Ormani, një fshat me 450 familje në zonën e Korçës, përjetoi minutat e tij të famës pas një deklarate të Kryeministrit që lidhej me pataten. Atyre ju kërkua të heqin dorë nga prodhimi i tradicional i kësaj kulture, pasi nuk mund të konkurrojnë as në cilësi as në çmim me pataten e importit. Qeveria u hodhi dorashkën fermerëve të Juglindjes duke i sfiduar në mbjelljen e kulturave të tjera, por a është e vërtetë ajo që u tha?
Sot, patatja e Korçës po konkurron me atë të Kosovës dhe Serbisë në pozita të pabarabarta. Atyre u subvencionohet nafta, fara e sa e sa lehtësi të tjera që nxjerrin pataten në koston 10 lekë/kg.
Kurse korçarët kanë një kosto 15-18 lekë/kg si rezultat i plehrave kimike më të shtrenjta, naftës së pasubvencionuar, ujitjes akrobatike me pompa nga lumi. Në dy alternativa që ekzistojnë, që është heqja dorë e fermerëve nga kultivimi i patates apo krijimi i lehtësive nga qeveria për t’i bërë ata konkurrues, qeveria zgjodhi të parën
Nga Nertila Maho
Është e vështirë të varësh shpresën, ushqimin dhe shkollimin e fëmijës dhe gjithë shpenzimet e familjes në “një rrënjë patate”. Mund të jetë një vit i mbarë dhe të marrësh një prodhim të mirë, duke krijuar pak të ardhura që do të të mbajnë gjallë frymën, deri në stinën tjetër. Por gjasat janë që, edhe kur prodhimi ka qenë i mirë, t’i shohësh tek i merr lumi kur nuk ke shitur asnjë kilogram.
Ky i dyti është rasti i dhjetëra e dhjetëra familjeve në Orman të Korçës, të cilët sot kanë stok prodhimin e patates që shkon me mijëra kuintalë. Nuk është e vështirë të gjesh dikë në fshat që ka pataten e pashitur. Janë me shumicë ata që ofrohen të të tregojnë kavaleta të tëra të mbuluara në oborre, që fare mirë mund t’i shquash dhe vetë. Grupi i atyre që kanë magazina të mëdha të mbushura plot, edhe pse më i pakët në numër, të “përplas” në fytyrë humbjen vjetore që shkon mbi 5 milionë lekë për secilin a në mos më shumë.
Kërkuam dikë që të na flasë si përfaqësues i të gjithëve dhe banorët na çuan te njëra nga magazinat e fshatit. Takojmë Pero Krekën, i cili na fton të hyjmë brenda sapo e pyesim për çfarë kemi ardhur. Në magazinën e ndarë në dy pjesë shohim katër punëtore që po bëjnë rregullimin e qepës në disa thasë që, mesa kuptojmë, janë një porosi e fundit për shitje. Gati dy e treta e sipërfaqes së magazinës është me qepë të kuqe dhe të bardha që kanë nxjerrë filiza, çka do të thotë se gjasat që ato të shiten janë minimizuar shumë, pasi cikli i tyre po përfundon. Në ndarjen tjetër, shohim pataten që në një pjesë është ende normale për konsum, ndërsa në pjesën tjetër, lastarët kanë shpërthyer gjithandej.
Shkëlqimi i patates së Ormanit në ish-Bllok
Një deklaratë e kryeministrit që kërkonte “revolucionarizim” të mentalitetit të korçarëve që të mos mbillnin më patate, por mollë, dhe se patatja e kësaj zone nuk ishte cilësore, pasi ishte e bardhë, ka revoltuar banorët.
“E dëgjuam kryeministrin për atë që tha, por ne ju garantojmë që është patate cilësore. E dini ju që nga ndërmarrja e Plasës, ku grumbullohej prodhimi i zonës sonë në kohën e komunizmit, ish-Blloku merrte konsumin. Po, po patatja dhe mishi i derrit që konsumonin aty merreshin nga zona jonë. Tani na thuhet që nuk kemi prodhime cilësore”, shprehet një nga banorët e fshatit.
