Flet ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj
Në Aktin e Parë Normativ të Buxhetit, deficiti u zgjerua në 3.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin e fundit, parashikon një deficit më të zgjeruar prej 5.4% dhe ne nuk e përjashtojmë mundësinë për këtë skenar, tha Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, në një intervistë për Monitor.
Ajo sqaroi se rreth 700 milionë euro janë financime të siguruara tashmë nga mbështetja e FMN, BE, SHBA dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë. Denaj tha se, synohet emetimi i një Eurobondi me vlerë 650 milionë euro deri në verë. Rreth 4 miliardë lekë janë rialokuar nga shpenzimet, kryesisht nga anulimi dhe shtyrja e pagesave të koncesioneve.
Deri tani, institucione financiare ndërkombëtare si FMN, BE, BB dhe qeveria e SHBA janë angazhuar për të ndihmuar Shqipërinë në përballimin e krizës COVID-19. Sa mund të arrijnë financimet e huaja deri në fund të këtij viti?
Mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë është vlerësuar shumë nga qeveria shqiptare, ashtu sikundër duhet të vlerësohet edhe nga qytetarët. Qeveria është angazhuar në diskutime efektive me të gjithë partnerët për të eksploruar të gjitha mundësitë e financimit, që ofrohen nga partnerët, duke synuar përthithjen e shpejtë dhe vënien në dispozicion të fondeve në sektorët me nevojë emergjente.
Mbështetja financiare e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, na jep ndër të tjera edhe forcë dhe një sinjal të qartë që në luftën kundër pandemisë nuk jemi të vetëm. Ambasadorja Kim njoftoi mbështetjen prej 1.2 milionë USD për Shqipërinë, një ndihmë e madhe, për të cilën jemi më se mirënjohës.
Mbështetja e Bashkimit Europian po materializohet me shpejtësi, me ndihmën fillestare për strukturat shëndetësore tashmë të shndërruar në realitet. Në këtë kontekst po bëjmë përgatitjet edhe për mbështetjen në formë granti për sektorin e shëndetësisë, një financim që mund të mbulojë shpenzimet e nevojshme për të përballuar nevojat kundër COVID-19.
Kemi nisur gjithashtu diskutimet edhe me ekipet teknike për detajimin dhe krijimin e instrumenteve në përfitim të sipërmarrjes për mbështetjen financiare të vendosur në dispozicion për Rimëkëmbjen Ekonomike, prej 35 milionë eurosh.
Së fundmi, jemi në bisedime me Bashkimin Europian edhe për mobilizimin e Asistencës Makro-Financiare, një instrument i parashikuar mbi të gjitha për vendet anëtare në BE dhe i vendosur në dispozicion edhe të Shqipërisë në situatën e COVID-19. Kjo asistencë mund të mobilizojë së shpejti 150 milionë euro, një fond kredie mjaft e butë, me norma shumë të ulëta interesi dhe maturitet afatgjatë.
Ndërkohë institucionet financiare partnere gjithashtu kanë treguar gatishmëri të menjëhershme për mbështetjen financiare përmes instrumenteve në dispozicion. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka akorduar për Shqipërinë 174 milionë euro, nga fondi në përgjigje të krizave përmes Instrumentit të Përgjigjes së Shpejtë. Ky financim synon të vijë në ndihmë të problematikave të mundshme në Bilancin e Pagesave dhe mbart meritën e aksesimit në një periudhë shumë të shkurtër, duke ofruar hapësirë frymëmarrjeje për financat publike.
Banka Botërore ka ofruar lehtësinë e madhe për të orientuar financimet për projektet e përbashkëta në vend, drejt nevojës urgjente, përtej mbështetjes së re financiare që pritet të materializohet së shpejti.
Banka Islamike për Zhvillim po përgatit një instrument huaje të mirëpritur nga të gjitha vendet anëtare, me kushte financimi tepër të buta. Partnerë të tjerë të rëndësishëm si Banka Gjermane për Zhvillim, Agjencia Franceze e Zhvillimit, Banka e Këshillit të Europës do të mobilizojnë mbështetjen e tyre gjithashtu, në kuadër të COVID-19 ose jo.
Në tërësinë e tyre, financimet e mësipërme nga Institucionet Financiare Ndërkombëtare mund të arrijnë mbi 700 milionë euro, fonde të cilat sipas nevojës së qeverisë shqiptare mund të disbursohen në kohë të ndryshme. Por nuk duhet të harrojmë edhe mbështetjen në kuadër të Procesit të Rindërtimit, të cilat vijnë ekskluzivisht për këtë nevojë dhe do të jenë subjekt i transparencës së mëtejshme për publikun në vijim.
