Ministria e Financës firmosi marrëveshjen e kredisë së eksportit për financimin e projektit të taksimit elektronik. Marrëveshja u firmos nga Ministri i Financave z. Ridvan Bode dhe për palën austriake z. Thomas Oberndorfer, menaxher i transaksioneve të shitjeve bankare.
Bode tha se : “ky projekt është pjesë e programit strategjik e-Government, i financuar nga qeveria austriake në kuadër të marrëveshjes dypalëshe të bashkëpunimit financiar, të nënshkruar në dhjetor 2010”.
Objektivi i projektit është të zbatojë një sistem të ri tatimor që do të përmbushë kërkesat funksionale dhe ligjore sipas standardeve europiane dhe do të ofrojë shërbime bashkëkohore për tatimpaguesit, duke bërë të mundur përafrimin e legjislacionit dhe të procedurave.
Ministri Bode tha se “nëpërmjet këtij projekti do të bëhet i mundur zëvendësimi i sistemit aktual dhe i nënsistemeve në përdorim nga administrata tatimore dhe tatimpaguesit,
duke dhënë mundësinë e rritjes së performancës të administratës dhe mbledhjes më eficente të të ardhurave. Blerja e një sistemi të tillë ofron avantazhin e implementimit në një periudhë të shkurtër të kritereve ligjore dhe teknike, në kombinim me një shkallë të gjerë fleksibiliteti për ndryshime në të ardhmen duke ofruar shërbime publike më cilësore dhe me kosto më të ulët”,
Për z. Thomas Oberndorfer kjo është një marrëveshje shumë e rëndësishme për Shqipërinë. Shuma e financimit që akordohet nga qeveria Austriake, nëpërmjet Erste Bank der Oesterreichischen Sparkassen AG, në cilësinë e bankës tregtare ndërmjetëse, është 10 milionë euro nëpërmjet një huaje të butë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.