Rreth pak më shumë se një dekadë më parë thuajse të gjithë banorët e fshatrave shqiptare u lumturuan se tashmë do të ishin pronarë të tokave, do të zotëronin një pasuri që gjatë regjimit të mëparshëm as që mund ta çonin nëpër mendje. Por këto çaste të lumturisë fluturake nuk zgjatën shumë, pasi vetë këta njerëz dhe familjet e tyre nuk dinin se ç të bënin me këtë pasuri që fituan. Pa dashur të zgjatemi në ecurinë e procesit të reformave në fshat, mund të përqendrohemi tek një nga çështjet e debatueshme dhe për të cilën akoma nuk ka zgjidhje të kënaqshme.Tashmë është krijuar një opinion i përgjithshëm se fermerët në mënyrë individuale nuk arrijnë të krijojnë të ardhura të mjaftueshme. Duke vepruar si individë, si familje të shkëputura, fermerët nuk arrijnë të sigurojnë jetesën e tyre e jo më të bëhet fjalë për të furnizuar tregun në cilësitë dhe sasitë e kërkuara. Në bisedimet e përditshme të specialistëve apo njerëzve të tjerë që merren me zhvillimin rural (në veçanti atij bujqësor) gjithnjë e më shumë po qarkullon diskutimi rreth formës dhe mënyrës më të përshtatshme të bashkëpunimit të fermerëve dhe të vetë organizimit të tyre.Me përmbysjen e sistemit totalitar morën fund edhe format tej mase të shtrira në drejtim të kolektivizimit ekstrem të njerëzve që jetojnë e punojnë në zonat rurale. Tashmë prodhimi i tyre nuk ka fare formën kolektive, por është i bazuar thuajse tërësisht në baza individuale. Shkalla e organizimit të tyre është mjaft e ulët dhe niveli i bashkëpunimit paraqitet shumë larg kërkesave dhe nevojave që paraqet zhvillimi i sotëm. Në një farë kuptimi, është një kthim prapa në kohë dhe në historinë e organizimit të prodhimit në fshat.Pavarësia, që i la fshatarët në baltëMe marrjen e tokës në dorëzim (nuk mund të thuhet se e ka plotësisht në pronësi, nuk e ka as me qira dhe as në përdorim në kuptimin klasik të këtyre formave), fermerët preferuan të harrojnë sa më shumë dhe sa më shpejt idenë e të punuarit bashkë. Marrja e tokës në dorëzim u dha vetëm një ndjesi pavarësie dhe lirie fermerëve, por shpejt i la në baltë, pasi me një rrugë të tillë ata nuk mund të shkojnë larg. Gjatë një periudhe relativisht të shkurtër, fermerët filluan të mendojnë se në mënyrë individuale është e vështirë që të përballohet ekonomia e tregut. Në këtë drejtim kanë ndikuar edhe veprimtaritë e zhvilluara nga projekte të ndryshme që asistuan në reformën e sektorit rural në Shqipëri. Në fillim, jo vetëm organizatat e pavarura, projektet e zhvillimit apo programet e huaja, por edhe vetë punonjësit e sektorit publik vepronin me një farë druajtje dhe përgjithësisht në mënyrë jo shumë të qartë dhe pa shumë pretendime në fushën e organizimit. Por, gradualisht u thye akulli dhe krahas me bisedat e hapura dhe trajnimet e zhvilluara, organizimi i fermerëve në shoqata filloi të zërë vend si parakusht për investimet që do të realizoheshin. Ka qenë pikërisht kjo mënyrë e të vepruarit ajo që ka vështirësuar mjaft punën e staticienëve të interesuar për numrin dhe llojin e organizatave të fermerëve. Aktualisht, është thuajse e pamundur që një njeri apo institucion në Shqipëri të ketë një informacion të plotë rreth llojit, numrit, vendndodhjes, llojit të aktiviteteve të zhvilluara dhe të fushës së veprimtarisë së organizatave fermere. Fermerët ndryshojnë mendje: Tani duam të bashkëpunojnë!