Morgan Stanley parashikon një rritje të fortë globale të PBB-së prej 6.4% për vitin 2021 – udhëhequr së pari nga tregjet në zhvillim, ndjekur nga rihapja e ekonomive në SHBA dhe Europë – në një parashikim makro që ndryshon nga konsensusi.
Rritja e numrit të rasteve COVID-19 në SHBA dhe Europë tani e bën të vështirë për të parashikuar një kthim në normalitet. Megjithatë, edhe pse pandemia vazhdon, ekonomia globale është treguar jashtëzakonisht elastike.
Pas një rënieje të mprehtë në fillim të vitit 2020, ekonomia botërore nisi një rimëkëmbje që nisi në maj dhe pritet të tejkalojë nivelet para pandemisë të PBB-së deri në fund të këtij viti – duke vendosur bazën për një rritje të fortë pas rimëkëmbjes në 2021.
Në perspektivën e vitit 2021, ekipi i ekonomistëve në Morgan Stanley Research thotë se rimëkëmbja në formë V-je që ekipi parashikoi nga mesi i vitit 2020, tani po hyn në një fazë të re të qëndrueshme dhe është në rrugën e duhur për të arritur në 6.4% rritje të PBB-së në vitin e ardhshëm.
“Ky projeksion qëndron në kontrast të plotë me konsensusin, i cili parashikon 5.4% rritje globale dhe shqetësimet se pandemia do të ketë ndikim më të madh në nismën e rrezikut të sektorit privat, pra, edhe në rritjen globale”, thotë Chetan Ahya, kryeekonomisti i Morgan Stanley. “Konsumatorët kanë nxitur rimëkëmbjen dhe rritjen e investimeve – një pasqyrim i tolerancës ndaj rrezikut të sektorit privat të korporatave dhe një tipar kryesor i çdo rikuperimi të qëndrueshëm”.
Tre faktorë kryesorë do të karakterizojnë fazën tjetër të rimëkëmbjes në formë V-je, thotë Ahya: rritja globale e sinkronizuar, reagimi i tregut në zhvillim dhe kthimi i inflacionit. Përkundër këtij parashikimi makro, strategët e Morgan Stanley u kërkojnë investitorëve të besojnë në rimëkëmbjen e kapitalit në vend të bonove dhe parave të gatshme të qeverisë.
Rritja globale në sinkronizim
Ekonomitë botërore rrallëherë lëvizin në sinkron me njëra- tjetrën. Në fakt, një rimëkëmbje globale sinkrone, ku rritja në tregjet e zhvilluara dhe ato në zhvillim përshpejtohet në të njëjtin vit, ka ndodhur vetëm pak herë gjatë 40 viteve të fundit – e fundit në 2017-n.
Mund të ndodhë një sinkronizim tjetër i tillë duke nisur në tremujorin e dytë të vitit 2021. Fillimisht, tregjet në zhvillim ka të ngjarë të udhëheqin rritjen globale të PBB-së, dhe ndërkohë që ato dalin nga masat bllokuese të dimrit, tregjet e zhvilluara mund t’i shtohen këtij vrulli. “Deri në mars ose prill, ne presim që të gjithë sektorët e ekonomisë globale t’i bashkohen rimëkëmbjes”, thotë Ahya.
Ekonomia e SHBA-së, nga ana e saj, ka qëndruar elastike gjatë pandemisë. Shpenzimet e konsumatorit pothuajse janë kthyer në nivelet para-COVID-19, ndërsa të ardhurat mesatare personale të familjeve amerikane tejkaluan nivelet parapandemike në shtator, edhe pasi skadoi raundi i parë i mbështetjes fiskale. Këta dhe faktorë të tjerë të bëjnë të mendosh për një rimëkëmbje të qëndrueshme të SHBA-së, edhe në mes të një dimri të vështirë, me rritjen e parashikuar të PBB-së prej 5.9% në vitin 2021.
