Davidi përballë Goliatit. Italia, edhe një herë, do të ndeshet me Anglinë. Me fjalë të tjera Inter – Manchester City. Kjo do të jetë finalja e edicionit 2022/2023 të Champions League.
Një edicion disi surprizë, që çuditërisht e riktheu Italinë të përballet me klubet e mëdha të Europës, duke arritur – si në rastin e zikaltërve – deri në fund.
Megjithatë, një hap larg ëndrrës, zikaltërit do të përballen me armatën e Manchester City të Pep Guardiola, të cilët mbrëmë poshtëruan me rezultatin 4 – 0, kampionët në fuqi të Europës – Real Madrid e Carlo Ancelotti-t, klubi i cili ka fituar më shumë trofe Champions League.
Inter – Manchester City – një sfidë me armë të pabarabarta
Nëse euroderbi pasqyroi parashikimet në favor të Inter, të dhënat e ndeshjes në finalen e ardhshme, që do të luhet më 10 qershor në Stamboll, janë në favor të Manchester City, superior në çdo aspekt ekonomik krahasuar me klubin zikaltër. Ose ndryshe, Goliati i madh kundër Davidit të vogël.
Sipas të dhënave të transfermarkt.it, Manchester City ka skuadrën më të kushtueshme në Europë dhe në Angli, me vlerë 1,05 miliardë euro, thuajse dyfishi krahasuar me Inter, me vlerë skuadre 534,45 milionë euro.
Nëse në ekipin zikaltër, Lautaro Martinez është i vetmi futbollist me vlerë tregu 80 milionë euro, te Manchester City janë pesë lojtarë: Erling Haaland, Phil Poden, Kevin
De Bruyne, Bernardo Silva dhe Rodri. Për më tepër, vetëm Haaland ka vlerë 170 milionë euro, futbollisti i dytë me vlerën më të lartë në botë, pas Kylian Mbappé.
Manchester City vlen katër herë më shumë se Inter
Sipas Forbes, Manchester City, në pronësi të sheikut Mansour bin Zayed Al Nahyan, në vitin 2022 renditej në dhjetë klubet e futbollit me vlerën më të lartë në botë (4,25 miliardë dollarë), me rritje 6% krahasuar me vitin 2021. Kjo shifër është katërfish më shumë se ajo e ekipit të Inter, me president Steven Zhang.
Inter renditet në vendin e 15-të (me 1 miliard dollarë), pas Juventus dhe Milan, pavarësisht se regjistroi rritje me 35% krahasuar me vitin 2021. Por edhe në lidhje me markat, Manchester City dhe Inter s’mund të krahasohen.
Sipas Brand Finance, marka e Manchester City vlen 1.32 miliardë euro, vetëm pas Real Madrid, i sapo eliminuar në Champions League. Ekipi i Inter renditet i 14-ti, me vlerë 495 milionë euro. Thuajse tre herë më pak se rivalët.
Fondi i pagave
Sipas të dhënave të mbledhura nga Capology, në total, vlera e fondit të pagave te Manchester City tejkalojnë 186 milionë paund (më shumë se 200 milionë euro).
Për më tepër, Pep Guardiola është një ndër trajnerët më të paguar në botë, me pagë, që sipas Calcio e Finanza arrin në 23 milionë euro në sezon.
Edhe pse është ekipi i dytë i Serisë A në lidhje me fondin e pagave, skuadra zikaltër ndalet në 133 milionë euro, siç theksohet nga Gazzetta dello Sport.