Pero Kreka, i cili mësojmë se është edhe kryekomunari i zonës e ndërpret duke i thënë që ta fokusojmë çështjen te problemi që kanë. Sipas tij, zona e Ormanit, por edhe fshatrat rrotull, kanë mbjellë tradicionalisht patate edhe në kohën kur ishin kooperativat. Herë pas here, sipas tij, njerëzit kanë eksperimentuar me kultura të tjera, por në fund janë rikthyer te patatja, pasi është kultura kryesore e kësaj zone. Ai vetë shprehet se këtë vit, problemi lidhet me pataten dhe qepën e lirë që kanë hyrë nga Serbia dhe Kosova. Kjo ka bërë që në magazinë të ketë 800 kuintalë qepë të pashitur dhe 2 000 kuintalë patate.
Lepuri fle te kostoja, s’ka rëndësi çfarë mbjell
Për banorët e Ormanit nuk ka shumë rëndësi çfarë zgjedh të mbjellësh, sepse në fund, kostoja del e lartë dhe kjo lidhet me faktin se janë të disavantazhuar që në fillim me konkurrentët. “Koston e kemi rreth 60% më të shtrenjtë. Në fshatin tonë, patatja del 16-18 lekë/kg kurse në Kosovë del me 8 cent. Kam parë gjithë Kosovën dhe kostoja është rreth 10 lekë. Normalisht, del më lirë dhe kjo bën që dhe tregtarët të furnizohen andej. Ata kanë lehtësi të shumta, pasi fara vjen pa asnjë doganë, pra nuk ka TVSH, vjen siç blihet në Holandë. Nafta subvencionohet dhe plehrat kimike janë 40% më pak sesa janë tek ne. Kjo është arsyeja pse tek ne, kostoja është rreth 8 lekë kg më shumë. Po ashtu, ata kanë ujitje të avancuar elektrike”, shprehet Pero Kreka.
I njëjti skenar vlen edhe për qepën, e cila sërish del dukshëm më shtrenjtë në kosto. Ai shprehet se, në një takim me Kryebashkiakun e Korçës, drejtoren e Bujqësisë së zonës si dhe me përfaqësues të ministrisë, kanë kërkuar që të shihet mundësia për të përjashtuar nga TVSH-ja farat për të subvencionuar naftën apo edhe inputet e tjera bujqësore. “Vetëm kur të jemi të barabartë me konkurrentët tanë në kushte, mund të konkurrojmë si të barabartë edhe në treg. Sot që flasim, nuk jemi në këto pozita”, – nënvizon Kreka.
Shumica e banorëve kanë parcela me nga 5 dynymë tokë, të cilat i mbjellin ose me qepë ose me patate sepse pemëtaria do një investim më të madh përpos faktit që futja në prodhim kërkon disa vite. “Unë kam 10 dynymë tokë në total. Mbolla patate dhe kam 5 kuintalë. Kostoja shkon 15-16 lekë. Sot as në kosto nuk po vjen kush të na i marrë. Nuk e di çfarë do ndodhë se unë kaq kam. Tek ajo tokë e kam kokën dhe me ato para do mbaja veten dhe fëmijët. Nëse nuk shiten, nuk do të mbjell asgjë”, – shprehet një tjetër banor që e gjejmë në oborrin e shtëpisë së tij pas orientimit që na bëri nipi i tij. Është një shtëpi modeste, e ndërtuar me tulla të kuqe në krah të shtëpisë së vjetër, të kthyer në gërmadhë. Është një pamje që e gjen në krijimet e Migjenit ajo që ke përballë, që e bën gri e më gri koha me shi dhe era e ftohtë që karakterizon këtë zonë në shkurt.
Strategjitë që ndryshojnë, duke përmbysur traditën
Është e vështirë të bindësh një korçar që ka tërë jetën që kultivon patate të ndryshojë orientim dhe të mbjellë lajthi apo arra. Vetë banorët e Ormanit, një fshat me 450 familje, mundohen të vënë buzën në gaz kur u kujton që kryeministri ka thënë të mos mbjellin më patate.
Jo se kjo u duket si shaka, por sepse e njohin vendin ku kanë lindur dhe janë rritur më mirë se sallat pompoze të politikës dhe përpara se këtë këshillë ta jepte Kryeministri, ata e kanë testuar vetë dhe rezultati ka qenë një humbje me sukses.
“Për ndryshimin e kulturave duhet që të jepen orientime nga qeveria. Deri më sot, nuk na ka thënë kush çfarë mbillni dhe çfarë korrni. E para, kemi mbjellë grurë dhe ka arritur sa edhe me 25 lekë ka shkuar kilogrami dhe na mbeti. Para katër vjetësh, na ka mbetur molla me 10 lekë. Mos shihni këto dy vitet e fundit që ka ecur, se ka ndryshuar klima, por ka pasur raste kur ka çelur molla ka shkuar temperatura me minus dhe prodhimi ka qenë sa 30% e asaj që prisnim.
