Financat: Dëmi ekonomik nga njësitë publike 35 mln euro më 2018, kryesojnë prokurimet

26/06/2019 10:00 AM 0 komente

Ministria e Financave nëpërmjet Drejtorisë së Kontrollit të Brendshëm nga kontrollet e ushtruara gjatë vitit 2018 në njësitë  që operojnë me fonde publike ka gjetur dëm financiar 4,3 miliardë lekë ose 35 milionë euro.

Nga të dhënat u evidentua se gjatë vitit 2018, sistemi i prokurimeve ka pasur gjetjet me vlerë më të madhe të shkeljeve të konstatuara.

Gjatë këtij viti janë evidentuar nga audituesit e brendshëm 20 raste për investigim të mëtejshëm nga njësi të specializuara. Kryesisht: 2 raste Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës, 1 rast Ministria e Brendshme, 2 raste Ministria e Drejtësisë, 2 raste Ministria e Financave dhe Ekonomisë, 6 raste Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, 2 raste ALUIZNI, 3 raste Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe 2 raste Shërbimi Kombëtar i Punësimit.  

Tetë prej këtyre rasteve i janë drejtuar për investigim të mëtejshëm Drejtorisë së Inspektimit Financiar në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, tetë raste prokurorive të rretheve përkatëse, ndërsa rastet e tjera i janë drejtuar Agjencisë së Prokurimit dhe Drejtorisë së Hetimit Tatimor.

Gjatë 2018 strukturat e auditimit të brendshëm kanë realizuar 1,232 angazhime auditimi kundrejt 1,240 angazhime të programuara.

Nga të dhënat vërehet se gjatë vitit ka një numër të madh auditimesh të kombinuara (557 auditime) dhe auditime përputhshmërie (371 auditime), si dhe një numër i konsiderueshëm i auditimeve të paplanifikuara, 132 me kërkesë të titullarëve të njësive publike. 

Nga auditet shihet se ka mungesë të procedurave të shkruara në lidhje me procesin e identifikimit të risqeve, që kanë të bëjnë me korrupsionin apo mashtrimin, gjë që bën që menaxhimi të mos jetë i angazhuar në trajtimin e tyre, dhe rrjedhimisht, kontrollet e brendshme në proceset e ndryshme të punës nuk janë të bazuara në risk.

Ekziston një mungesë e konsiderueshme e koordinimit dhe komunikimit në lidhje me arritjen e objektivave dhe treguesve të performancës midis institucioneve eprore dhe njësive të tyre të varësisë, gjë e cila mund të përmirësohet nëpërmjet organizimit të trajnimeve të përbashkëta të këtyre njësive publike, për të siguruar një informacion sa më të konsoliduar dhe gjithëpërfshirës.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of