Kosova momentalisht është duke u përballur me një krizë të dyfishtë ekonomike. Krahas energjisë, barrë e rëndë për qytetarët është edhe rritja e çmimit të disa produkteve të konsumit. Faturat me rritje të energjisë elektrike kanë ngjallur reagime të shumta.
Tashmë ka filluar shpërndarja e faturave të energjisë elektrike, të këtij muaji, një pjesë e së cilës është llogaritur me tarifa të reja.
Pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk pranoi kërkesën e KESCO-së që të shtyhet zbatimi i vendimit për muajin mars, kjo e fundit ka përdorur një metodologji për matjen e konsumit për muajin shkurt.
Ardhja e faturave ka ngjall reagim të madh tek qytetarët.
Qytetarët ankohen se faturat janë tejet të larta dhe pothuajse të papërballueshme për një pjesë të tyre.
Në disa fatura që kanë publikuar qytetarët në rrjetet sociale shihet se konsumi është ndarë me tarifa të vjetra dhe të reja.
Por, në njërën nga to shihet se 800 kilovatë janë llogaritur me tarifa të vjetra, ndërsa 1.135 kilovatë janë llogaritur me tarifa të reja, edhe pse për këtë muaj janë vetëm 9 ditë që do të duhej të llogariteshin me tarifa të reja.
“Muajin e kaluar kam paguar 100 euro, tash më ka ardhur me pagu 230 euro shumë është. E papërballueshme është. Rrogë s’ka, një pension e kam. Në banesë jemi aty nuk mundësh me u ngroh me tjetër”, ka thënë një qytetar.
Kurse, një qytetar tjetër ka publikuar faturën e rrymës që i ka ardhur për këtë muaj.
Aty shihet se rryma i është faturuar rreth 500 euro për një muaj.
“Fatura e fundit 489.18€”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.
Lexo edhe këtë: Vendimi për energjinë në Kosovë, tarifat e reja llogariten nga 9 shkurti
Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Ymer Fejzullahu ka konfirmuar se tarifat e reja të rrymës do të hyjnë fuqi që nga 9 shkurti i këtij viti.
Fejzullahu ka theksuar se është detyrë e KESCO-s që ta zbatoj këtë vendim.
“Ne e kemi thënë në mbledhje, por edhe në takimet që kemi pasur me ta që vendimi hyn në fuqi më 9 shkurt. Është detyrë e KESCO-s ta implementojë këtë vendim të Bordit të ZRRE-së”.
Të martën do të mbahet një protestë për kundërshtimin e tarifave të energjisë. Këto protesta i ka quajtur të drejta deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.
Por, i pyetur nëse do të marrin pjesë ka thënë se kjo i takon Kryesisë së LDK-së të vendosë.
“Nuk ka kauzë më fisnike, më qytetare që të kundërshtohet një vendim i tillë me mjete kushtetuese përfshirë edhe protesta për të dalë kundër një vendimi të tillë që është plotësisht i pabazuar. Dhe këtë e kemi kundërshtuar edhe në seancë. Pra, nuk kanë lënë derë tjetër përveç protestave”.
Njohësit e çështjeve ekonomike në Kosovë, thonë se çmimet kanë shënuar rritje gjatë muajve të fundit në Kosovë ku si pasojë e kësaj kanë shtrenjtuar shumë shportën mujore të qytetarëve të vendit.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu dhe kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, thonë se ne këtë kohë qytetarët kanë më se shumti nevojë për zgjatjen e dorës së shtetit.
Gërxhaliu theksoi se zhvillimin ekonomik e kanë e ka ngulfatur çështjet e pazgjidhura në të kaluarën ku në theks ka vënë negociatat me Serbinë, e që sipas tij tani është koha kur në pozita kyçe duhet të vinë njerëz të dijes dhe jo njerëz të partive politike.
E kryetari i AKB-së, Agim Shahini, thotë se Kosova nuk ka strategji zhvillimore dhe energjetikë për të tejkaluar krizën. Tutje ai shtoj se deri para shtrejtimit të rrymes dhe produkteve Kosova ka qenë lidere me çmim më të ulët, kurse tani është lider me çmim më të lartë në Ballkan duke tejkaluar Shqipërinë, Malin e Zi, Bosnjën, Serbinë Maqedoninë dhe Bullgarinë.
ZRRE-ja ka marrë vendim që nga 9 shkurti të hyn në fuqi tarifa të reja, në bazë të së cilave konsumatorët që kalojnë pragun mbi 800 kilovat do të paguajnë 12 centë për tarifën e lartë dhe 5.9 centë për tarifën e ulët, për çdo kilovat të shpenzuar mbi këtë prag.
Lexo edhe këtë: Buka, qumështi, vaji, transporti dhe energjia elektrike u shtrenjtuan më së shumti në Kosovë
Trendi i ngritjes së çmimeve të shumë produkteve, sidomos të produkteve bazike ushqimore në fillimvitin e 2022-tës nuk ndalet fare. Përkundrazi, ka marrë hov edhe më shumë ky trend dhe sikur po garon me vitin 2021, i shquar dhe i vlerësuar si vit rekord i çmimeve të rritura të pothuajse gjitha produkteve dhe shërbimeve. Nuk ka ditë, tani në shkurt, që nuk ndodhin ngritje çmimesh.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për vetëm një vit, çmimet e produkteve më bazike ushqimore e të shërbimeve kanë prekur rekorde të reja në vend. Në raportin më të fundit të ASK-së “Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin janar 2022, shihet se indeksi i tërësishëm i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 0.9% në muajin e parë të vitit 2022, krahasuar me muajin paraprak, pra se në dhjetor të vitit 2021.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.