Financat bëjnë kthesë: Do lehtësojmë procedurat për biznesin

02/06/2016 1:50 PM 0 komente

Në shtator të vitit të kaluar, qeveria nisi një aksion për luftën kundër informalitetit. Pavarësisht se kjo nismë u mirëprit në thelb, agresiviteti me të cilin ajo u zbatua dhe vendosja e penaliteteve mjaft të ashpra përtej proporcionalitetit dhe masave penale (të gjitha të pakonsultuara me biznesin) krijuan një klimë mjaft të pafavorshme te sipërmarrjet, që u reflektua në tkurrjen e investimeve të brendshme, por edhe stepjen e investitorëve të huaj…

 Pasi vendosën sanksione mjaft të rënda në ligjin e procedurave tatimore në fund të vitit të kaluar, të cilat u rrëzuan nga Gjykata Kushtetuese, financat kanë ndryshuar tërësisht strategji. Ministria e Financave po punon aktualisht për thjeshtësimin e procedurave dhe lehtësive fiskale. Në një letër që Ministri i Financave Arben Ahmetaj u ka dërguar shoqatave të biznesit, thuhet se paketa e re me të cilën po punohet në Ministrinë e Financave ka hyrë në një proces të gjerë konsultimi me sipërmarrjen në të gjithë vendin.  

Sipas ministrit janë mbi 350 propozime të ardhura nga komuniteti i biznesit në vend, të cilat janë reflektuar në draft-ligj. “Disa element të cilët dëshiro t’i veçoj si tejet të rëndësishëm janë e drejta e sipërmarrjes për t’u vetëkorrigjuar pa penalitet për një periudhë 5 vjeçare, detyrimi i administratës për njoftimin e sipërmarrjes 45 ditë para se të ushtrojë kontroll, koncepti i precedentit fiskal për zbatimin e legjislacionit, rikonceptimi i strukturës së apelimit, vendimet e të cilit do të jenë finale për administratën fiskale”, thuhet në letrën që ministri u ka dërguar dhomave dhe shoqatave të biznesit.

Në shtator të vitit të kaluar, qeveria nisi një aksion për luftën kundër informalitetit. Pavarësisht se kjo nismë u mirëprit në thelb, agresiviteti me të cilin ajo u zbatua dhe vendosja e penaliteteve mjaft të ashpra përtej proporcionalitetit dhe masave penale (të gjitha të pakonsultuara me biznesin) krijuan një klimë mjaft të pafavorshme te sipërmarrjet, që u reflektua në tkurrjen e investimeve të brendshme, por edhe stepjen e investitorëve të huaj.

E kombinuar me rritjen dy vjet radhazi e taksave (tatim fitimi dhe dividenti u bënë nga 10 në 15% dhe taksa të tjera indirekte u shtuan ), kjo çoi në një përkeqësim të besimit të bizneseve në vend.

Indeksi i Dhomës Amerikan i publikuar dje shënoi një rënie të ndjeshme, me gati 9 pikë përqindje, teksa 90% e treguesve të matur ishin në përkeqësim. Rënie të ndjeshme kishin shënuar dhe marrëdhëniet me tatimet e doganet që në indeksin e mëparshëm kishin qenë më pak problematiket.  (Lexo: Indeksi i Biznesit i Dhomës Amerikane bie me 4.83 pikë përqindje; taksat shqetësimi kryesor).

Më parë, ministri i financave ka premtuar se nuk do të ketë më rritje taksash, por ende nuk ka folur për ulje të tyre.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of