Ministria e Financave ka hapur procesin për përmbushjen e 12 kapitujve në fushën e financave në kuadër përmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në Bashkimin Europian.
Edhe pse çelja e negociatave për anëtarësim u refuzua gjatë muajit tetor, Ministria e Financave ka hapur procesin për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga kriteri ekonomik sipas kapitujve të mëposhtëm:
-Kapitulli 1 – “Lëvizja e lirë e mallrave”
-Kapitulli 2 – “Lëvizja e lirë e punëtorëve”
-Kapitulli 3 – “E drejta e vendosjes dhe liria për të ofruar shërbime”
-Kapitulli 6 – “E drejta e vendosjes dhe liria për të ofruar shërbime”
-Kapitulli 7 – “E drejta e pronësisë intelektuale”
-Kapitulli 16 – “Tatimet”
-Kapitulli 20 – “Ndërmarrjet dhe politikat industriale”
-Kapitulli 28 — “Mbrojtja e Konsumatorit dhe shendetit Publik”
-Kapitulli 29 – “Doganat”
-Kapitulli 30 – “Marrëdhëniet me jashtë”
-Kapitulli 32 – “Kontrolli Financiar”
-Kapitulli 33 – “Financat dhe buxheti”
Për të gjithë kapitujt e mësipërm, Ministria e Financave ka ftuar të gjithë ekspertët e shoqërisë civile dhe grupe të tjera të interesit dhe botës akademike që të bëhen pjesë e diskutimeve.
Më herët gjatë muajit tetor, Bashkimi Europian nuk i hapi negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke zbehur shpresën e zgjerimit e mëtejshëm të BE në Ballkan.
Anëtarësimi në BE mbështetet në tre parime të përcaktuara në Këshillin e Kopenhagës në vitin 1993, një prej të cilëve është “Kriteri Ekonomik” (ekonomi tregu funksionale dhe e aftë për të përballuar konkurrueshmërinë brenda tregut të përbashkët europian). Sipas progres-raportit, Shqipëria është e përgatitur në mënyrë të moderuar për funksionimin e ekonomisë së tregut.
Hapja e negociatave dhe anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian do të kalojë në një proces të gjatë që konsiston në përputhjen e 31 kapitujve që përfshijnë të gjithë aktivitetin jetësor në vend, që nga demokracia dhe institucionet e saj deri tek kriteret ekonomike dhe sociale.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.