të ardhurat nga taksat e biznesit të vogël janë në nivelin më të ulët. Periudha janar-qershor 2012, në raport me vitet e mëparshme, po si 6-mujorë të parë, paraqitet më negativja. Ekspertët kanë dyshime mbi këto të dhëna, duke i referuar problemit të deklarimit të faturave.
A është në të vërtetë biznesi i vogël në krizë, apo ky nivel i ulët i të ardhurave rezulton i tillë nga mosdeklarimi i xhiros, për shkak se operon pa fatura?
INSTAT tregon se, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë në tremujorin e parë 2012 arriti 148.0 për qind, kundrejt vitit bazë (2005=100). Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është ulur 8.3 për qind, ndërsa krahasuar me tremujorin paraardhës është ulur 22.5 për qind. Pra kemi një rënie. Tabela na tregon qartë se në cilët sektorë ka rënie të shitjeve. Siç duket, tregtarët e mallrave ushqimorë, ku futet alkooli dhe cigarja, të cilët shërbejnë në dyqane dhe markete të vogla pranë banesave, deklarojnë rënie të shitjeve, si në me tremujorin e mëparshëm (deri diku normale, pasi përkon me periudhën e festave të fundit), por edhe me tremujorin e parë të 2011.
Në total, në grupin “Ushqime,pije,duhan në njësi tregtare të specializuara” indeksi i volumit të shitjeve është ulur 3.6 për qind në këtë tremujor krahasuar me tremujorin paraardhës. Kjo ulje ka ardhur pikërisht nga shitësit e vegjël, që sipas “grosistëve” operon kryesisht pa fatura dhe natyrshëm nuk e deklarojnë të gjithë xhiron në shtet. Nga tabala shikohet se paskemi rënie të shitjeve të mallrave ushqimorë te dyqanet e lagjeve, e thënë ndryshe, dhe jo të qendrave tregtare, ku për të shkuar aty nevojitet një mjet transporti, sikurse nuk kemi rënie të shitjeve për ilaçe, parfume apo të produkteve të kozmetikës, ku furnitorët dhe shitësit kanë marrëveshje më solide operimi. Ky raport nuk shpjegon gjë tjetër vetëm mënyrën informale të të punuarit nga subjekti i vogël, pa shmangur edhe efektet e krizës.
Nikolin Jaka:
Po shtohet evazioni
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës ka shprehur disa herë shqetësimin lidhur me fenomenin në fjalë, atë të moslëshimit të faturave nga ana e bizneseve të vogla. Në fillim, kërkuam që zgjidhja të vinte përmes amnistisë fiskale, e cila të rregullonte tregun dhe vendoste në pozicione të drejta aktorët e sipërmarrjes private.
Gjykoj se do të ishte e vlefshme një vendosje e TVSH për të gjitha kategoritë e bizneseve, pra të voglin etj, sidomos ata që shesin produkte të importit. Pra, të gjithë segmentet e biznesit duhet të jenë në skemën e TVSH-së. Ajo çfarë po ndodh nuk është gjë tjetër vetëm një informalitet, shmangie për të mos paguar taksat dhe nxitje e kontrabandës.
Të ardhura jo realiste?
Të ardhurat e mbledhura nga taksat vendore për periudhën Janar – Maj arritën në 5.8 miliardë lekë nga 7 miliardë lekë të planifikuara, ndërsa kundrejt 5-mujorit të vitit 2011 të ardhurat janë ulur me 509 milionë lekë (rreth -8.1 për qind). Të dhënat në qershor paraqiten më negative. Të ardhurat nga taksa e biznesit të vogël, si 6-mujor i parë regjistruan një nivel prej 1.141 milionë lekë, afro 29 për qind më pak se plani dhe 36 për qind më pak se viti i kaluar, për të njëjtën periudhë.
Grafikët na tregojnë se taksat e biznesit e biznesit të vogël po kontribuojnë negativisht në arkën e shtetit dhe niveli i tyre paraqitet në kuotën më të ulët nga 2002-i, kur kishte një sistem tatimor ndoshta me barrë fiskale më të rëndë. Sot një biznes i vogël quhet ai me xhiro vjetore deri në 8 milionë lekë, por deri këtu kemi tre nën-ndarje: deri në 2 milionë lekë në vit janë ambulantët, deri me 5 milionë lekë në vit janë subjektet e vogla pa TVSH, dhe deri në 8 milionë lekë xhiro vjetore janë biznese të vogla me TVSH. Pas këtij pragu përfshihen te kategoria e bizneseve të mëdha.