Është kryer një anketim në periudha të ndryshme, nga i cili kanë dalë rezultate vërtetë domethënëse në lidhje me opinionet e banorëve të zonës rurale rreth mundësisë së organizimit të tyre në organizata të ndryshme. Në periudha të ndryshme testimi ka përfshirë një numër nga 280 “ 1000 vetë, opinionet e të cilëve përmblidhen në vijim:¢ Në vitin 1992: nga 550 të anketuarit, rreth 90% e tyre nuk kishin thuajse asnjë njohuri rreth mundësive dhe nevojës së tyre për një bashkëpunim në forma të ndryshme me fermerët e tjerë.¢ Në vitin 1995: rreth 61% e të anketuarve i quanin kooperativat si të panevojshme; rreth 27% e tyre u shprehën pozitivisht për organizimin në shoqata, por edhe në kooperativa bashkëkohore, ndërsa pjesa tjetër ishte e mendimit se organizimi përbën domosdoshmëri.¢ Në vitin 1998: rreth 29% e të intervistuarve vazhdonin ta konsideronin organizimin në kooperativa apo shoqata si një formë jo të pranueshme, ndërkohë që rreth 48% e tyre preferonin bashkëveprim ndërmjet anëtarëve të fisit; pjesa tjetër ishin të mendimit se qenia pjesëtar i një organizate është domosdoshmëri.¢ Në vitin 2002 rreth 51% e të intervistuarve mendojnë se përfundimisht nuk mund të realizohet një prodhim dhe tregtim i leverdishëm i produkteve bujqësore pa bashkëpunim, ndërkohë që rreth 26% e të intervistuarve vazhdonin të mos e pranonin konceptin e bashkëpunimit me anëtarësi.¢ Në periudhën 2003-2004 rreth 62.5% e të intervistuarve pohojnë se organizimi në shoqata, kooperativa etj., përbën domosdoshmëri, por akoma rreth 19% vazhdojnë të mos e pranojnë konceptin e bashkëpunimit me anëtarësi, dhe pjesa tjetër është për bashkëpunim të ngushtë (mes fisit).Në grafikun në vijim është paraqitur në mënyrë të përmbledhur, ndryshimi i opinionit të fermerëve lidhur me nevojën e anëtarësimit të tyre në një nga format aktuale të organizimit (kooperativë, shoqatë etj.).Në të shumtën e rasteve shoqatat e krijuara në vendin tonë nuk kanë pasur një funksionim normal të tyre: janë krijuar si pasojë e nxitjes së dikujt apo nga ndonjë joshje për investim, kanë zhvilluar një a më shumë aktivitete dhe kaq. Por, jeta e tyre e brendshme, mënyra e funksionimit, e bashkërendimit dhe ndarjes së punëve ndërmjet anëtarëve, në shumë pak raste ka qenë afër parametrave normale. Edhe trajnimet, hartimi dhe paraqitja e projekteve apo zbatimi i tyre kanë çaluar mjaft, ndërkohë që numri i tyre ka qenë relativisht i kufizuar.Shkaqet që bëjnë të domosdoshëm bashkëpuniminJanë një sërë shkaqesh dhe faktorësh që ndikojnë tek prodhuesit individual të fshatit, dhe që bëjnë të domosdoshme lindjen e formave të bashkëpunimit, të cilat megjithëse tentojnë drejt shoqatave, nuk mund të përfaqësohen vetëm nga ato. Ndër shkaqet më kryesore të cilat kanë bërë, që fermerët (prodhuesit individualë) të mendojnë seriozisht rreth mundësive të organizimit janë:- Fragmentarizimi i skajshëm i tokës;- Nevoja e mekanizimit dhe ujitjes;- Nevoja e gjetjes së lëndëve të para cilësore dhe me çmime të arsyeshme;- Nevoja e specializimit të kulturave (sipas specifikave të zonave) dhe të lidhjes së kontratave;- Nevoja e gjetjes së mundësisë për shitje;- Nxitja e donatorëve dhe programeve/projekteve që veprojnë në Shqipëri.Avantazhet e të vepruarit si një bashkësiQenia anëtar i një grupi, kooperative, bashkësie etj., paraqet disa