Anketa FT-IGM parashikon se banka qendrore e SHBA do të zgjasë fushatën e saj agresive kundër inflacionit, i cili ka arritur shifrat më të larta të disa dekadave.
Banka qendrore e SHBA-së do të rrisë normën bazë të politikës së saj monetare në mbi 4 për qind dhe do ta mbajë atë në këtë nivel edhe përtej vitit 2023, në një përpjekje për të luftuar inflacionin e lartë, sipas shumicës së ekonomistëve akademikë të anketuar nga Financial Times.
Sondazhi i fundit, i kryer në partneritet me Iniciativën për Tregjet Globale në Shkollën e Biznesit Booth të Universitetit të Çikagos, tregon se Rezerva Federale është ende shumë larg planeve për të përfunduar fushatën e saj të shtrëngimit të politikës monetare.
Komiteti Federal i Tregut të Hapur i ka rritur normat e interesit këtë vit me ritmin më të shpejtë që nga viti 1981 dhe pritet që të vendosë për një rritje të tretë radhazi me 0.75 pikë përqindje ditën e mërkurë. Kjo lëvizje do të rriste intervalin e synuar, i cili ishte afër shifrës zero deri në mars, duke e ҫuar atë mes 3 për qind dhe 3.25 për qind.
Gati 70 për qind e 44 ekonomistëve të anketuar në periudhën midis 13 dhe 15 shtatorit besojnë se norma e fondeve të Fed gjatë këtij cikli shtrëngues do të arrijë nivelin më të lartë në shifrën midis 4 dhe 5 për qind.
“Komiteti Federal i Tregut të Hapur ende nuk ka arritur ta pranojë nivelin e lartë ku duhet t’i ҫojë normat,” tha Eric Swanson, profesor në Universitetin e Kalifornisë, Irvine, i cili parashikon që norma e fondeve të Fed do të arrijë deri në 5 ose 6 për qind. “Nëse Fed dëshiron të ngadalësojë ekonominë tani, atëherë duhet të rrisë normën e fondeve më shumë se inflacioni bazë.”
Megjithëse Fed zakonisht synon të ruajë një normë prej 2 për qind për indeksin e çmimeve të shpenzimeve personale për konsumin bazë, i cili nuk llogarit artikujt e paqëndrueshëm si ushqimet dhe energjia, banka monitoron gjithashtu nga afër indeksin e çmimeve të konsumit.Inflacioni u rrit papritur në gusht, me indikatorin bazë që pati një rritje me 0.6 për qind në harkun e një muaji, ose 6.3 për qind krahasuar me një vit më parë.
Shumica e të anketuarve parashikojnë se indeksi i çmimeve të shpenzimeve personale për konsumin bazë do të bjerë nga niveli më i fundit i korrikut prej 4,6 për qind, duke shkuar në 3,5 për qind deri në fund të vitit 2023. Por, gati një e treta e tyre presin që ai do të tejkalojë shifrën 3 për qind pas 12 muajsh.
Nga të anketuarit, 27 për qind thanë se gjasat që niveli i këtij indikatori të tejkalojë këtë prag pas 12 muajsh janë të njëjta me gjasat që të mos e tejkalojë atë, duke treguar kështu një shqetësim të madh që inflacioni i lartë mund të jetë prezent për shumë kohë në ekonomi.
“Kam frikë se kemi arritur në një pikë ku Fed po përballet me rrezikun e rënies serioze të besueshmërisë së saj, dhe ajo duhet të jetë shumë e vetëdijshme për këtë,” tha Jón Steinsson nga Universiteti i Kalifornisë, Berkeley.
“Të gjithë kemi shpresuar që inflacioni do të fillojë të reduktohet dhe të gjithë jemi zhgënjyer për të disatën herë.” Më shumë se një e treta e ekonomistëve të anketuar paralajmërojnë se Fed do të dështojë për të mbajtur në kontroll inflacionin, nëse nuk i rrit normat e interesit në mbi 4 për qind deri në fund të këtij viti.
Përtej rritjes së normave, duke i ҫuar ato në një nivel që kufizon aktivitetin ekonomik, pjesa më e madhe e të anketuarve mendojnë se Fed do t’i mbajë ato në këto nivele për një periudhë të gjatë.
Rënia e presioneve të çmimeve, paqëndrueshmëria në tregun financiar dhe përkeqësimi i gjendjes së tregut të punës janë arsyet më të mundshme që do ta nxisnin Fed për t’i dhënë fund fushatës së saj të politikave shtrënguese, por nuk parashikohet asnjë ulje e normës së fondeve të Fed deri në vitin 2024, sipas 68 për qind të të anketuarve. Nga kjo shifër, një e katërta nuk parashikon që Fed do të ulë normën bazë të politikës monetare deri në gjysmën e dytë të vitit 2024.
Gati 70 për qind e të anketuarve presin që Byroja Kombëtare e Kërkimeve Ekonomike – arbitri zyrtar që vendos për fillimin dhe përfundimin e recesioneve në SHBA – do të deklarojë një recesion në vitin 2023, me pjesën më të madhe të ekonomistëve që mendojnë se kjo do të ndodhë në tremujorin e parë ose të dytë. Nga ana tjetër, afërsisht 50 për qind e ekonomistëve vlerësojnë se Europa do të shkojë drejt një recesioni deri në tremujorin e katërt të këtij viti, ose edhe më herët.
Një recesion në SHBA ka të ngjarë të zgjasë për dy ose tre tremujorë, sipas shumicës së ekonomistëve. Më shumë se 20 përqind e tyre presin që ai të zgjasë katër tremujorë ose më shumë. Në kulmin e saj, shkalla e papunësisë mund të shkojë deri në 5 për qind ose 6 për qind, sipas 57 për qind të të anketuarve, një shifër kjo shumë më e lartë se niveli aktual prej 3.7 për qind.
“Kjo do të rëndojë mbi punonjësit që do të kenë më pak gjasa për të përballuar vështirësitë që do të vijnë kur të kemi shtim të papunësisë për shkak të këtyre rritjeve të normave të interesit,” paralajmëroi Julie Smith nga Kolegji Lafayette.
“Edhe pse rritja duket shumë e vogël, me vetëm një ose dy pikë përqindje në rritjen e papunësisë, ajo do të shkaktojë dhimbje të mëdha për familjet që nuk janë të përgatitura për të përballuar tronditje të tilla.”
“Lehtësimi i kufizimeve që lidhen me furnizimet, të shkaktuara nga lufta në Ukrainë dhe izolimet e Covid-19 në Kinë, mund të ndihmojë në reduktimin e veprimeve që duhet të ndërmarrë Fed për të ulur kërkesën, gjë që nënkupton një rënie më pak të rëndë ekonomike,” tha Şebnem Kalemli-Özcan nga Universiteti i Maryland.
Por, ajo paralajmëroi se perspektiva mbetet shumë e pasigurt.
“Është e qartë se këto tronditje janë të njëpasnjëshme, kështu që nuk besoj se kjo do të ndodhë menjëherë,” tha Kalemli-Özcan. “Nuk mund t’ju jap një afat kohor, por duket se gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur.”/Financial Times