Fillojnë të ndihen pasojat e tërmetit, kredia për ekonominë në rënie në janar

28/02/2020 11:17 AM 0 komente

Kredia për ekonominë ka shënuar rënie në janar, pas muajsh të tërë që ishte rritur ndjeshëm. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i huasë në fund të janarit arriti në 568.8 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej 0.3% në raport me muajin e mëparshëm.

Të dhënat e detajuara tregojnë se rënia është ndikuar nga tkurrja e kredisë në lekë për bizneset. Stoku i huasë në lekë për sipërmarrjet zbriti në 138.6 miliardë lekë, me një tkurrje prej 2%.

Shqipëria u godit në 26 nëntor nga një tërmet me pasoja shkatërruese, sidomos në zonën e Durrësit, duke krijuar një stepje të përgjithshme tek planet për investime të bizneseve. Një raport i mëparshëm i Bankës së Shqipërisë konstatoi se tërmeti i 26 nëntorit frenoi kërkesën për kredi në Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme. Për vetë natyrën e brishtë të aktivitetit ekonomik të Ndërmarrjeve të Vogla dhe te Mesme, pasojat e tërmetit të 26 nëntorit 2019 mund të kenë ndikim të lartë tek kjo kategori i biznesit vlerësoi Banka e Shqipërisë. Në fund të vitit 2019, kredia për SME-të përbënte 11.6% të PBB-së, ose 0.7 pikë përqindje më shumë se një vit më parë.

Ndryshe nga bizneset, huaja për individët vijoi rritjen, duke u zgjeruar me 0.2% me bazë mujore në janar, pas tkurrjes së muajit të mëparshëm.

Me bazë vjetore (janar 2020/janar 2019), huaja për ekonominë është rritur me 6%, si rrjedhojë e përformancës së mirë të vitit 2019. Banka e Shqipërisë raportoi se politika monetare stimuluese, ristrukturimi i sektorit bankar dhe përmirësimi i bilanceve të tij, kanë nxitur një rritje më të shpejtë të kreditimit.

Sipas llojit të monedhës, kredia në lekë përbënte 52.63% të totalit në janar, me një rënie të lehtë nga 52.84% që ishte ky treguar muajin e mëparshëm, për shkak të ecurisë së dobët të kredisë në lekë në janar.

 

Dëmet nga tërmeti

Sipas “vlerësimitë të nevojave post fatkeqësisë”, në total, dëmet e tërmetit të 26 nëntorit arritën në 1 miliardë euro. 700 milionë euro janë dëme në banesat e qytetarëve, të cilat janë shembur plotësisht ose kanë dëmtime të pjesshme. 150 milionë euro është fatura e dëmeve tek fabrikat dhe njësitë prodhuese të biznesit, ndërsa pjesa e mbetur prej 150 milionë eurosh të tjera janë dëme në veprat publike si shkollë rrugë dhe spitale.

Në sektorin e biznesit dhe punësimit, 714 biznese (8% e totalit të bizneseve) u dëmtuan dhe, si pasojë, aktivitetet e tyre gjithashtu u prekën. Një total prej 438 punonjësish nga 56 biznese prodhuese zyrtare humbën përkohësisht punën e tyre, ashtu si dhe 79 të punësuar nga 124 biznese zyrtare në industrinë e tregtisë. Humbja e vlerësuar e të ardhurave është 1.93 milion EUR (0.24 miliardë lekë). Në nënsektorin e Turizmit ka pasur dëme në 18 akomodime publike dhe private në Durrës, dhe në 42 objekte ushqimore dhe pije kryesisht në Durrës. Nga të gjitha humbjet në turizëm, 97% është për shkak të rënies së parashikuar të vizitorëve të huaj nga viti 2020 deri në vitin 2022. Në nënsektorin e Trashëgimisë Kulturore, dy muze kombëtar dhe tre muze lokal u klasifikuan si të pasigurt dhe janë akoma të mbyllura për publikun, ndërsa 23 monumente dhe site shtesë u klasifikuan si rrezik të lartë dhe 30 monumente të tjera si rrezik mesatar. Dëmet në nënsektorin e Bujqësisë ishin të vogla dhe lidhen me inputet dhe pajisjet bujqësore. Pati dëmtime në argjinaturat dhe stacionet e kullimit të ujit në Durrës dhe Lezhë, si dhe në Institutin për Sigurinë e Ushqimit dhe ndërtesën e Veterinarisë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of