Organi i qeverisë botërore të futbollit, FIFA, vendosi të mbrojë lojtarët e huaj të prekur nga konflikti në Ukrainë, duke i lejuar ata që të pezullojnë kontratat deri në fund të qershorit 2023.
Në fillim të muajit, Andriy Pavelko, presidenti i Federatës Ukrainase të Futbollit, zbuloi detajet e bisedimeve me krerët e FIFA-s dhe UEFA-s, për rifillimin e ndeshjeve për meshkuj dhe femra në vend, në mënyrë të sigurt në gusht.
Lojtarët e huaj, të cilët kanë kontrata me klubet ukrainase, janë larguar që pas fillimit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia në shkurt, dhe nuk dihet nëse do të kthehen, nëse kampionati do të rifillonte pas dy muajsh.
UEFA do t’i lejojë, për pasojë, lojtarët dhe trajnerët të vendosin të vonojnë rikthimin e tyre dhe kontratat do të mbeten në fuqi. Zbutja e rregullave është gjithashtu një përpjekje për të ndëshkuar më tej Rusinë.
“Nëse klubet e lidhura me Federatën Ukrainase të Futbollit (UAF) apo Unionin e Futbollit të Rusisë (FUR) nuk do të arrijnë një marrëveshje reciproke me lojtarët apo trajnerët përkatës të huaj brenda apo më 30 qershor 2022, dhe nëse nuk është rënë dakord ndryshe me shkrim, këta lojtarë dhe trajnerë do të kenë të drejtë të pezullojnë kontratat e punës me klubet e tyre deri më 30 qershor 2023”, thuhet në një deklaratë të FIFA-s.
“Këto dispozita u japin lojtarëve dhe trajnerëve mundësinë për t’u stërvitur, për të luajtur dhe për të marrë pagë, duke mbrojtur në të njëjtën kohë klubet ukrainase dhe duke lehtësuar largimin e lojtarëve dhe trajnerëve të huaj nga Rusia”.
FIFA do të vijojë të monitorojë nga afër situatën në Ukrainë për t’u siguruar që kuadri normativ do të përshtatet në varësi të çdo zhvillimi të ri”.
FIFA gjithashtu dënon përdorimin e vazhdueshëm të forcës nga Rusia në Ukrainë dhe bën thirrje për ndërprerje të shpejtë të luftës dhe kthimin e paqes”.
Burime pranë bisedimeve thanë për Reuters se lojtarët që nuk kanë kombësi ukrainase dhe me kontratë me klubet ukrainase, të cilët pezullojnë kontratën e tyre para apo më 30 qershor 2022, do të konsiderohen “pa kontratë” deri më qershor 2023 dhe do të jenë të lirë të nënshkruajnë marrëveshje kudo në këtë periudhë.
Që nga fillimi i luftës, më 24 shkurt, Rusia ka ridimensionuar ambiciet e luftës së saj, duke tërhequr trupat nga kryeqyteti i Kievit dhe duke e përqendruar sulmin në rajonin lindor të Donbasit.
Rusia thotë se është përfshirë në “një operacion ushtarak special” në Ukrainë.
/ Reuters