Flet Drejtori Ekzekutiv i AlbChrome, Luan Saliaj
Në rast se situata e tregut nuk përmirësohet, dhe çmimet e energjisë vazhdojnë në këto nivele, prodhimi i Ferrochromit në Shqipëri nuk është rentabël as konkurrues dhe rrezikon të ndërpritet 100%.
Eksportet shqiptare mund të marrin një goditje nga frenimi i prodhimit në industrinë minerare kryesisht ferrokromi. Luan Saliaj ,Drejtori Ekzekutiv i kompanisë më të madhe minerare në vend, AlbChrome, nënvizon se efekti do të ishte me një tkurrje 150 milionë dollarë.
Sipas tij, rol vendimtar në koston e lartë të prodhimit, çka e bën jo rentabël aktivitetin, luan energjia. Në pjesën e dytë të vitit të shkuar vetëm 40 për qind e kapacitetit në këtë industri ishte aktive dhe ashtu duket se do të vazhdojë edhe këtë fillim viti. Por, nëse nuk merren masa për koston e energjisë, Saliaj vlerëson se aktiviteti mund të ndërpritet në 100 për qind të tij, duke sjellë pasoja tek ekonomia, por edhe ndikim social.
Në vitin 2019 çmimet e FeCr pësuan një rënie të fortë me rreth 35% krahasuar me një vit më parë, duke arritur nivelin më të ulët në 10 vitet e fundit. Ky nivel çmimi është nën kosto dhe detyroi prodhuesit në vende të ndryshme të botës si Afrika e Jugut, Turqia, Rusi, India të reduktojnë prodhimin. Ndonëse në gjysmën e parë të vitit prodhuesit e Ferrochromit në Shqipëri arritën ta përballojnë rënien e çmimit, duke prodhuar me kapacitet të plotë, në gjysmën e dytë prodhimi ra me rreth 50% dhe në muajt e fundit të vitit ka arritur në 40% të kapacitetit.
Ndikim kryesor në koston e prodhimit e dha energjia elektrike, që vlerësohet ndër më të lartat krahasuar me konkurrentët dhe është përcaktuese për fatin e sektorit e metalurgjisë.
Për vitin 2020 tregu parashikohet të jetë në luhatje dhe me mundësi të pakta për rritje. Çmimet pritet të jenë në nivelet aktuale edhe për të paktën 3 muajt e parë të vitit. Gjatë kësaj periudhe parashikimi i prodhimit të Ferrokromit në Shqipëri pritet të jetë rreth 40% e kapacitetit të instaluar.
Sot në Shqipëri janë gjithsej 100.000 ton kapacitet prodhues për prodhimin e FeCr dhe ka hapësirë edhe për shtim të kapaciteteve në vijim. Por, kosto e lartë e prodhimit, e ndikuar kryesisht nga energjia elektrike bën që sot vetëm 40% e këtyre kapaciteteve të jenë aktive.
Në rast se situata e tregut nuk përmirësohet, dhe çmimet e energjisë vazhdojnë në këto nivele, prodhimi i Ferrochromit në Shqipëri nuk është rentabël as konkurrues dhe rrezikon të ndërpritet 100%.
Një mundësi për rikthim në kapacitetit të plotë prodhimi është reduktimi i kostos së energjisë me 50% nga niveli aktual për të paktën 12 muaj. Ky qëllim nuk mund të arrihet pa një partneritet dhe bashkëpunim strategjik mes prodhueseve në këtë sektor dhe shtetit shqiptar.
Mungesa e një bashkëpunimi ose zgjidhje të shpejtë për çmimin e energjisë – prodhimi shqiptar rrezikon të mbetet jo konkurruese në tregjet ndërkombëtare me pasoja për ekonominë. Rënia e këtij sektori godet jo vetëm punësimin, por rrezikon të humbasë kapitalin human të angazhuar në këtë sektor, të humbasë atraktivitetin dhe interesin e krijuar për industrinë nga investitorë të brendshëm dhe të jashtëm dhe të ndikojë drejtpërdrejt në reduktimin e eksporteve shqiptare me rreth 150 milion USD në vit.
Si i parashikoni investimet e kompanisë për vitin në vazhdim?
Në vitin që lamë pas AlbChrome përfundoi investimin e tij më të fundit, Pusi Nr. 9 në Minierën e Bulqizës. Vlera totale e këtij investimi arrin 20.5 milionë USD dhe pritet të sjellë realizimin e një prodhimi vjetor të minierës prej 100 mijë ton mineral kromi. Hapja e Pusit Nr.9 do të rrisë jetëgjatësinë e minierës me të paktën 20 vite, gjë që premton hapjen e vendeve të reja të punës.
Po kështu dy investime madhore të AlbChrome, me vlerë 5.2 milionë USD për Traverbankun e Klosit dhe 1.6 milionë USD për një makinë ngritëse në Pusin nr. 3 të Minierës së Kromit Bulqizë, janë investimet, që kompania pjesë e Grupit Balfin ka bërë gjatë muajve të fundit në sektorin jetik të mineralit të kromit, duke e çuar në 55.6 milionë USD totalin e investimeve në këtë sektor.
Për vitin 2020, Albchrome ka planifikuar të investojë në vlerën 10 milionë USD.
Investimet do jenë të fokusuara në: hapjen e vendburimit të Qafë Buallit, zhvillimin e projektit të thellësisë të Minierës Bulqizë, zbatimin e projektit të sistemit të pluhurkapjes në UFK Elbasan, drejtim të teknologjisë dhe automatizimit të uzinave dhe minierës, përfundimin e remontit të furrës nr. 3 në UFK Elbasan.
Çmimi i energjisë
Mungesa e një bashkëpunimi ose zgjidhje të shpejtë për çmimin e energjisë – prodhimi shqiptar rrezikon të mbetet jo konkurruese në tregjet ndërkombëtare me pasoja për ekonominë. Rënia e këtij sektori godet jo vetëm punësimin, por rrezikon të humbasë kapitalin human të angazhuar në këtë sektor, të humbasë atraktivitetin dhe interesin e krijuar për industrinë nga investitorë të brendshëm dhe të jashtëm dhe të ndikojë drejtpërdrejt në reduktimin e eksporteve shqiptare me rreth 150 milion USD në vit
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.