Filo: Si e krijuam modelin Korça në turizëm, një copëz Europë në Shqipëri

19/03/2019 4:13 PM 0 komente

Turizmi është një nga drejtimet kryesore të zhvillimit ekonomik për Bashkinë e Korçës dhe kjo nuk ka qenë spontane, por pjesë e vizionit dhe strategjisë sonë të zhvillimit, tha kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo.

Me investime në rrjetin e ri të ujësjellës-kanalizimeve, Korça u bë qyteti i parë në Shqipëri me 24 orë ujë të pijshëm. Rikthyem kalldrëmin në lagjet tradicionale e filluam të rikonstruktonim blloqet e banimit në qendër e periferi. Projektuam e ndërtuam Zonën Këmbësore e kështu me projekte e investime madhore.

Korça filloi të merrte trajtën e një qyteti europian, tha Filo. Kryetari i Bashkisë së Korçës pohoi se synojnë të sjellin në nivel të qëndrueshëm turizmin në fshatrat e bashkisë dhe shtoi se largimi i popullsisë mbetet një sfidë për qeverisjen lokale. Ai tha se njerëzit nga Korça largohen për shkak të kostove që sjell dimri më i gjatë. Filo tregoi se si u kthye Korça në një model për turizmin e brendshëm.

 

Zoti Filo, qyteti i Korçës është kthyer vitet e fundit në një qendër graviteti për turizmin e brendshëm…

Ajo që ka ndodhur me Korçën në këtë dekadë është njëherazi fenomen dhe model. Modeli se si me vizion të qartë, shumë punë e dashuri, lokalitetet mund të transformohen duke përmirësuar jetën e banorëve që jetojnë aty, por duke rritur edhe interesin e vizitorëve, të cilët në terma ekonomikë përkthehen në të ardhura të shtuara për ekonominë e bizneset lokale.

Vite më parë ndodhte që vizitorët e Juglindjes të ndaleshin deri në Pogradec, por jo në Korçë, edhe pse Korça kishte po të njëjtën bukuri natyrore, traditë e trashëgimi. Me sa duket thjesht e shkuara e ndritur e Korçës nuk mjaftonte për ta bërë qytetin dhe rrethinat e tij tërheqëse, interesante për vizitorë vendas e të huaj.

Në këto vite, bashkia ka punuar për t’i dhënë Korçës shkëlqimin e ri, duke hartuar e duke zbatuar projekte të cilat kanë synuar përmirësimin e plotë të infrastrukturës në qytet e fshatra, në promovimin e vlerave më të mira të traditës, si dhe krijimin e vlerave të reja.

Thatë që e nisët me investimet në infrastrukturë. Çfarë bëtë së pari?

Me investime madhore si rrjeti i ri i ujësjellës-kanalizimeve, Korça u bë qyteti i parë në Shqipëri me 24 orë ujë të pijshëm. Rikthyem kalldrëmin në lagjet tradicionale e filluam të rikonstruktonim blloqet e banimit në qendër e periferi. Projektuam e ndërtuam Zonën Këmbësore e kështu më projekte e investime madhore. Korça nisi të marrë trajtën e një qyteti europian. Gëzohem shumë kur dëgjoj të thonë ata që e vizitojnë Korçën e rikthehen me po të njëjtën dashuri këtu: është një copëz Europe në Shqipërinë tonë të vogël. Dhe e tillë është Korça, me rrugë të pastra, me investime të mëdha, me njerëz gjithë optimizëm që rikonstruktojnë vilat e banesat e tyre, një pjesë i kthejnë në bujtina sepse Korça akoma nuk i nxë dot të gjithë ata që duan ta vizitojnë në çdo stinë.

Si niset ta marketoni Korçën si qytet turistik?

Për të nxitur zhvillimin e turizmit, krijuam së pari një paketë eventesh dhe festash të mëdha, të cilat jo vetëm promovuan traditat e spikatura të Korçës dhe produktet lokale, por edhe i sollën qytetit gëzimin dhe gjallërinë e munguar për shumë vite. Festat dhe marketimi i gjerë i tyre u bënë magneti i parë qindra vizitorë që mbushnin hotelet jo vetëm të Korçës por edhe të fshatrave e qyteteve fqinje në ditët e Festës së Birrës, Festivalit Ndërkombëtar të Karnavaleve apo Panairit të Fundvitit.

