Autoriteti Portual i Durrësit pritet të tenderojë këtë vit fazën e parë të punimeve për portin e ri të Porto Romanos.
Punimet në këtë fazë kanë kosto rreth 390 milionë euro dhe pritet të përfundojnë brenda vitit 2025, bëjnë me dije burimet nga Autoriteti Portual i Durrësit.
Faza e parë përfshin ndërtimin e terminalit të kontejnerëve, lidhjen me infrastrukturën rrugore, hekurudhore, rrjetin e kanalizimeve, energjisë elektrike dhe furnizimin me ujë.
Në këtë fazë do të ndërtohet gjithashtu një objekt detar, fushëveprimi i të cilit ende nuk është përcaktuar.
Në këtë fazë do të ndërtohen vendbregëzimet, ndërtesat e përbashkëta, ndërtesa e zyrave doganore dhe agjencive të tjera, porta kryesore e portit, objektet e sigurisë dhe mbrojtjes civile, zyrat e kapitenerisë së portit dhe kulla e kontrollit të VTS, nënstacione etj.
APD, me mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë do të sigurojë të gjitha miratimet e nevojshme për të realizuar fazat e tenderimit dhe ndërtimit (nga 2023 e në vijim) në varësi të mundësive financiare.
Përveç përpunimit të mallrave rreth 2 milionë kontejnerë në vit, Porti i ri Porto Romanos parashikohet të përpunojë deri në 1 milionë pasagjerë në vit, edhe pse ky shërbim ishte lënë për tu kryer nga Marina e Jahteve në Durrës.
Autoriteti Portual i Durrësit ka lidhur tashmë një kontratë konsulence me bashkimin e operatorëve “HASKONINGDHV NEDERLAND B.V. – ADEC ENGINEERING CONSULTANCY L.L.C. – ABKONS SH.P.K. -TAULANT SH.P.K. – GEO-ENG SH.P.K.”, për përgatitjen e projektit teknik dhe dokumenteve të tenderit për ndërtimin e Portit të integruar të Durrësit në Porto Romano si edhe pajisjeve/superstrukturës për trajtimin e ngarkesave.
Royal HaskoningDHV që ka punuar për studimin e fisbilitetit për Portin ri në Porto Romano ka finalizuar një kosto totale prej rreth 2 miliardë eurosh për ndërtimin tërësor të portit.
https://www.monitor.al/royal-haskoning-dhv-kosto-e-ndertimit-te-porto-romanos-2-miliarde-euro/
Faza e parë e punimeve pritet të përfundojë në vitin 2025, por i gjithë porti do të përfundojë tërësisht në vitin 2050.
Ndërkohë pala shqiptare ende nuk ka qartësuar formën e financimit të këtij projekti të kushtueshëm dhe strategjik për vendin.
Porti tregtar i Durrësit do të zhvendoset në Porto Romano për arsye se në vend të tij do të zhvillohet një projekt i ri me ndërtesa luksoze dhe një marinë jahtesh, një investim me kompani pjesëmarrëse nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Zhvendosja e shërbimeve tregtare nga Porti i Durrësit në Porto Romano do të bëhet në disa faza për një periudhe rreth 20 vjeçare.
Ndërkohë ky proces ka nxitur pasiguri tek investitorët dhe përdoruesit e Portit të Durrësit, pasi ndërtimi i një porti të ri kërkon investime të mëdha dhe një infrastrukturë krejt të re.
Ndërtimi i portit të ri në Porto Romano do të kërkojë financime të konsiderueshme për zbatimin e plotë të tij dhe vetëm në fazën e parë 390 milionë euro pa TVSH. Të paktën 46% e financimit do të sigurohet nga qeveria dhe 54% nga sektori privat.
Porti i ri në Porto-Romano, faza e parë 390 milionë euro pa TVSH, tenderi hapet në janar 2023
Modeli i një PPP-je në ndërtim duket se do të shtrihet edhe në këtë projekt ndërkohë që edhe operimi do të përfshijë sektorin privat me kontrata specifike një model që e ka aktualisht edhe Porti i Durrësit./B.Hoxha
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.