Me futbollistët e transferuar që po përshtaten te klubet e reja për sezonin e ardhshëm, FIFA publikoi raportin International Transfer Snapshot (qershor – gusht 2021), i cili analizon situatën e transferimeve të futbollistëve në merkaton e fundit të transferimeve.
Në lidhje me vëllimin e transferimeve në lojën për meshkuj, FIFA thotë se shifrat janë të ngjashme me ato të vitit të kaluar, kur pandemia e koronavirusit pati efektin e parë të madh, me 7.748 transferime ndërkombëtare, që përfshinjë lojtarët profesionistë meshkuj.
Efekti më i ndjeshëm ishte vijimi i tendencës në rënie të komisioneve të transferimit.
Komisionet totale të merkatos së fundit arritën në 3.72 miliardë dollarë, në rënie me 7.5% krahasuar me vitin 2020, prej 4.02 miliardë dollarësh, dhe pak më shumë se 60% nga shifra rekord prej 5.8 miliardë dollarësh në 2019-n.
Duke i ndarë transferimet sipas llojit, FIFA tha: “Pjesa më e madhe e transferimeve të përfunduara përfshinin lojtarë të cilëve u kishte përfunduar kontrata (58.6%), ndërsa huazimet dhe rikthimet nga huazimet përfaqësonin së bashku 26.6% të të gjitha aktiviteteve të transferimit. Transferimet e përhershme nga klubi në klub përbënin 14.8% të pjesës së mbetur.”.
Vendet europiane dominojnë si në numrin e transferimeve, shpenzimet për transferime dhe në të ardhura. Brazili dhe Argjentina janë të vetme Federata joeuropiane që kanë siguruar një vend ndër dhjetë të parat.
“Anglia kryeson në të gjitha klasifikimet, përveç njërit, me klubet angleze që kanë kryer më shumë transferime hyrëse dhe dalëse dhe kanë shpenzuar më shumë në komisione transferimesh krahasuar me gjithë Federatat në mbarë botën.
Klubet angleze renditen në vend të tretë edhe sa u përket të ardhurave nga komisionet e transferimit ndërkombëtar. Në këtë klasifikim të parët renditen klubet gjermane me 462,7 milionë dollarë, ndjekur nga klubet franceze, me 457,3 milionë dollarë.