Ministri i Financave Shkëlqim Cani, në deklaratën e tij para deputetëve, nuk ka folur as për rinovim kontrate dhe as për ndërprerjen e kontratës me shoqërinë angleze të konsulencës“Crown Agents”.
Ministri i Financave i ka kthyer këtë përgjigje pyetjes së një deputeteje të opozitës: “Dua vetëm t’ju jap 2-3 sqarime. Nuk po bëjmë fjalë gjëkundi për zgjatje kontrate! Të mos keqinformohet publiku ose deputetët të mos kenë keqkuptime. Asgjëkundi nuk është folur për rinovim, apo për zgjatje kontrate. Kontrata është dy vite”.
Duke iu drejtuar deputetes që bëri pyetjen, ministri Cani shtoi: “Nuk e keni ngritur ju këtë shqetësim, pakënaqësinë lidhur me këtë çështje e ka ngritur Ministri i Financave tek Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ne nuk jemi nga ata që i mbulojnë gjërat, ashtu siç e gjykuam që kemi probleme me zbatimin deri në fund të kontratës me Crown Agents. Ne e kemi shkruajtur këtë, i qëndrojmë asaj që kemi thënë. Unë, ministri i Financave, po ju them: “Kam vërejtje për Crown Agents dhe për doganat nëse e kanë zbatuar apo jo, siç duhet, kontratën; është e dyanshme kjo çështje”.
Ministria e Financave sqaron se çdo interpretim tjetër i kësaj përgjigje nuk i përgjigjet realitetit, është i pasaktë dhe tendencioz.
Një deklarim të tillë, Ministria e Financave e ka bërë një muaj më parë, kur është shprehur se: “Kontrata me “Crown Agents” nuk lidhet vetëm me të ardhurat. Kontrata me “Crown Agents” ka 4 baza kryesore që lidhen me luftën kundër korrupsionit, me miradministrimin, me elementë që kanë të bëjnë me përmirësimin e performancës dhe burimet njerëzore. Të gjitha këto do të çonin në një miradministrim, që ne shpresojmë se do të përkthehet në të ardhura. Kemi disa elementë kyç të performancës, që bazohen në realizimin më të mirë, më të shpejtë dhe më zbatues të këtyre katër faktorëve, ku ka një fokus të caktuar tek procedurat, antikontrabanda dhe antikorrupsioni, por dhe tek analiza e riskut. Shpresojmë se, duke ngritur një administratë më të mirë doganore, rezultat do të jetë rritja e të ardhurave. Rritja e të ardhurave nuk varet vetëm nga konsulenti. Kontrata është një kontratë konsulence, punën duhet ta bëjë dogana”, – theksoi një muaj më parë Ministria e Financave në një konferencë të posaçme për shtyp.
Një sqarim më i plotë për të interesuarit, lidhur me kontratën e mësipërme dhe performancën e administratës doganore, do të bëhet në ditët në vijim, gjatë muajit Prill, në komisionin e mësipërm të Kuvendit, pas kërkesës së bërë paraprakisht nga deputetët e tij.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.