Intervistë me Rovena Dubali, Drejtore e Departamentit të Menaxhimit të Produkteve, Banka OTP Albania
Institucionet financiare në Shqipëri po shtojnë theksin në financimin e projekteve që ulin efektin negativ në mjedis, që rrisin efikasitetin në konsumin e energjisë dhe ulin gjurmët e karbonit.
Rovena Dubali, Drejtore e Departamentit të Menaxhimit të Produkteve në Divizionin Retail të Bankës OTP Albania, thotë për “Monitor” se në vitet e fundit, banka po e vë fokusin te produktet e eficiencës së energjisë për familjet. Sipas saj, kreditë e gjelbra më të përdorura nga klientët kanë shkuar në instalimin e sistemeve fotovoltaike për prodhimin e energjisë, investime në banesa për termoizolim si dhe sisteme ngrohje.
Sa i zhvilluar është në Shqipëri koncepti i “Financës së Gjelbër” dhe në ç’mënyrë reflektohet ky koncept në aktivitetin e bankave tregtare?
Ekonomia e gjelbër është e vetmja mënyrë për të pasur të ardhme të shëndetshme për brezat e rinj dhe vendin tonë. Si të gjitha industritë, edhe ajo bankare, ka rolin e saj mjaft të drejtpërdrejtë në vendosjen e gjurmës së gjelbër në Shqipëri. Thënë këto, financimi në ekonominë e gjelbër ka marrë rëndësi më të madhe gjatë viteve të fundit, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon.
Gjithmonë e më shumë, institucionet financiare po e vënë theksin te financimi i projekteve që ulin ose eliminojnë efektin negativ në mjedis, projekte që rrisin efikasitetin në konsumin e energjisë dhe ulin gjurmët e karbonit. Financimi në ekonominë e gjelbër është në linjë të plotë me parimet e Përgjegjësisë Sociale Korporative të Bankës OTP, për jetesë të shëndetshme dhe trashëgimi të kushteve cilësore të jetesës për brezat e ardhshëm.
Cilat janë produktet kryesore të kredisë që, në mënyrë direkte ose të tërthortë, kanë ndikim në mbrojtjen e mjedisit, uljen e emetimeve të gazrave të dëmshëm, etj.?
Banka OTP Albania, mbështetur nga BERZH, ofron produktin Kredia e Gjelbër GEFF, dedikuar individëve privatë për financimin e investimeve eficiente në banesa. Produktet bankare që përputhen me kredinë GEFF janë: kredi konsumatore e pakolateralizuar, kredi hipotekore (përfshirë rikonstruksionet), si dhe kredi për shtëpi (për banesa në të cilat janë kryer investime të njohura nga GEFF).
Cilat janë përfitimet kryesore që ofrojnë këto kredi për huamarrësit?
Për investimet që kryhen me financimin e kredisë së gjelbër GEFF në Bankën OTP, klientët marrin rimbursim nga BE, në vlerën deri në 20% të shumës së financuar me kredi.
Nga ana tjetër, me përdorimin e produkteve që ofrojnë efikasitet energjetik për përdoruesin, vetë përdoruesi kursen në afatgjatë në pagesa të energjisë elektrike krahasuar me përdorimin e një pajisje që nuk është certifikuar në këtë aspekt. Banka, favorizon përmes GEFF, pikërisht blerjen dhe përdorimin e sistemeve dhe pajisjeve të certifikuara si eficiente për energjinë dhe të miqësore për mjedisin.
Në cilët sektorë kanë rezultuar, deri më sot, të suksesshme kreditë e gjelbra?
Kreditë e gjelbra më të përdorura nga klientët kanë shkuar në instalimin e sistemeve fotovoltaike për prodhimin e energjisë, investime në banesa për termoizolim, si dhe sisteme ngrohje: pra, më së shumti të sektorëve të pajisjeve elektrike dhe teknologjive të avancuara për banesat dhe objektet rezidenciale.
A keni një listë të sektorëve ekonomikë që nuk i kreditoni, për shkak të ndikimit mjedisor apo social?
Në kuadër të zhvillimit të një biznesi tepër cilësor dhe me përgjegjësi të lartë sociale e korporative, Banka OTP është tërësisht e orientuar drejt financimeve të sektorëve ekonomikë me të njëjtin sens përgjegjshmërie apo impakti mjedisor.
Rrjedhimisht, sektorë të ekonomisë të cilët kanë efekt negativ social dhe në mjedis si tregtia e armëve, lojërat e fatit, kazino, tregtia e kafshëve të egra, prodhim e tregtim substancash të dëmshme, radioaktive, substanca që dëmtojnë ozonin, etj., nuk janë subjekt financimi apo krijimi të një marrëdhënie biznesi me bankën.
Cilat janë skemat kryesore të mbështetjes së kredive të gjelbra nga financues të huaj që aplikohen në Shqipëri? Cilat kanë rezultuar më të suksesshme deri më sot?
OTP Albania ofron kreditë e gjelbra në bashkëpunim me BERZH, për projektin e financimit të ekonomisë së gjelbër për Ballkanin Perëndimor që prej tetorit të 2020. Interes është shprehur nga individë për skemën e GEFF, pasi klienti, përveçse përfiton direkt deri në 20% rimbursim të shumës së investuar, por investimet e kryera sigurojnë kursim të konsumit të energjisë muaj pas muaj, dhe kthimi nga investimi është i prekshëm në një kohë jo shumë të gjatë pas instalimeve.
A reflektohen objektivat e tjerë të zhvillimit të qëndrueshëm në politikat tuaja të huadhënies? Nëse po, në cilat drejtime kryesore?
Investimi në teknologji eficiente dhe mbrojtëse të burimeve natyrore në terma afatgjatë dhe të qëndrueshëm, është investimi i drejtë dhe i duhur për jetesë të shëndetshme dhe ndikim pozitiv në mjedisin ku operojmë. Ky bashkëpunim ka një ndikim të konsiderueshëm për të ardhmen në drejtim të veprimeve të përbashkëta klimatike dhe zgjidhjeve të qëndrueshme në ekonomitë vendase.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.