FIFA regjistroi të ardhura rekord prej 7.6 miliardë dollarësh në ciklin 2019-2022 dhe parashikon një rritje të madhe të të ardhurave prej 4.560 milionë dollarësh, për një total prej 11.000 milionë dollarësh për ciklin 2023-2026, i cili do të arrijë kulmin me Kupën e Botës të zgjeruar në 48 skuadra që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
FIFA mbështetet te Kupa e Botës për meshkuj, për të financuar aktivitetet e saj për gjithë ciklin 4-vjeçar dhe viti i Kupës së Botës Katar 2022 gjeneroi 5.769 miliardë dollarë, një shumë rekord për FIFA, në rritje 24% krahasuar me 2018-n.
Nga kjo shifër rekord në vitin 2022, janë paguar 3.404 miliardë dollarë, nga të cilat 59% shkuan për organizimin dhe mbarëvajtjen e Kupës së Botës 2022 në Katar dhe ngjarje të tjera të FIFA-s.
“Rezultati neto për vitin 2022 ishte 2.368 milionë dollarë, i cili kompensoi rezultatet strukturore negative për tre vitet e para të ciklit, duke sjellë një rezultat neto prej 1.187 miliardë dollarësh për gjithë ciklin 2019-2022, më shumë se 11 herë më i lartë se rezultati neto i buxhetuar”, tha FIFA në Raportin e saj Vjetor 2022 (Annual Report 2022).
FIFA deklaroi se pasuria e saj totale ishte 6.796 milionë dollarë në fund të vitit 2022. Rezervat e FIFA-s arritën një rekord të ri prej 3.971 milionë dollarësh, 45% më shumë krahasuar me nivelin e arritur në fund të ciklit 2015-2018.
Në një shpjegim disi të veçantë të suksesit ekonomik të ciklit, presidenti i FIFA, Gianni Infantino, deklaroi: “Investimi i paprecendentë i FIFA në futboll është rezultat i transparencës sonë financiare solide dhe përfaqëson shembullin konkret se si ne po synojmë ta bëjmë futbollin me të vërtetë global”.
Më logjike ishte deklarata e tij se “suksesi i jashtëzakonshëm i Kupës së Botës FIFA 2022 në Katar ishte kyç për aftësinë e organizatës, në përmbushjen e misionit të saj në lidhje me shoqatat tona anëtare dhe me botën e futbollit, pavarësisht sfidave të shumta me të cilat u përballëm gjatë ciklit të kaluar, e fundit pandemia COVID-19”.
Zoti bekoftë Amerikën
Fitorja e madhe për FIFA-n në bilancin 2023-26 do të vijë falë rritjes së madhe të parashikuar në zhvillimin dhe shitjen e biletave për Kupën e Botës 2026, në një nivel buxheti rekord prej 3.097 miliardë dollarësh, me 16 qytete mikpritëse dhe stadiume me kapacitet të madh dhe në avangardë.
Bëhet fjalë për një rritje të madhe prej 2.59 miliardë dollarësh krahasuar me Kupën e Botës Katar 2022.
FIFA ka sjellë brenda organizatës shitjen e biletave dhe mikpritjes, si dhe ka braktisur modelin e mëparshëm të tarifave të të drejtave, ku shërbimet e mikpritjes së FIFA-s ishin të jashtme.
FIFA parashikon edhe një rritje më modeste të të ardhurave nga të drejtat televizive, që do të arrijnë në 4.264 miliardë dollarë (me rritje 964 milionë dollarë), me 43% të shitjeve të të drejtave televizive tashmë të kontraktuara.
Shitjet e të drejtave të marketingut (sponsorizimet e mëdha) parashikohet të arrijnë në 2.693 milionë dollarë, me rritje 927 milionë dollarë, falë tranzicionit të FIFA drejt një gjeografie më të favorshme ndaj sponsorëve. FIFA tha se 21% ishte kontraktuar tashmë më 31 dhjetor 2022.
FIFA deklaroi se ka planifikuar 3.839 miliardë dollarë për zhvillimin e Kupës së Botës 2026. Ajo do të shpenzojë 435 milionë dollarë për Kupën e Botës për femra në vitin 2023, e cila do të zhvillohet në Australi dhe në Zelandën e Re.