Rezerva Federale (FED) e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), rriti normën e saj bazë të politikës me 0.75 pikë përqindjeje, duke shënuar rritjen më të lartë për herë të parë në tre dekada dhe sinjalizoi një ritëm agresiv të shtrëngimit monetar në muajt e ardhshëm. Kjo lëvizje erdhi si shtim i përpjekjeve për të zbutur inflacionin më të lartë të SHBA në 40 vjet.
Rritja e madhe e normës, të cilën tregjet e prisnin, nënvizoi faktin se zyrtarët e Fed janë seriozë për të frenuar rritjen e çmimeve edhe nëse kjo ka një kosto për ekonominë.
Zyrtarët parashikuan se shkalla e papunësisë do të rritet në 3.7 për qind këtë vit dhe në 4.1 për qind deri në vitin 2024 dhe se rritja do të ngadalësohet dukshëm pasi politikëbërësit do të shtrenjtojnë ndjeshëm kostot e huamarrjes dhe kjo do të reduktojë kërkesën në ekonomi.
Norma e politikës së Fed tani luhatet në një interval midis 1.50 dhe 1.75%. Politikëbërësit lanë të nënkuptohet se normat e interesit mund të arrijnë në 3.4 përqind deri në fund të 2022 – një nivel që do të ishte më i larti që nga viti 2008. Zyrtarët parashikojnë që norma e politikës të kulmojë në në 3.8 përqind në fund të 2023. Këto shifra janë dukshëm më të larta se vlerësimet e mëparshme, të cilat vlerësonin se normat do të arrinin në 2.8 për qind vitin e ardhshëm.
Parashikimet e reja të zyrtarëve të Fed-it janë që të ulin normat në vitin 2024, gjë që mund të jetë një shenjë se ata mendojnë se ekonomia do të dobësohet aq shumë sa do t’u duhet të riorientojnë qasjen e tyre politike.
Një zyrtare, presidentja e Bankës së Rezervës Federale të Kansas City, Esther George, votoi kundër rritjes së normës. Megjithëse zonja George historikisht është shqetësuar për inflacionin e lartë dhe ka favorizuar norma më të larta interesi, ajo do të kishte preferuar një lëvizje gjysmë pikë në këtë rast.
Deri në fund të javës së kaluar, tregjet dhe ekonomistët prisnin gjerësisht një lëvizje me gjysmë pikë. Fed kishte rritur normat me një çerek pikë në mars dhe gjysmë pikë në maj, dhe kishte sinjalizuar se priste të vazhdonte të ecte me atë ritëm në qershor dhe korrik.
Por bankierët qendrorë kanë marrë një sërë lajmesh të këqija mbi inflacionin ditët e fundit. Një raport i qeverisë tregoi se Indeksi i Çmimeve të Konsumit u rrit me 8.6 përqind në maj me bazë vjetore, ritmi më i shpejtë i rritjes që nga fundi i vitit 1981. Norma e inflacionit mbeti e lartë edhe pas përjashtimit së çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve./NYTimes