“Ushtria” e të vegjëlve nuk po dikton vetëm të mëdhenjtë sa i takon mënyrës së të punuarit, por edhe shifrat ekonomike në tërësi. Biznese, me 1 deri me 4 të punësuar janë rreth 68 mijë në vendin tonë, aktive, duke zënë një peshë prej 91 për qind në raport me totalin. Kjo kategori biznesesh ka të punësuar rreth 102 mijë vetë, duke zënë 38 për qind dhe me xhiro vjetore në 2010 prej afro 207 miliardë lekë. Pra, kemi të bëjnë me një grup të caktuar dhe me peshë në ekonomi.
Agim Binaj, ekspert kontabël dhe njohës i problemeve të biznesit bën përgjegjës sistemin fiskal, por më së shumti fiskalizimin e ekonomisë. “Pse u vendosën kasat fiskale? Për të formalizuar ekonominë dhe për të rritur të ardhurat në buxhet nga deklarimi real i xhiros. Ky është problemi sipas meje”, thotë Binaj.
Konfindustria:
Të futen të gjithë me TVSH
Një nga shkaqet dhe burimet kryesore të informalitetit në ekonominë shqiptare prodhohet nga poshtë lart, pra pikërisht në pikën e prerjes së të ashtuquajturit biznes i vogël. Është pikërisht refuzimi i faturimit nga ana e biznesit të vogël me qëllim të moskalimit të kufirit të xhiros që do ta detyronte ti nënshtrohej skemës së TVSH. Bizneset e mëdha më pas të detyruara për të mbijetuar duhej ta fshehin duke krijuar flukse informaliteti të mëdha në ekonomi me gjithë pasojat e dëmshme, në shumë drejtime si korrupsion, goditje e konkurrencës së lire dhe de facto rënie institucionesh.
Konfindustria i ka paraqitur vazhdimisht ekzekutivit shqiptar, mënyrën më të mirë, e cila do të ishte shtrirja e plotë e TVSH në gjithë biznesin duke fshire kufirin e xhiros me përjashtime të rralla ose të përcaktohej një xhiro e arsyeshme në kufijtë e xhiros, psh, të 12-14 milionë lekë/vit. Kjo i jep mundësi biznesit të përballojë kostot përkatëse. Mbështetur në të dhënat që vinë pranë Konfindustrise problem kryesor është keqfunksionimi i sistemit të kasave fiskale, që duhet të ishte prita fundore e transaksioneve tregtare të ekonomisë shqiptare.
Flet Xhavid Xurri, ekspert fiskal
Çështje e të administruarit, jo e ligjit
Kur shitësi është person i regjistruar më TVSH dhe blerësi biznesi i vogël që nuk paguan TVSH por vetëm taksë vendore mbi biznesin e vogël, problemi qëndron pak më ndryshe, pasi si teorikisht ashtu dhe praktikisht, të dy palët kanë interesa të njëjta, shitësi i regjistruar më TVSH të mos lëshojë faturë në mënyre që të shmangë pagesën e TVSH dhe të tatimit mbi fitimin, dhe blerësi, biznes i vogël të mos e ketë faturën e blerjes në mënyrë që të mund të fshehe shitjet e tij të mëvonshme. Por që të ndodhe kjo duhet vullneti i keq i të dy palëve për të shkelur e për të mos respektuar ligjin. Faturat e lëshuara nga shitësi deklarohen një për një në administratën tatimore, gjë që do të thotë se kjo e fundit e ka informacionin e duhur për kontroll tek subjektet biznese të vogla që nuk kanë pranuar të marrin faturën. Në rastin e një kontrolli tatimor një biznes i vogël që nuk deklaruar faturën e blerjes (sepse nuk e ka marrë atë nga shitësi), nuk ka deklaruar as shitjet e tij e për pasojë ai bëhet pre e penaliteteve të rënda dhe i masave të tjera shtrënguese të administratës tatimore. Problemi në fjalë unë mendoj se në thelb nuk ka të bëjë me ligjin dhe as nuk mund te zgjidhet duke bërë ndërhyrje ligjore, ai ka të bëjë me të gjithë strategjinë e administratës tatimore për informimin dhe edukimin e tatimpaguesve, me forcimin e frymës së zbatimit të ligjshmërisë në vend në përgjithësi, me forcimin e kontrolleve fiskale të pakorruptueshëm, të ushtruar mbi bazën e analizës së riskut dhe në mënyrë profesionale.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.