Megjithatë, ata që e kanë mbjellë në Dvoran dhe në Orman po e presin vetëm prej kushteve klimatike. “Tani kemi dëgjuar që na thonë të mbjellim lajthi dhe arra, por lajthia hyn në prodhim për 6 vjet, kurse arra do jo më pak se 10 vjet. Këtu çdo familje mund të ketë 3-6 dynymë tokë, nëse i mbjellim me lajthi dhe arra, me çfarë do të jetojnë këto familje derisa të hyjnë në prodhim plantacionet. Nuk e dimë fare çfarë drejtimi do t’i jepet kësaj çështje”, – shprehet kryekomunari i Ormanit.
Ndryshimet që sjellin strategjitë jo gjithmonë duhen paragjykuar, por ajo që mund të shihet me rezervë në këtë mes është afati me të cilin ato ndryshojnë dhe hyjnë në fuqi. Për një ekspert të njohur të sektorit në rajonin e Korçës, njëkohësisht dekan në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Korçës, Gjergji Mero, ndryshimet duhet të bëhen hap pas hapi. “Ka lindur tani së fundmi ky problemi me pataten e Ormanit, që thonë se nuk tregtohet. Faktikisht, duhet pasur kujdes që politikat që ndërmerren apo masat të mos hyjnë menjëherë në zbatim. Ajo zonë e kishte mbjellë atë patate dhe nuk e dinin që në strategjinë e re, patatja nuk është në prioritet dhe mund të mbetet e pashitur. Pra duhen bërë hap pas hapi ndryshimet, duke i paralajmëruar që të mos mbjellin (në rastin e Ormanit pataten), sepse ajo nuk është prioritet dhe tregu i huaj ta sjell me 10-20 lekë.
Kjo nuk është bërë. Fermerët investojnë dhe prodhimi iu mbetet pa shitur. Fermerët kanë nevojë edhe të orientohen, sepse po mbjellin tani pemëtari apo kanë pemëtore që i kanë mbjellë para ca vitesh dhe mollët nuk janë nga ato që kërkon tregu. Janë në disa raste varietete që nuk janë shumë të pëlqyera. Të investosh në pemëtore dhe më pas t’ju thuash që nuk janë të duhurat për tregun, janë vite të tëra, 5-10 vite, dhe ndaj do një strategji pak më afatgjatë, jo një sot për nesër. Patatja është diçka që e mbolle sot e merr prodhimin këtë vit, pemëtaria do vite të tëra dhe ndaj kjo thirrja për të mos mbjellë patate ju erdhi disi e papritur fermerëve të kësaj zone “shprehet Mero.
Sipas tij, zgjidhja për punën e patates apo kulturave të tjera duhet të bëhet me një studim të veçantë. “Patatja në tregun botëror ka prekur edhe nivelin 15 lekë kur fermerit tonë s’i del në kosto kaq. Aty tek ajo zonë duhet bërë një studim për të parë përveç patates a shkon gjë tjetër. Dhe nëse nuk shkon, atëherë nuk mund t’i vdesësh ata banorë, por do t’u thuash që do të mbjellin patate dhe ne do të gjejmë tregun ose do të bëjmë kontratë”, nënvizon ai.
“Alergjia” nga kooperativa, i mban fermerët e ndarë, humbasin shansin për kontrata
Për ekspertin Gjergji Mero, bujqësia jonë karakterizohet nga tre problematika kryesore. E para ka të bëjë me mungesën e vullnetit për të bashkëpunuar që ekziston mes fermerëve, e dyta me parcelizimin e lartë të tokës dhe e treta, me mungesën e certifikimit. Këto problematika bëjnë që në finale, secili të shesë për vete dhe ta lërë veten në dorën e fatit, ndërkohë që nëse do të kishte bashkëpunim mund të bëheshin kontrata, që garantonin shitje të sigurt. Por edhe kontratat duan prodhim të sigurt dhe sot bujqësia nuk ka një historik të mbajtur, për të parë mundësinë e prodhimit.
