Këtë vit, qeveria synon të miratojë ligjin e ri për taksën e pasurisë, i cili do të rrisë të ardhurat e bashkive dhe potencialin e tyre për të investuar.
Gjatë “Prezantimit të analizës së Performancës së Qeverisjes Vendore për vitin 2022”, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, deklaroi se në vitin 2022 katër bashki janë në vështirësi financiare, ndërsa 8 të tjera janë bashki me probleme financiare.
“Ka filluar një proces konsultimi publik, i cili synon të ndryshojë ligjin mbi taksën e pasurisë. Ai ka nisur që në fillim të këtij viti. Synojmë që brenda vitit të miratojmë ligjin. Nëpërmjet këtij ligji synojmë të rritet ndjeshëm taksa mbi pasurinë, që do të ndikojë ndjeshëm në të ardhurat e bashkive.
Ne do të mendojmë gjatë këtij viti, bashkë me donatorët një skemë të re, e cila do të incentivojë bashkitë që kanë performancë më të mirë, duke ekspozuar bashkitë që kanë perfomancë më të dobët.
Dua të ritheksoj edhe një herë rëndësinë e reformës mbi taksën e pronës. Është një taksë që ka potencial shumë të madh mbledhje dhe potencial shumë të madh të rritjes së të ardhurave të bashkive dhe kapacitetit të bashkive për të investuar.
Synohet që taksat për banesat të hyjnë në fuqi në 2026 ndërsa për tokat bujqësore në 2028. Nëpërmjet këtij ligji ne do të duam që tashmë taksa mbi pasurinë të vlerësohet mbi vlerën reale dhe jo mbi çmimet e referencës. Do të duhet një angazhim më i madh i të gjitha bashkive me qëllim bashkëpunimin, zbatimin e ligjit që do të miratohet por me qëllim mbledhjen e taksës në të gjithë vendin”.
Ministrja shtoi se gjatë vitit 2023 do të bëhen ndryshime edhe në mënyrën se si do të llogaritet performanca financiare e bashkive.
“Nëse deri këtë vit, ne performancnën financiare e llogarisnim bazuar në planin e buxhetit, tashmë do të analizohet bazuar në faktin e shpenzimeve dhe të ardhurave.
Kjo do të implikojë disa ndryshime në performancën që kanë bashkitë sot pasi diferenca mes planit dhe faktit është e ndjeshme. Që do të thotë se secili prej jush do të duhet të marrë masa të rëndësishme gjatë vitit me qëllim zbatimin e planifikimit që bëni”.
Krahasuar ne vitin 2021 ka një përmirësim në menaxhimin e bashkive.
“Nëse vjen në raportin e paraqitur në kishim 10 bashki me probleme financiare, sot ne kemi tetë bashki me probleme financiare.
Nëse vjet kishim shtatë bashki me vështirësi financiare, sot kemi katër të tilla.
Sipas bashkive, reduktimi i stokut të detyrimeve të prapambetura nga viti 2022 në vitin 2021, ne kemi pasur disa bashki që e kanë reduktuar stokun me më shumë 10%, posaçërisht Belshi, Malësia e Madhe, Roskoveci, Kuçova, Lezha, Konispoli dhe Poliçani, gjithashtu dhe Vora kanë ulur nivelin e detyrimeve të prapambetura se 10%.
Dy nga këto bashki, Poliçani vijon të jetë në probleme financiare dhe Vora vijon të jetë me vështirësi financiare”.
Disa bashki të tjera e kanë reduktuar stokun nga 5 deri në 10%.
“Ndryshimi ligjor që ne kemi miratuar synon të vërë disa kushtëzime për bashkitë, ku ato bashki kanë detyrime të prapambetura dhe kanë një buxhet i cili ende nuk është i alookuar, do të jenë të detyruar që një pjesë të këtij buxheti ta kalojnë detyrimisht për të paguar detyrimet e prapambetura apo për të paguar nënhuatë e garantuara nga qeveria, të cilat aktualisht paguhen nga qeveria”.
Ka pasur disa bashki që gjatë vitit 2022 kanë rritur stokun e detyrimeve të prapambetura.
“Kemi pasur një rritje të stokut me më shumë se 10%, aktualisht në bashkinë Libohovë, e cila sipas raportit është një bashki me probleme financiare”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Pershendetje zonja Ministre,
Para se te mendoni per rritje te taksave, mendoni si te ulni korrupsionin ne Qeverisjen Vendore, numerin e punonejsve militante te Partise ne Pushtet, pasi megjithese jane 61 Bashki vetem punonjesit e tyre si numer jane dyfishuar krahasuar me kur ishin 374 Bashki dhe Komuna, shIkoni KOstot e sherbimeve Publike qe jane rritur me disa here, pamvaresisht se cilesia e tyre nuk ka ndryshuar, beni keto analiza pastaj rritni taksat per qytetaret, nese do te jete e nevojshme. Pune te mbare zonje e nderuar!