Qeveria shqiptare dhe ekipet teknike do të vlerësojnë të gjitha mundësitë deri në mbarim të situatës, për financime në mënyrë të përshkallëzuar, ashtu si dhe përgjigjet ndaj situatës së krijuar.
Me çfarë kushtesh do të jenë këto financime (interesat, afatet)?
Proceset negociuese dhe të mobilizimit të asistencës financiare nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë kanë synuar balancimin ndërmjet instrumenteve të vëna në dispozicion dhe të kërkuara nga qeveria shqiptare. Në rastet e financimeve me kredi, e cila sjell edhe pyetjen tuaj, MFE ka vlerësuar në mënyrë parësore ruajtjen e kushteve të kredive të buta.
Konkretisht, siç edhe e kam njoftuar më parë dhe siç do të bëhet e ditur së shpejti përmes dokumentacionit zyrtar, kushtet e Instrumentit të Përgjigjes së Shpejtë nga FMN përfshijnë një normë interesi 4.05% dhe një maturitet nga 3.5 deri në 5 vite. Në krye të 5 viteve, Shqipëria do të ketë shlyer me sukses këtë asistencë të shpejtë të FMN-së.
Ndërkohë edhe diskutimet për Asistencën Makro-Financiare të Bashkimit Europian pritet të kenë kushte maturimi afatgjata dhe normë interesi më të ulët. Për këtë asistencë, ndihmohemi edhe nga ecuria pozitive e Shqipërisë në Programin e Reformave Ekonomike, një ushtrim i realizuar së bashku me Bashkimin Europian. Kjo ecuri pozitive jep besimin e duhur pranë strukturave të BE-së se Shqipëria është një vend, i cili mund të asistohet me instrumente të buta duke mundësuar likuiditet.
Ndërkohë çdo asistencë tjetër ka kushtet specifike të negociuara dhe përcaktuara në draft marrëveshjet që po përgatiten ose ato ekzistuese. Në dallim nga mbështetja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, e cila vjen pa asnjë kusht për politikat e ekonomisë shqiptare, këto financime janë të lidhura edhe me avancimin e një sërë masave që Shqipëria ka marrë gjatë kësaj kohe dhe duhet të marrë në të ardhmen. Në pothuajse të gjitha rastet, ecuria e reformave ka qenë mjaft e mirë, element i cili na ndihmon edhe në marrëdhënien me donatorët dhe na lehtëson proceset e asistencës financiare, qoftë edhe në terma të huamarrjes.
Sa parashikohet të zgjerohet deficiti buxhetor dhe nga do të sigurohen financimet e tij?
Në këtë kohë të vështirë, është e rëndësishme të fokusohemi në dy linja: masat për të tejkaluar situatën dhe transparenca për qytetarët. Në kontekstin e indikatorëve makroekonomikë, këto dy shtylla linja janë në konvergjencë. Në Aktin e parë Normativ të Buxhetit, deficiti u zgjerua në 3.9% të PBB-së. Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e fundit, parashikon një deficit më të zgjeruar prej 5.4% dhe ne nuk përjashtojmë mundësinë për këtë skenar.
Qeveria shqiptare i beson fort ekipit të saj teknik dhe është e qartë për të gjithë teknikët, edhe jashtë qeverisë, që “përdorimi” i deficitit është kritik në këtë moment të goditjeve së ekonomitë botërore. Rëndësia lidhet me akomodimin e paketave të ndihmës dhe lënien në operacion të plotë të atyre që njihen si “stabilizatorë automatikë”, të cilët amortizojnë luhatjet e forta të ekonomive nga goditje si kjo e shkaktuar nga COVID-19. Këta stabilizatorë, e kryejnë funksionin e tyre mbi të gjitha për të ardhurat, të cilat do të pësojnë një reduktim të fortë, siç edhe u lajmërua që në krye të herës.
Qeveria shqiptare ka marrë masa edhe përmes shkurtimeve në shpenzime dhe dëshiroj të theksoj veçanërisht shkurtimet me mbi 4 miliardë lekë në kontratat koncesionare dhe të Partneriteteve Publike-Private apo rialokimet e mundshme brenda zërave të buxhetit të shtetit, të sqaruara në detaje në dy aktet normative. Orientimi i shpenzimeve drejt eficencës dhe efektivitetit në këtë situatë është bërë e qartë nga MFE për çdo institucion dhe për këtë do të vijojmë të kërkojmë me rigorozitet disiplinë, si kryefjalë në këto kohë të vështira.
