Cilat do të jenë profesionet më të kërkuara gjatë 10-20 viteve të ardhshme, kur fëmijët tanë do të hyjnë në tregun e punës? Në këtë artikull do të gjeni një guidë të 46 profesioneve të 2030-s që ka shumë mundësi të jenë më të përhapurat në vendet e industrializuara, sipas parashikimeve të disa studiove të specializuara në fushën e punësimit, ndër to edhe Departamenti Amerikan i Punës. Sektorët më në avangardë do të jenë padyshim ata me përmbajtje të lartë teknologjike dhe të ekonomisë së gjelbër. Por, edhe përkujdesja ndaj personave të tjerë do të shënojë zhvillim të ndjeshëm, për shkak të plakjes më të madhe të popullsisë.
Nëse duke parë fëmijën tuaj në plazh pyesni veten se çfarë do të bëjë kur të rritet ose se çfarë ju pret ju pas 20 vitesh, mund të formoni një ide nga tri gjëra të sigurta. Në radhë të parë jeta do të ndahet mes dy apo tri profesioneve të ndryshme. Së dyti, shumë prej këtyre profesioneve nuk ekzistojnë sot, ndërsa disa profesione aktuale, si punonjësi i bankës, postieri, operatori i call center janë të destinuar që të zhduken. Tek e fundit çelësi i së ardhmes do të jetë përshtatshmëria, sepse tregu botëror do të jetë në ndryshim të vazhdueshëm. Këtë të paktën e thonë parashikimet e ekspertëve që natyrisht duhet të merren me rezerva, kur hipotetizohen profesione si ai i “guidës turistike në hapësirë” ose “filozof i etikës së shkencave të reja”. Por, të paktën po na tregojnë se ku po shkojmë. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendi më avangardë, Departamenti i Punës bën parashikime se cilat do të jenë profesionet pas 10-20 viteve të ardhshme dhe sektorët që do të kenë rritjen më të fortë dhe ata që do të kenë rënie të ndjeshme. Po, çfarë parashikon Uashingtoni?
Klasifikimi i 50 vendeve të punës më të kërkuara në të ardhmen, në Amerikë rendit në vend të parë infermierinë. Natyrisht, një profesion jo i ri. Por, në realitet i gjithë sektori i kujdesit shëndetësor shihet si një nga burimet kryesore të punësimit gjatë 20 viteve të ardhshme. Jo vetëm për shkak të plakjes së popullsisë (një fenomen që do të prekë kryesisht vendet e industrializuara ku jetëgjatësia do të shkojë deri edhe në 85 vjeç deri në vitin 2040), por edhe për motive të tjera të forta, si mbështetja e sektorit të sigurimeve për ndihmën shëndetësore, investimet në kërkim dhe në shkencë, nga farmacistët tek drejtuesit e makinave, nga robotika te bioteknologjia. Nga këtu do të lindin edhe shumë zanate të reja.
Në fushën e shërbimeve sociale do të zhvillohet profesioni i “kujdesit në shtëpi” ose më saktë i atyre personave që do të kujdesen për të moshuarit, “terapistët eksperimentalë” që do të ofrojnë për pacientët trajtime alternative; si edhe mjeku që do t’i ndihmojë të vjetrit të ruajnë memorien (memory augmentation surgeon). Mundësi të tjera do të vijnë nga nanoteknologjia dhe bioteknologjia, siç do të jetë “body part maker”, që do të prodhojë në laborator veshje ose membrana që do të ndihmojnë në rindërtimin e trupit të njeriut, ose mjeku “nano” që do të krijojë aparate të vegjël për të monitoruar shëndetin ose për automjekimin e sëmundjeve. Shkohet edhe më tej me “bioinformuesin”, shkencëtarin që do të kombinojë gjenetikën me zhvillimin e mjekësisë dhe terapive klinike; ose “gjeomikrobiologu” që do të studiojë sesi mikroorganizmat do të prodhojnë ilaçe të reja ose që do të luftojnë ndotjen.
