Edhe pse kriza e Covid ka bërë të vështirë financimin në tregjet e huaja për shkak të tendencës në rritje të normave të interesit, Ministria e Financave do të vijojë me emetimin e Eurobondit. Burimet zyrtare nga Ministria e Financave pohuan se, vlera e Eurobondit të emetuar do të arrijë në 650 milionë euro nga rreth 500 milionë euro që planifikoi fillimisht Ministria e Financave dhe 600 mln euro që u bë shuma më vonë. Ministria e Financave pret të materializojë emetimin e Eurobondit brenda verës së këtij viti, ose maksimumi brenda vitit 2020.
Por ministria e Financave pohon se dhe tregu i brendshëm i borxhit është mjaft likuid në këtë periudhe, duke garantuar kështu financimin e deficitit buxhetor i cili pas krizës së Covid u dyfishuar duke arritur në -68 miliardë lekë me gjasë për tu rritur me tej gjatë vitit.
Blodin Cuci, administrator në Caesar Investment Advisory Services pohon se, në kushtet e reja të përkeqësimit të faktorëve makroekonomike që ka krijuar pandemia, investitorët në këto Eurobonde do të kërkojnë një normë interesi më të lartë në krahasim me periudhën pre-Covid 19.
“Në këtë këndvështrim, mund të flasim me bindje se për 2-3 vitet në vijim kemi hyrë në një regjim me norma më të larta interesi për vendet në zhvillim. Nga ky perceptim sigurisht që do të goditen edhe emetimet e Eurobondeve të ardhshme të Republikës së Shqipërisë” tha ai.
Çuçi tha se, aktualisht eurobondi Shqiptar 5-vjecar tregtohet në pellgun 3.4%. Pra, sipas perceptimeve të tregjeve financiare, nëse Republika e Shqipërisë do të emetonte sot një obligacion 5-vjecar, norma e interesit minimale që do të paguante është 3.4%
Nëse do të bënim një krahasim sasior, vihet re se për vendet me renditje të njëjtë me të Shqipërisë, normat e interesit janë aktualisht në pellgun 3%-4% për obligacionet 5-vjecare dhe 5.5%-6% për obligacionet 10-vjecare, analizoi Çuçi. Për shëmbull, aktualish, Eurobondi Turk (renditja B+) me maturim në vitin 2025 po tregtohet në pellgun 4% normë interesi. Eurobondi i Malit të Zi (renditja B+) me afat maturimi në vitin 2025 tregtohet me 3.4%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.