përparësi, të cilat mund të përmblidhen në: – Arrihet në maksimalizimin e përfitimeve nga anëtarët, nëpërmjet sigurimit të një niveli të çmimeve më të larta të shitjes së produkteve, si rrjedhojë e një skedulimi të mirë të vjeljes dhe të negociatave me blerësit;- Minimizon kostot e inputeve (lëndëve të para), pasi mund të negociojë dhe të blejë me cilësi më të lartë dhe çmime më të ulëta se në treg;- Veprojnë me kosto, duke shmangur shpenzimet e panevojshme;- Lehtësojnë në zbatimin e teknologjive të reja të kultivimit.- Ndihmon në arritjen e parametrave prodhues që lejojnë daljen në treg me prodhime të fermës;- Nxisin bashkëjetesën dhe parametra të tjerë të të jetuarit në kushte moderne të shoqërizimit;- Rrisin mundësinë e konsolidimit të tokës e për pasojë rritjen e efektivitetit të prodhimit;- Shtojnë shkallën e mekanizimit, përdorimit të inputeve, nivelin e ujitjes, si tregues parësor të intensifikimit të prodhimit bujqësor;- Nxisin përqëndrimin dhe specializimin e kulturave bujqësore në bazë të traditës dhe të kushteve konkrete të kultivimit.Këto dhe përparësi të tjera, e bëjnë bashkëveprimin ndërmjet fermerëve dhe bashkimin e tyre në organizata apo shoqërizime, thuajse të domosdoshëm. Ndaj, konsiderohet si një nevojë parësore sqarimi sa më i plotë i përparësive që ka rritja e shkallës së bashkëpunimit, si dhe formave dhe mundësive ligjore për realizimin e tij. Rreth zgjidhjes së problemit të mënyrës së organizimitNga ecuria e deritanishme e reformave në Shqipëri, por edhe nga përvojat e vendeve të tjera, është parë që nuk ka një mënyrë të vetme organizimi që do të mund të kënaqte një herë e mirë kërkesat, nevojat dhe dëshirat e fermerëve. Nuk është e mundshme që me një mënyrë të vetme organizimi të bëhet e mundur zgjidhja e problemit organizativ dhe funksional të anëtarëve të një rajoni, zone, të një fushe prodhimi etj. Për këtë arsye, duhet që të sqarojmë disa momente që mendojmë se do të jenë në ndihmë të procesit:- Organizimi i fermerëve të bëhet pasi ata të jenë bindur në një masë të konsiderueshme për të mirat që sjell ky ndryshim;- Të pranohen fillimisht format informale: grupe fermerësh të interesuar, grupime të vogla etj., të cilat më pas të merrnin ose jo formë të organizatës së ligjëruar dhe me status të plotë;- Të nxiten bashkëpunimet më të mundshme për të filluar procesin: ndërmjet të afërmëve, ndërmjet personave që banojnë në një zonë të vogël, që kanë të njëjtat interesa, formim të përafërt etj;- Të mos kushtëzohet investimi me formimin e shpejtë të grupeve formale, të cilat për arsye të shpejtësisë së formimit dhe të nivelit të vetëdijës së anëtarëve, nuk funksionojnë pas ndërprerjes së investimit;- Të rritet puna me banorët e zonës rurale në drejtim të informimit dhe nxitjes së bashkëpunimit jo vetëm nga strukturat shtetërore (të cilat po pakësojnë dita-ditës stafin që merret me këtë proces), por edhe nga institucionet private, individët e kualifikuar, programet e huaja etj;Është e kuptueshme që i gjithë ky proces do edhe kohë, por në mënyrë të veçantë kërkohet angazhim dhe punë cilësore, në mënyrë që përfitimi të jetë sa më i plotë nga vetë aktorët (anëtarët e shoqatave fermere), por edhe nga ata që janë të lidhur dhe interesuar në zhvillimin rural: e gjithë shoqëria në tërësi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.