Projeksionet amerikane përditësohen çdo dy vjet, falë një metodologjie që kalon proceset e trajnimit, edukimit, përvojës në punë dhe të zonave ekonomike, duke supozuar një treg të balancuar dhe që ka prodhuar besueshmëri me kalimin e kohës. Prandaj është burimi më i përdorur për programimin në shkallë kombëtare nga ana e politikanëve që vendosin se çfarë masash stimuluese duhet të propozojnë, e agjencive të punësimit për trajnimet, e universiteteve që të ofrojnë kurse të reja, e familjeve dhe fëmijëve të tyre për të zgjedhur punën. Sepse ky është dallimi mes SHBA-së dhe Europës, puna në Amerikë përjetohet në kushtet e konkurrencës. Mungesa e profesionistëve rrezikon “trenin” e rritjes. Kjo vlen edhe në rastin e reformës që po synon të ndërmarrë Barack Obama.
Më në përgjithësi, mund të thuhet se SHBA-ja po parashikon një lloj ndarjeje të kompetencave që do të jenë ose shumë më të mëdha ose më të vogla. Në këtë mënyrë, do të “zhduket” punëtori i nivelit të mesëm, ndërsa ata që do të pësojnë rritje të kërkesës do të jenë: shoferët, kopshtarët, riparuesit e biçikletave, hidraulikët. Edhe kryebashkiaku i Nju Jorkut, Michael Bloomberg, iu ka bërë thirrje amerikanëve që të mësojnë këto zanate. Mes punëve tradicionale do të ketë ende vend për disa profesione, por që do të jenë më të avancuara, për shembull: për “compcierge” (që do të thotë portieri i hotelit që do të jetë i trajnuar edhe për çështjet kompjuterike ose të informatikës), për “broadband architect” (elektricisti i së ardhmes i aftë që të organizojë përmbajtjet interaktive të internetit në TV-të, në shtëpi). Një tjetër motor i madh i punës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojë të jetë inovacioni. Ky vend do të vazhdojë të jetë më i avancuari nga ana e teknologjisë. Vende si Silicon Valley, Teksas, Karolina e Veriut do të kthehen në “strehën” e dashur për shumë të punësuar, por edhe për shumë profesione. Për të mos folur më pas edhe për tendenca të tjera, si ajo e “Google” e cila për çdo vend pune të krijuar hapen të paktën edhe pesë të tjerë në sektorë të tjerë. Në fushën e realitetit të shtuar, po përparon “digital architect”, arkitekti i cili projekton ndërtesa virtuale. Në rritje do të jetë edhe numri i ekspertëve që do të realizojnë stampime në format 3D, që përdorin materiale plastike me laser për ndërtimin e objekteve sipas dëshirës. Ian Pearson, futurolog anglez, autor i librit “You tomorrow” sheh shumë potencial në të ardhmen e këtij sektori. “Nëse 90% e punës do të realizohet nga teknologjia, atëherë puna juaj nuk duhet të ekzistojë më, e megjithatë nuk do të jetë kështu. Ka ende shumë nevojë për përvojën njerëzore dhe shumë profesione tradicionale do të vazhdojnë të ekzistojnë”.
Disa tendenca amerikane vihen re edhe në Kontinentin e Vjetër. Siç thotë edhe komisioneri europian i Punësimit, László Andor, “rritja e vendeve të punës do të përqendrohet në tri sektorë kyç: në ekonominë e gjelbër, në shërbimet shëndetësore dhe në teknologjinë e informacionit dhe të komunikacionit. Sipas parashikimeve tona, potenciali në këto fusha është shumë i madh. Gjithashtu do të jetë thelbësore që të investohet në formim dhe instruktim”. Për këtë, Brukseli ka prezantuar një paketë mbështetëse për perspektivën e punësimit, duke vlerësuar se vetëm nga ekonomia e “gjelbër” do të krijohen 20 milionë vende pune deri në 2020-n. Çfarë profesionesh të reja do të ravijëzohen? Në fushën energjetike, tashmë i padiskutueshëm është “energy manager” që do të nevojitet për të ulur konsumin e energjisë elektrike të godinave publike, private dhe sipërmarrjeve. Ndër figurat e reja spikat edhe ai i “menaxherit të stacionit të gazit hidrogjen” dhe “ricikluesi i uraniumit” (që do të konvertojë atë që do të prodhohet për mjetet në material për centralet bërthamore). Shpërthimi i emisioneve të dëmshme do të zhvillojë profesionin e “menaxherit gjurmues”, i cili do të shqyrtojë të gjithë zinxhirin e furnizimit për të shmangur blerjen e produkteve që janë shumë ndotëse, ose ai “cloud controller”, që do të verifikojë aftësinë për të reflektuar rrezatimin diellor të reve mbi kokat tona. Dhe përsëri në “skenë” do të vazhdojë të jetë ricikluesi i teknologjive që nuk do të përdoren. Një studim i qeverisë britanike “FastFuture” parashikon 20 profesione të reja deri në vitin 2030, si për shembull “prodhuesin vertikal” që do të kujdeset për kultivimet në katet e larta të godinave për të kursyer shfrytëzimin e tokës, ose “brokeri i kohës” që do të merret me mundësitë se mund t’i paguajë njerëzit me kohë dhe jo me para. Do të jetë edhe “personal brander”, një tip konsulenti personal që do të kujdeset për ne si një markë cilësie edhe nëpërmjet mediave sociale, pa folur këtu për profesionet rreth fushës së internetit ku mund të gjenden rreth 21 profile dixhitale.