Por thënë sa më sipër, më duhet të theksoj se ky relaksim fiskal apo politikë fiskale ekspansioniste do të jetë krejt e përkohshme dhe shumë e targetuar. Në harkun kohor të dy-tre viteve të ardhshme, financat publike shqiptare do t’i rikthehen balancës primare pozitive, trajektores solide dhe të qartë drejt konsolidimit fiskal. MFE po punon me skenarët e mundshëm të së ardhmes së afërt edhe me këtë qëllim, dhe për ne është e qartë që kjo situatë për financat publike do të jetë një përgjigje e përkohshme, për një goditje të përkohshme.
A po bëni përpjekje për të emetuar Eurobondin e planifikuar për vitin 2020?
Procesi për përgatitjen e emetimit të Eurobondit vijon normalisht, madje me vëmendje më të shtuar se më parë, në këtë situatë. Në dallim nga fillimi i vitit, sot faktorizojmë një shtesë prej 150 milionë eurosh për Eurbondin, duke arritur kështu shumën e 650 milionë eurosh. Edhe në këtë vlerë, Eurobondi ka gjasa të sigurta të materializohet brenda vitit 2020 dhe gjasa të mira të materializohet brenda verës së këtij viti, sipas planit fillestar të daljes në tregjet ndërkombëtare.
Ndërkohë, vlen të përmendim se sistemi ka qenë mjaft likuid dhe tregu i brendshëm i huamarrjes në përgjigje pozitive për kërkesën e shtuar të huamarrjes së brendshme të qeverisë shqiptare. Sigurisht, kjo rritje mbetet një masë e përkohshme për vitin 2020, duke vijuar ndoshta në një masë të lehtë në 2021 dhe për t’iu kthyer niveleve optimale të huamarrjes së brendshme prej 23 miliardë lekësh në vitin 2022.
Megjithatë është shumë e rëndësishme të theksohet, se në pothuajse të gjithë skenarët tanë, edhe në rastin se tregjet ndërkombëtare të pësojnë një mbyllje gjatë këtij viti, skenar me probabilitet të ulët, dhe Eurobondi të mos arrijë të emetohet, Buxheti i vitit 2020 rezulton tërësisht i financuar pa nevojë për masa “ad hoc”. Kështu, financat publike do të prisnin qetësisht, duke operuar brenda kritereve normale, një emetim të mëtejshëm të Eurobondit në gjysmën e parë të vitit 2021.
Eurobondi
Në pothuajse të gjithë skenarët tanë, edhe në rastin se tregjet ndërkombëtare të pësojnë një mbyllje gjatë këtij viti, skenar me probabilitet të ulët, dhe Eurobondi të mos arrijë të emetohet, Buxheti i vitit 2020 rezulton tërësisht i financuar pa nevojë për masa “ad hoc”.
A mendoni se për shkak të zhvillimeve të paparashikuara, buxheti i vitit 2020 mund të rishikohet më tej. Nëse po, çfarë do të synojnë rishikimet në sektorin e të ardhurave dhe shpenzimeve?
Ne nuk e përjashtojmë mundësinë e një rishikimi tjetër të Buxhetit të vitit 2020. Po përgatitemi për këtë skenar, për të shmangur pikërisht referencën si e “paparashikueshme”, element i cili nuk u pëlqen financave publike. Në këtë skenar, parashikojmë një balancim të radhës së të ardhurave dhe shpenzimeve dhe një rishikim të indikatorëve kryesorë makroekonomikë.
Këtë skenar e kemi lidhur me dy elemente kryesore: ecurinë e procesit të rifillimit të aktivitetit ekonomik dhe nevojën për masa të tjera në paketën e rimëkëmbjes ekonomike. Mbi të gjitha, në varësi të kësaj ecurie në tri fazat, që ka përmendur Kryeministri, po punohet si për Paketën ashtu sikundër edhe për rishikimet në krahët e të ardhurave dhe shpenzimeve. Besoj së bashku do të tregojmë pak durim deri sa të vijë momenti për zbardhjen e këtyre politikave buxhetore dhe masave afatshkurtra dhe afatgjata për sipërmarrjen dhe qytetarët shqiptarë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.