Fermerët: Vështirësitë në eksport po shkatërrojnë çmimet e produkteve, probleme dhe me pagesat

01/04/2020 11:00 PM 0 komente

Vështirësitë në eksportet e prodhimeve bujqësore të stinës për shkak të emergjencës, që ka krijuar Covid-19 po bëjnë presion mbi çmimet e produkteve të serave, duke bërë që këto ditë shitjet të jenë nën kosto. Fermerët në zonat e prodhuese të vendit pohojnë se, edhe këtë sezon prodhimet janë me intensitet të njëjtë, madje edhe më të larta se vitet e tjera, mirëpo bllokimi i eksportit ka bërë që çmimet të jenë poshtë kostos.

Ilir Mile nga një fermer në zonën Fierit tha se çdo prodhim sere nëse shitet nga prodhuesi më pak se 40 lekë për kilogram atëherë do të përballet me humbje. Ai tha se tani, janë në prodhim intensiv kungulli dhe kastraveci, por çmimet e shitjes së tyre janë në nivele shumë të ulëta në 10 lekë me shumicë, çka po i shkakton humbje të mëdha fermerëve.

Bllokimi i eksportit sjell mbifurnizim të tregjeve në vend, teksa konsumi sipas fermerëve është i njëjte. Kjo i ka çuar çmimet e prodhimeve shumë poshtë kostove. Mile  tha se e kuptojnë emergjencën që po kalon vendi, por sektori i bujqësisë ka qenë i braktisur nga politikat mbështetëse edhe në kohë normale.

Ai tha se duhet një skemë mbështetëse për bujqësinë edhe në këtë situatë duke subvencionuar kostot, pasi nëse çmimet vijojnë të bien në do të detyrohemi të mos mbjellim.

Fenomeni i çmimeve të ulëta që nuk kanë mbuluar kostot ka ndodhur edhe më parë. Ka plot shembuj ku superprodhimi i qepës dhe domates kanë çuar në braktisje të prodhimit për këto kultura në vitet vijuese.

Por gjithsesi puna në bujqësi, megjithë problematikën që ka trashëguar po vijon normalisht, pasi pandemia nuk përbën rrezik për këtë sektor, sidomos në Shqipëri ku sektori është i zhvilluar në ferma të vogla  familjare.

Ekonomistët pohojnë se në sektorin e tregtimit të inputeve bujqësore, ka një ngecje të likuiditeteve veç si rezultat i limitit të cash-it. Për shkak të situatës së krijuar, klientët nuk shkojnë dot nëpër banka edhe kur kanë mundësi likuiditeti. Edhe ai pak cash që mund të qarkullojë në këto sektorë ngec për këto lloj arsyesh.

Ekonomistët i këshillojnë qeverisë që në këtë periudhë të miratohej një akt normativ për rritjen e limitit të cash në sektorin bujqësor.

Zakonisht sektori i bujqësisë është më i ndjeshëm ndaj kësaj situate pasi operohet kryesisht në zonat rurale ku largësia me bankat është e madhe, dhe një e shkuar në bankë merr pothuajse gjysmën e orëve të lira kur qytetarët mund të lëvizin.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of