Në Europë, ku shumë vende filluan të vendosnin përsëri kufizimet kundër COVID-19 në tetor, ndërsa nivelet e reja të infeksionit u rritën, pritet të rinisë rritja, ndërsa ekonomitë rihapen. Ekipi i ekonomisë parashikon një rritje 5% të PBB-së në vitin 2021, e cila është pak më poshtë vlerësimit të konsensusit. Parashikimi i ekipit për vitin 2022 për Eurozonën, pret një rritje të PBB-së në 3.9%, përkundrejt një vlerësimi të konsensusit prej 2.8%. “Me mbështetjen e vazhdueshme të politikës, rritja fillestare duhet të kthehet në një rimëkëmbje të fuqishme”, thotë Ahya. Një përjashtim i dukshëm është Mbretëria e Bashkuar, ku Brexit mund të ngadalësojë ritmin e rimëkëmbjes.
Tregjet në zhvillim udhëheqin rimëkëmbjen
Tregjet në zhvillim, duke përjashtuar Kinën, janë përballur me sfida të shumta ciklike në vitet e fundit. Tani, me dinamikë më të favorshme COVID-19 në shumë kombe në zhvillim, tregjet në zhvillim mund të përcaktojnë ritmin e rritjes globale.
“Ekonomitë e varura nga tregtia, si Koreja dhe Tajvani, janë tashmë në gjendje të rikuperohen, ndërsa në ekonomitë e mëdha, si India dhe Brazili, ndoshta më të orientuara drejt kërkesës së brendshme, një numër treguesish kanë kapërcyer kohët e fundit nivelet e para-COVID-19 dhe po regjistrojnë rritje pozitive në bazë vjetore”, thotë Ahya.
Ekonomistët e Morgan Stanley presin që kjo prirje të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm. Në të njëjtën kohë, tregjet në zhvillim duhet të përfitojnë nga zgjerimi i deficiteve të llogarisë korente të SHBA-së, normat e ulëta reale të interesit në SHBA, një dollar më i dobët dhe politikat makroekonomike akomoduese. Kjo shton deri në 7.4% rritjen e PBB-së për tregjet në zhvillim në 2021, e udhëhequr nga një parashikim për 9.8% rritje në Indi.
Ndërkohë, Kina, e para që imponoi karantinat e COVID-19, ka rifituar shpejt terren, pasi konsumi është rritur përsëri. Morgan Stanley parashikon që ekonomia e saj do të zgjerohet me 9% në 2021, përpara se të moderohet në 5.4% në 2022.
Ndryshimi i Regjimit të Inflacionit
Sidoqoftë, me kthimin e inflacionit, çdo recesion lë gjurmët e veta dhe gjithashtu recesioni nga COVID-19. “Kur bëhet fjalë për inflacionin, ne shohim një dinamikë shumë të ndryshme, veçanërisht në SHBA”, thotë Ahya, duke theksuar se konsensusi nuk e ka pranuar plotësisht këtë koncept.
E thënë thjesht, pandemia ka shkaktuar rritje të papunësisë në nivele që nuk janë parë prej dekadash dhe politikëbërësit pritet të bëjnë gjithçka që duhet për të krijuar vende pune dhe për të kthyer punësimin në nivelet para-COVID-19 sa më shpejt të jetë e mundur – edhe me përmirësimin e prodhimit ekonomik. Këto politika stimuluese përfundimisht do të ushtrojnë.
“Këto politika reflacioni do të kenë gjithashtu implikime kryesore për rritjen globale dhe veçanërisht për tregjet në zhvillim, për shkak të një ndryshimi në bilancin kursime-investime në SHBA”, thotë Ahya. Ekipi i ekonomisë beson se ky ndryshim në regjim do të nxisë dobësinë e dollarit amerikan dhe do të përgatisë skenën për një impuls reflacionar për pjesën tjetër të botës./ Përktheu Lira Muça