Bashkia e Kolonjës do të zhvillojë e vetme një projekt për ngritjen e një ferme organike 86 hektarë me arrorë dhe lajthi duke synuar ngritjen e një modeli në këtë rajon që mund të ndiqet nga sipërmarrjet por gjërat janë komplikuar që në fillim gjatë tenderimit. Procedura e ndjekur dhe menaxhuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me një fond limit 48 milionë lekë është shoqëruar me ankesa nga pjesëmarrësit në tender duke kundërshtuar shpalljen e fituesve. Për këtë procedurë fitues është shpallur kompania Albgarden por në Komisionin e Prokurimit Publik është ankuar operatori tjetër “Avduli shpk i cili kundërshton vlerësimin e bërë nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave.
Ferma partneritet me bashkisë dhe privatëve për 99 vjet
Dokumentet e dorëzuara në Agjencinë e Prokurimit Publik për këtë procedurë japin edhe një panoramë të qartë sesi parashikohet të ndërtohet një fermë organike e këtyre përmasave dhe si do të bëhet menaxhimi i saj.
“Bashkia Kolonjë me anë të këtij investimi dëshiron të mbjellë disa parcela me një sipërfaqe të përgjithshme 85.92 ha, bllok me arra 7500 fidanë e bllok me Lajthi 500 fidanë si pjesë përbërëse të një ferme organike bujqësore, duke e konceptuar territorin për një biznes agrikulturor të integruar në të ardhmen, për të kryer një cikël të plotë, të përpunimit dhe ambalazhimit te produkteve dhe krijimin e aktiviteteve lidhëse me fermën organike” thuhet në dokument.
I njëjti nënvizon se Bashkia Kolonjë dëshiron të investojë në këtë aktivitet të ri që është krijimi i modeleve në agrikulturë.
“Aktiviteti synon shfrytëzimin e të gjitha aseteve publike në territor dhe kthimin e tyre në modele për fermerët vendas. Propozimi paraqet krijimin e parcelave me kulturat e arrorve, përkatësisht arra, lajthi. Një zonë e njohur për prodhimin e arrave me cilësi shumë të mire. Terreni që propozohet është tokë zall– kullotë në pronësi shtet dhënë në përdorim për projekte Bashkisë Kolonjë.
Propozimi synon krijimin e një partneriteti me një zhvillues dhe bashkë administrues të këtij model aktiviteti për një kohë afatgjate , deri 99 vjet. Aktualisht kjo veprimtari e re do të ushtrohet në dy parcela të përzgjedhura nga ana e bashkisë së Kolonjës” thuhet në relacionin teknik.
Aktiviteti do të administrohet nga nje strukturë e përbashkët e ngritur midis partnereve në formën e një shpk 100% në pronësi publike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.