Festat e fundvitit, Qeveria dhe bizneset në “luftë” për orarin dhe masat

15/12/2020 1:19 PM 0 komente

Nuk do të ketë masa lehtësuese gjatë fundvitit, këtë vendim e ka bërë të qartë vet ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj. Por, me këtë nuk po pajtohen pronarët e lokaleve në Kosovë. Gastronomët po kërkojnë zgjatjen e orarit të funksionimit për bizneset. Me masat e fundit, të marra nga institucionet është vënë ora policore nga ora 19:00 për qytetarët por edhe mbylljen e bizneseve.

Që nga marsi e deri më tani, shëndeti publik dhe ekonomia në Kosovë është goditur nga pandemia dhe masat e vendosura nga institucionet publike.

Masat e marra nga Qeveria e Kosovës nuk i kanë përkrahur kurrë Gastronomët. Pronarët e bizneseve janë ankuar çdo herë se nga masat e Qeverisë janë dëmtuar shumë.

Ankesa dhe kërkesa Gastronomët kanë edhe tash kur jemi në prag të festave të fundvitit.

Ata po kërkojnë që të zgjatët orari i punës.

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, përmes një njoftimi, ka theksuar se shteti ka pasur disa tentativa modeste që të ndikoj në ekonomi si rrjedhojë e situatës së krijuar me pandeminë, por që sipas tyre këto tentativa ishin të pasuksesshme.

“Duke marrë parasysh situatën dhe mos-efektivitetin e masave, ne njëzëri edhe me Odat dhe Shoqatat tjera sektoriale, i bëjmë thirrje Qeverisë që të drejtojë fokusin drejtë çështjeve ekonomike dhe të ngrisë nivelin e dialogut publiko-privat. Rrjedhimisht, ne konsiderojmë të domosdoshme zgjatjen e orarit të funksionimit të bizneseve dhe unifikimit të tij për të gjitha komunat në mënyrë që të mundësohet operimi normal i bizneseve gjithmonë duke marrë parasysh rekomandimet e OBSH-së”.

Kjo shoqata ka thënë se vetëm zgjatja e orarit i shpëton nga falimentimi.

“Respektivisht, sipas rezultateve të hulumtimit të SHGK-së, po të lejohej që bizneset të veprojnë në rrethana normale (pa kufizime kohore), 45% e bizneseve kanë raportuar që do t’iu duhet më shumë se një (1) vit për t’u rikuperuar. Ndërsa, 43% prej tyre janë shprehur se do t’iu duhet 3-12 muaj që të kthehen në gjendje normale të funksionimit. Për këto arsye, zgjatja e orarit pashmangshmërisht duhet të ndodhë”.

Mirëpo, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj sot e ka bërë të qartë vendimin e tij.

Ai ka thënë se nuk do të ketë masa lehtësuese gjatë fundvitit.

Zemaj thotë se nuk do të ketë zgjatje të orarit pavarësisht se disa komuna kanë lëvizur pozitivisht dhe nuk janë më në zonë të rrezikshmërisë.

“Duhet të jemi të sinqertë. Ne bëjmë vlerësime javore, rritja e virusit në vendet perëndimore dhe ato të rajonit është shqetësuese dhe po ashtu edhe numri i vdekjeve…Do të ndërmarrim masa kufizuese. Me datën 18 përfundon edhe pjesa e parë e vitit shkollor dhe do të shohim se në cila segmente tjera mund të arrijmë që ta parandalojmë grumbullimin krahas masave që kemi fuqi. E them edhe sot, nuk do të ketë lehtësim të masave do të ketë disa kufizime. Nuk do të ketë as zgjatje të orarit pavarësisht që disa komune kanë lëvizur pozitivisht, kanë kaluar nga zona e rrezikshmërisë”.

Ministri Zemaj ka thënë  se vetëm gjatë katër javëve janë më shumë se një persona që janë shtruar në spitalet e vendit.

“Vetëm gjatë këtyre katër jave kemi më shumë se një mijë njerëz që janë të shtruar në spitalet tona, përjashtuar qendrat kryesore të mjekësisë familjare, kemi 12-13 mijë që janë infektuar pavarësisht që shumica prej tyre që nuk kanë simptoma ose kanë simptoma të rralla dhe nuk i nënshtrohen terapisë së rëndë, mund të ketë edhe raste të caktuara që kanë hasur në vështirësi qoftë në marrjen e ndonjë shërbimi ne kërkojmë mirëkuptimin e tyre”.

Pesë viktima dhe 329 raste të reja me koronavirus u raportuan të hënën në Kosovë. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) tha se viktimat janë regjistruar në: Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Fushë Kosovë dhe Suharekë.

Rastet e reja pozitive, ndërkaq, rezultuan nga testimi i 1,327 mostrave.

Numri më i madh i tyre u regjistrua në Prishtinë: 149.

IKSHPK-ja po ashtu tha se në 24 orët e fundit, 555 pacientë janë shëruar nga koronavirusi.

Kosova, në total, ka konfirmuar 46,909 raste me koronavirus. Prej tyre, 1,203 pacientë kanë vdekur dhe 34,155 janë shëruar. Raste aktive aktualisht janë 11,551.

Ndaj kufizimit të lëvizjes dhe orarit të veprimtarisë për bizneset vazhdimisht ka pas zëra se moslejimi i punës veçse po thellon krizën ekonomike në vend.

Zgjatjen e orarit po e kërkojnë edhe nga Rrjeti për Shitje me Pakicë.

Nga Rrjeti për Shitje me Pakicë, Yllka Metaj ka ilustruar mesataren e infektimeve për muajin tetor, nëntor e dhjetor, me ç’rast thotë se kufizimi i orarit nuk ka pasur rezultat.

“Rrjeti i Shitësve me Pakicë ka ripërsëritur kërkesën ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës për zgjatjen e orarit të punës dhe në të njëjtën kohë unifikimin e këtij orari të punës. Kanë kaluar rreth një muaj prej masave të fundit të vendosura nga Qeveria e Kosovës me të cilat janë kufizuar orari i punës por që numrat po tregojnë që nuk kanë pasur ndikimin e dëshiruar këto mase […] është evidente që kufizimi i orarit të punës me duhet të rishikohet edhe njëherë të paktën me u zgjatë ose edhe me u largu. I bëjmë qeverisë thirrje të drejtojnë fokusin drejt çështjeve ekonomike dhe të ngrisin nivelin e dialogut publiko-privat. Rrjedhimisht ne e konsiderojmë të domosdoshme zgjatjen e orarit të lejuar të punës dhe unifikimin e tij në gjitha komunat në mënyrë që të mundësohet operimin normal i bizneseve gjithmonë duke marrë parasysh rekomandimet e OBSH-së.

Ndërsa, Hysen Sogojeva nga Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës veç heqjes së kufizimit të orarit ka kërkuar edhe që në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike të përfshihet edhe veprimtaria e turizmit e cila siç thotë ai kjo veprimtari ka qenë më e dëmtuara nga kjo situatë.

“Ne jemi edhe për një kërkesë që është e domosdoshme sepse si dihet veprimtarie e Hotelerive Turistike ka qenë më e atakuara, prandaj dhe në Ligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike ndikohet që shpërndarja e atyre mjeteve të jetë në fokus të kësaj veprimtarie në mënyrë që mos të derdhen paratë në ato veprimtaria ku nuk ka nevojë. Shpërndarja e mjeteve të jetë ashtu siç duhet”, ka thënë ai në konferencën për media.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of