“Problemi që shoh unë lidhet me mungesën e të dhënave të sakta, historikun e prodhimit, mollë apo patate dhe çdo produkt tjetër. Duke mos pasur këtë bazë të dhënash, ne nuk japim dot siguri për prodhimin e vitit pasardhës që të bëhen edhe kontrata paraprake. Kjo mungesë informacioni bën që asnjëherë të mos bëhen kontrata dhe ne punojmë pa kontrata. Këtë vit ishte rastësi që nga moti, Polonia Rusia e disa vende të tjera për shkak të kohës nuk patën prodhim të mollës dhe tërhoqën gjithë mollën e Korçës nga tregu ynë me çmim të lartë. Këtë vit, me shumë gjasa do të mbjellin të gjithë mollë”, shprehet Mero.
Ai sjell në vëmendje një rast që mund të ishte një histori suksesi, nëse do të ishte trajtuar siç duhet. Bëhet fjalë për qershinë e Dvoranit, e cila u kërkua nga tregtarët izraelitë dhe palestinezë. “Fermerët nuk gjejnë gjuhën e përbashkët. Nuk bashkohen të paktën në shitje. Po nuk u bënë shoqatë, asnjëherë nuk do të arrijnë dot të negociojnë siç duhet. Unë do t’ju sjell rastin e Dvoranit me qershitë. Para dy vitesh, kishte një prodhim të madh dhe të gjithë familjet kanë në pronësi plantacione me qershi. Erdhi një tregtar nga Palestina dhe një nga Izraeli dhe morën dy kamionë me nga 30 tonë qershi.
Pas kësaj, ata kërkuan që të shihej mundësia e kontratës, sepse zona ka prodhim të konsiderueshëm, por vunë si kusht që të gjendej një grumbullues, në mënyrë që negociata të mos bëhej familje më familje. Pra dikush duhet ta grumbullojë në një pikë grumbullimi, me frigoriferë të mëdhenj. Dolën dy grumbullues që të bënin këtë proces, por askush nga fshati nuk ua shiti, duke i kthyer pas me fjalën se do ta shesim vetë, se fitojmë më shumë. Është çështje mentaliteti”, – nënvizon dekani i Universitetit Bujqësor të Korçës.
Ministria e Bujqësisë: Patatja “në negociata”, ja zgjidhja afatgjatë për fermerët
Ministria për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural duket se nuk ka një plan konkret për zgjidhjen e situatës me stokun e patates në zonën e Korçës. Zyrtarisht, interesit të “Monitor” për këtë çështje, ministria ju përgjigj duke deklaruar se nuk ka sot në dorë instrumente për të ndërhyrë në treg, në disfavor të produkteve që hyjnë nga jashtë. Kjo praktikë, sipas saj, është ezauruar që në momentin që je pjesë e Organizatës Botërore të Tregtisë e një seri marrëveshjeve të tjera. “Nga ana njerëzore, ne e kuptojmë që familjet që kanë sot stokun e patateve në zonën e Korçës janë në një situatë të vështirë dhe ne po mundohemi që të gjejmë mënyrën për t’i ndihmuar, duke kontaktuar me tregtarët. Por ne nuk mund t’i imponohemi tregut dhe të shkelim parimet e tij. Nuk mund të bëjmë blerje të drejtpërdrejtë si institucion. Nuk është kjo zgjidhja. Sot fermeri duhet të orientohet drejt kulturave që kërkon tregu, në mënyrë që të mos kemi të tilla situata. Do të shohim për t’i asistuar dhe për t’i drejtuar përmes Skemës Kombëtare të Mbështetjes, por fermerët duhet të bashkohen në mënyrë që të kenë forcë negociuese. Vetëm përmes prodhimit të konsiderueshëm dhe negocimit të përbashkët, mund t’ju imponohesh tregtarëve të mëdhenj për çmim, njëkohësisht mund të garantosh shitjen përmes kontratave. Në listën me 15 produkte për zonën e Korçës janë disa që shihen si prioritet. Vlen të përmendet që të paktën tek mollët të kihet kujdes, pasi edhe në të kaluarën janë mbjellë disa varietete që nuk i kërkon tregu. Duke pasur parasysh edhe çështjen e riskut klimatik, për herë të parë këtë vit është futur një instrument garancie në skemën e mbështetjes, që lidhet me primin e sigurimit të të mbjellave. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural merr përsipër që të paguajë deri në 50% të primit, por jo më shumë se 4% të vlerës së mbulimit për fermerët. Ne si ministri kemi kërkuar edhe që të përjashtohen nga TVSH inputet bujqësore, por që duhet të kuptojmë që kjo nuk është vetëm në dorën tonë”, – thanë përfaqësues të Ministrisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.