Ministria e Financave, në një prononcim zyrtar për “Monitor” tha se në vitin 2021 të ardhurat buxhetore u rritën, gjë e cila solli edhe ndryshimin e buxhetit me Akte Normative, në funksion edhe të rritjes së planit të investimeve publike.
Pjesa më e madhe e fondeve të miratuara me AN kanë shkuar për asimilimin e detyrimeve të prapambetura të krijuara më parë dhe për pagesat në projektet me ecuri të mirë.
Në mars të këtij viti, Ministria e rishikoi buxhetin ku, nga njëra anë, u reflektua një rritje prej 10 miliardë lekësh, dhe nga ana tjetër u reflektuan në total 10 miliardë lekë më tepër shpenzime, po sigurisht brenda këtij totali u alokuan 20 miliardë për mbështetje për energjinë dhe 5 miliardë për paketën e rezistencës, dhe ndërkohë u reduktuan 15 miliardë nga shpenzimet korente dhe ato kapitale me përkatësisht nga afërsisht 7.5 miliardë secila.
Në vitin 2021, sipas të dhënave zyrtare, 36% e fondeve për investime kapitale u përdorën në muajin dhjetor. Pse u veprua në këtë mënyrë dhe pse nuk respektuan parimet e miratuara në ligjin organik të buxhetit?
Gjatë vitit 2021, qeveria është treguar mjaft e kujdesshme në lidhje me pagesat për punët publike. Fillimi i vitit 2021 mbarti situata të pasigurta nga Covid-19, të cilat erdhën duke u minimizuar deri në fund të vitit. Gjatë periudhës janar-dhjetor, nga institucionet buxhetore është raportuar ecuri e mirë fizike mbi projektet dhe gjatë muajit dhjetor janë paraqitur faturat për punët e kryera.
Gjatë vitit të ardhurat buxhetore u rritën, gjë e cila solli edhe ndryshimin e buxhetit me Akte Normative, në funksion edhe të rritjes së planit të investimeve publike. Kështu me AN të miratuar në dhjetor është rritur plani i investimeve kapitale dhe konkretisht në fushën e Ujësjellës-Kanalizimeve, Transportit Rrugor etj.
Pjesa më e madhe e fondeve të miratuara me AN kanë shkuar për asimilimin e detyrimeve të prapambetura të krijuara më parë dhe për pagesat në projektet me ecuri të mirë. Në kushtet e përmirësimit të situatës së krijuar nga Covid-19, krijimit të likuiditeteve dhe rritjes së punimeve të kryera nga shoqëritë që zbatonin projektet në fund të vitit, pranë institucioneve buxhetore janë paraqitur faturat për pagesa.
Gjithashtu, nga ana jonë janë nxitur institucionet për realizimin e pagesave për të mos krijuar detyrime të prapambetura për punë të kryera.
Vetëm për 4-mujorin e parë 2022, suficiti buxhetor ishte mbi 34 miliardë lekë plus. Si parashikohet ecuria në vijim dhe nëse do të ruhen këto ritme, si të do të vijojë rishpërndarja e të ardhurave?
Mendohet pak a shumë që buxheti të vijojë të jetë me suficit gjatë gjysmës së parë të vitit, ashtu siç edhe ndodh në shumicën e viteve. Ndoshta këtë vit, ky trend suficitar gjatë pjesës së parë të vitit mund të jetë edhe disi më i theksuar se zakonisht në reflektim të të ardhurave më të larta nga njëra anë dhe shpenzimeve përkohësisht disi më të frenuara (veçanërisht shpenzimet për investime publike) nga ana tjetër, të dyja këto patjetër të lidhura me koniunkturat e nivelit të përgjithshëm të çmimeve dhe veçanërisht të disa produkteve kryesore (karburant, hekur, çimento, etj).
Ne kemi bërë një rishpërndarë tashmë në AN të marsit ku, nga njëra anë, u reflektua në buxhet një rritje prej 10 miliardë lekësh, dhe nga ana tjetër u reflektuan në total 10 miliardë lekë më tepër shpenzime, po sigurisht brenda këtij totali u alokuan 20 miliardë për mbështetje për energjinë dhe 5 miliardë për paketën e rezistencës, dhe ndërkohë u reduktuan 15 miliardë nga shpenzimet korente dhe ato kapitale me përkatësisht nga afërsisht 7.5 miliardë secila.
Në vijimësi patjetër do të shohim dhe analizojmë se si do të shkojnë zhvillimet në tërësi, atyre të financave publike më specifikisht, të ekonomisë, ndikimi në sektorë dhe shtresa të caktuara dhe në varësi të tërësisë së këtyre zhvillimeve, do të gjykojmë për vendimet më optimale buxhetore për këtë vit dhe vitin në vijim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.