Krijuam e vijojmë të kemi një paketë të plotë të ngjarjeve kombëtare, mbarëkombëtare e ndërkombëtare, tashmë të kthyera në traditë si Kolonia Ndërkombëtare e Skulpturës së Parkut, Kolonia e Pikturës “Ditët e Mios”, Festivali Ndërkombëtar i Karnavaleve, Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë KoKoFest e deri te ngjarja elitare kushtuar muzikës klasike MIK Festival, nën kujdesin e së madhes Inva Mula. Artistë pjesëmarrës e të ftuar në këto evente u bënë ambasadorët e Korçës në vendet prej nga vinin. Jehona e këtyre eventeve e marketoi Korçën si një qytet plot art e jetë të pasur brenda, që krahas rrugicave e ndërtesave tradicionale e bëjnë pashmangshmërisht, destinacion unik.

Cilat janë planet për konsolidimin e mëtejshëm të Korçës turistike?

Sot, shifrat flasin për rritje dinamike të numrit të vizitorëve dhe bizneseve të shërbimit në funksion të turizmit. Vetëm në vitin e fundit, Korçës i janë shtuar rreth 35 hotele dhe njësi akomodimi çka tregon se turizmi është veç të tjerave një drejtim i duhur i zhvillimit ekonomik të Korçës.

Ne po vijojmë me përmirësimin e infrastrukturës tashmë edhe në fshatrat pjesë e bashkisë së madhe. Modeli i rehabilitimit të Voskopojës është modeli se si fshatrat duhet të zhvillohen duke përmirësuar infrastrukturën e duke promovuar vlerat më të mira të traditës që mbartin. Sot numri i shtretërve të Voskopojës është i barabartë me numrin e shtretërve të Beratit dhe ky fakt flet shumë. Kemi hartuar një paketë të plotë projektesh të lidhura me turizmin që përfshin qytetin Korçës dhe fshatrat, për perspektivën e këtij drejtimi shumë të rëndësishëm zhvillimi.

Cilat janë sfidat e mëtejshme të zhvillimit ekonomik të Bashkisë?

– Rritja e mundësive për punësim
– Kthimi i Korçës në një qytet rinor universitar
– Rritja ekonomike në fshat
– Zhvillimi i agroturizmit

Cilat janë avantazhet dhe dizavantazhet që ka Korça në raport me qarqet e tjera dhe si mund të ndihmojë qeveria qendrore më tej?

Avantazhet:
– Tradita e mirë
– Modeli i suksesshëm i zhvillimit ekonomik
– Pozicioni gjeografik (vend kufitar me dy shtete)
– Emigracioni si burim të ardhurash

Dizavantazhe:
– Largësia me Tiranën (nevoja e shkurtimit të distancës me rrugët e reja nacionale)
– Largimi i popullsisë për shkak të mundësive të kufizuara në punësim si dhe kostos më të lartë të jetesës në Korçë (dimri i gjatë dhe i kushtueshëm)
– Ngrohja e qytetit me dru zjarri. Sjell probleme në ndotjen e mjedisit dhe dëmtimin e pyjeve. Gjetje e mënyrave alternative për ngrohje me kosto më të ulët dhe ndikim më të vogël në mjedis.

Si ka ndikuar reforma e re territoriale në qeverisjen lokale?

Punë dhe përgjegjësi e shtuar. Situata që gjetëm në fshatra, mjaft problematike. Mungesë investimesh, ujësjellës etj. Sfidë e re për bashkinë: shtrirja e standardit të shërbimeve dhe investimeve edhe në fshatrat e bashkisë së madhe. Modeli se si duhen transformuar fshatrat: projekti madhor që zbatuam në Voskopojë, i cili do të shtrihet edhe në fshatrat e tjerë turistikë të Korçës.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of