Që ekonomia vendase i përballoi më lehtë, sesa pritej, pasojat e shkaktuara nga kriza e ekonomisë së Covid-19, ky natyrisht është një lajm i mirë. Shumë tregues po rikthehen në nivelin e parakrizës, ndërsa disa të tjerë i kanë tejkaluar ato, ku më i dukshëm është përmirësimi i eksporteve. Bizneset po rihapen dhe punësimi është gjallëruar. Depozitat shënuan rritje të fortë, duke reflektuar pasigurinë në kohë krize dhe frenimin e konsumit.
Sistemi bankar, për fat të mirë, rezultoi i qëndrueshëm, i mbështetur edhe nga politikat e ndjekura nga Banka e Shqipërisë. Treguesi i kredisë me probleme ka vijuar uljen, duke u reduktuar nën nivelet e parakrizës. Turizmi pritet të jetë i mbarë këtë vit, i nxitur kryesisht nga ardhjet nga Kosova e rajoni, duke i dhënë një stimul tjetër të rëndësishëm konsumit. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) pret që vendi të arrijë nivelet e parakrizës që këtë vit, jo në vitin 2022, kur ishte parashikimi fillestar.
E parë më në detaje, nuk ka shumë vend për t’u gëzuar për performancën e vitit të kaluar. Rënia e kufizuar e PBB, e 2020-s erdhi më shumë si rrjedhojë e ecurisë së mirë të sektorit të ndërtimit dhe të pasurive të paluajtshme, që kishin më shumë lidhje me kanalizimin e parave informale, sesa me ekonominë reale. Paketat mbështetëse direkte ishin më të ulëtat në rajon, me vetëm 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 5% e PBB-së, që ishin p.sh. në Serbi. Borxhi publik ka arritur në nivele të paqëndrueshme, rreth 80% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), duke krijuar pak hapësirë për stimuj të mëtejshëm fiskalë.
Ajo që jep shpresë është elasticiteti i ekonomisë vendase (që është treguar në të gjitha periudhat e vështira të krizave) dhe shpirti sipërmarrës i njerëzve të saj, të cilët arrijnë të mbijetojnë e të gjejnë shtigje të reja, edhe në momentet më të vështira, pikërisht pasi nuk presin mbështetjen nga politikat qeveritare. Ky ka qenë dhe “çelësi” i mbijetesës dhe zhvillimit të vendit në këto 30 vite tranzicioni.
Gjithsesi, mungesa e vizionit dhe e adresimit të problemeve të brendshme strukturore kanë prodhuar një ekonomi jokonkurruese, e mbështetur te vetëpunësimi, me pagat më të ulëta të Europës për të gjithë sektorët, e varur nga importi, edhe për shumë produkte që mund t’i prodhonte vetë, me nivel të ulët të Teknologjisë së Informacionit dhe vlerë të shtuar të ulët të eksporteve të saj.
Tashmë, pas kalimit të situatës së vështirë të krijuar nga Covid-19, është koha për të reflektuar për atë që është bërë gabim këto vite dhe, mbi të gjitha, për të kaluar në një fazë të re të një ekonomie më të strukturuar. Shanset janë aty për një fillim të ri. Shumë kompani në Europë, në kuadër të ristrukturimit pas Covid-19, po kërkojnë të rizhvendosen në vende të tjera, për të rritur eficiencën, dukuri që mund të favorizojë Shqipërinë.
Në fakt, përvoja ka treguar se interesi për Shqipërinë nuk ka munguar ndonjëherë nga investitorët e huaj. Pengesat kanë qenë më shumë të brendshme. Investitorët gjermanë, së fundmi, e renditën Shqipërinë si shtetin më të pafavorshëm për të investuar në rajon. Garën rajonale, deri tani, ia kanë dalë ta fitojnë Serbia dhe Maqedonia e Veriut, që kanë arritur të tërheqin pjesën më të madhe të investimeve (reale) gjermane, europiane dhe globale.
Të gjitha këto konvergojnë në atë që po theksohet fort prej kohësh dhe në fakt duket si “çelësi” i ri i orientimit të ekonomisë: thellimin e reformave strukturore dhe orientimin drejt një modeli të qëndrueshëm zhvillimi.
Në një intervistë të fundit për “Monitor”, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, e vë theksin pikërisht në këtë drejtim: ekonomia do të përfitonte nga adresimi i të njëjtave probleme strukturore, si përmirësimi i mëtejshëm i klimës së biznesit, ulja e informalitetit, rritja e konkurrencës dhe transparencës së biznesit, si dhe nxitja e investimeve vendase e të huaja.
Në kushtet e një konkurrence të fortë rajonale, axhenda jonë e reformave strukturore duhet të orientohet nga prioritete të qarta, të ketë ankora të qëndrueshme politike dhe sociale, si dhe të jetë mjaftueshmërisht fleksibël në terma të instrumenteve operacionale (lexo intervistën në faqet e brendshme të revistës).
Deri tani, vullneti për të nxitur dhe për të orientuar një ekonomi të qëndrueshme ka munguar. Por, tashmë është koha që politikëbërësit ta marrin seriozisht këtë vend të bekuar dhe qytetarët, përpara se pjesa më e madhe e njerëzve të aftë ta kenë braktisur, për mungesën e një të ardhmeje më të mirë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.