Sa u përket aftësive, edhe pse dikush hipotetizon mbi tendencat amerikane, ekziston bindja se në tregun europian do të ketë një spostim gradual në drejtim lart: pra, në praktikë do të tentojnë të reduktohen profesionet e profilit të ulët që do të rriten në nivel, sikundër do të ndodhë edhe me ato të profilit të mesëm dhe të lartë. Duhet të theksohet se me globalizimin, produktet ose mjediset industriale janë zhvendosur, prandaj do të duhen më shumë kualifikime ndërsektoriale. Por, si do të jetë menaxheri i së ardhmes? Ai do të duhet që gjithnjë e më shumë ta njohë mirë biznesin dhe të dijë t’i shtojë vlerë. Me një fjalë, të ketë më shumë aftësi ndërsektoriale, të menaxhojë fuqinë punëtore dhe ndërkulturore midis brezave. Ai/Ajo duhet gjithashtu të nxisë një proces të vazhdueshëm të inovacionit, prandaj duhet të jetë jo vetëm drejtues, por edhe punëdhënës.
Ndërsa punëmarrësit për 20-30 vjet do të duhet dinë shumë mirë: gjuhën angleze, teknologjitë e reja dhe të dinë të lexojnë një bilanc. Nga ana tjetër, duhet të kenë një përgatitje të mirë të përgjithshme. Sot, tregu është në zhvillim të vazhdueshëm dhe nuk vlen më ajo që di të bësh, por mënyra sesi e bën dhe të mësuarit e shpejtë. Punëtori i 2030-s do të duhet të kuptojë dhe të zgjidhë probleme më të ndërlikuara nga çfarë janë sot.
Me pak fjalë, nevojitet një vizion afatgjatë, duhet një programim më efikas dhe formim më i mirë, një ndryshim në mentalitet. Deri 20 vjet më parë, diploma ishte siguri për jetën, sot nuk është. Vlera e “letrës” nuk mjafton, duhet përkushtim dhe dëshirë për të konkurruar. Profesionet artizane e artistike, sot falë teknologjisë, kanë shumë sukses. Shembulli më i mirë janë restaurimet. Është e rëndësishme që të investohet në kërkim dhe zhvillim, por nuk duhet të nënvlerësohen sektorët tradicionalë, pasi rritja nuk do të vijë vetëm nga ata inovativë.
Këshilla
Mësojuni fëmijëve të vegjël gjuhën angleze përpara shkollës fillore, është një mjet që do t’ju japë atyre shumë liri në zgjedhjen e punës në të ardhmen
Menaxheri i së ardhmes
Ai do të duhet që gjithnjë e më shumë ta njohë mirë biznesin dhe të dijë t’i shtojë vlerë. Me një fjalë, të ketë më shumë aftësi ndërsektoriale, të menaxhojë fuqinë punëtore dhe ndërkulturore midis brezave. Ai/Ajo duhet gjithashtu të nxisë një proces të vazhdueshëm të inovacionit, prandaj duhet të jetë jo vetëm drejtues, por edhe punëdhënës.
Punëmarrësi i së nesërmes
Punëmarrësit për 20-30 vjet do të duhet dinë shumë mirë: gjuhën angleze, teknologjitë e reja dhe të dinë të lexojnë një bilanc. Nga ana tjetër, duhet të kenë një përgatitje të mirë të përgjithshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.