Financat, borxhet e prapambetura kanë shkuar në 340 mln euro

30/10/2019 9:54 AM 0 komente

Ministrja e Financave, Anila Denaj deklaroi se qeveria do të vazhdojë shlyerjen e borxheve të prapambetura nga tatimi mbi vlerën e shtuar pavarësisht ecurisë së të ardhurave në buxhet.

“Shqetësimi i borxheve të prapamvbetura është i të gjithëve, edhe i Ministrisë së Financave. Ne këtë vit kemi projektuar në buxhet 19 miliardë lekë dhe kjo shifër nuk do të preket nga ecuria e të ardhurave. Për vitin tjetër do ta shihni që do të shlyejmë edhe më shumë detyrime të prapambetura”, ka thënë Denaj.

Për periudhën janar-shtator të ardhurat në buxhet ishin rreth 7.9 miliardë lekë më pak se plani. Sipas ministres së financave, shkaku është ngadalësimi I ekonomisë, por edhe plani optimist i përcaktuar në fillim të vitit.

“Pavarësisht komenteve në raport me projeksionin, me vitin e kaluar të ardhurat janë rritur. Madje edhe në raport me rritjen ekonomike, që është një faktor bazë”, shton Denaj.

Qeveria shpreson që vitin e ardhshëm situata ekonomike të përmirësohet, por më pak nga sa ishte vlerësuar më parë. Kjo e bën edhe më të vështirë mbajtjen e financave në kontroll.

Sipas Kontrollit të lartë të shtetit në fund të vitit të kaluar, borxhet e prapambetura të shtetit përfshirë ato të bashkive arritën në 42 miliardë lekë ose rreth 340 milionë euro.

Klodian Tomorri

Top Channel

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of