Drejtuesit e ndërmarrjeve shumëkombëshe kanë shprehur besimin e tyre në të ardhmen e ndritshme të Kinës, edhe pse ky shtet është aktualisht duke luftuar me koronavirusin. Koronavirusi vdekjeprurës që shpërtheu për herë të parë në Kinën qendrore në dhjetor të vitit të kaluar është shndërruar në një krizë më të madhe, duke tronditur kështu jo vetëm jetën e përditshme të njerëzve, por edhe shumë industri të rëndësishme.
Sidoqoftë, lufta për të kontrolluar dhe për të izoluar të gjitha rastet e reja të infektuara me koronavirus duket sikur është stabilizuar gjatë ditëve të fundit. Ndërkohë, përpjekjet e vendit për të risjellë jetën e përditshme të njerëzve dhe punën e bizneseve të ndryshme përsëri në normalitet, kanë rritur besimin e operatorëve të huaj të biznesit në këtë shtet.
Merlin Swire, CEO i Grupit Swire me bazë në Hong Kong:
“Pa dyshim, që kjo epidemi ka pasur një ndikim shumë të lartë në mendjet dhe jetën e përditshme të njerëzve. Por qeveria kineze dhe njerëzit e saj kanë miratuar dhe kanë marrë masat më rigoroze parandaluese dhe kontrolluese për të luftuar virusin. Kam besim të plotë se nën udhëheqjen e aftë të qeverisë qendrore dhe me mbështetjen e dhjetëra mijëra profesionistëve dhe vullnetarëve të zellshëm dhe të guximshëm, Kina do ta kapërcejë këtë sfidë”.
Nathan Blecharczyk, bashkëthemelues i Airbnb dhe CEO i Airbnb në Kinë:
“Ne i vlerësojmë së tepërmi përpjekjet e shumta të popullit kinez për të luftuar virusin. Kjo krizë nuk do të ndikojë aspak në rëndësinë që ka Kina për ne si “Airbnb”. Ne do të vazhdojmë të investojmë në Kinë dhe të bëjmë gjithçka mundemi për të mbështetur komunitetin tonë që ndodhet në këtë shtet. Ne kemi besim të fortë te aftësitë e Kinës për ta fituar këtë betejë”.
Rich Lesser, CEO i Boston Consulting Group (BCG):
“Dua të arrij të tregoj se sa e angazhuar është BCG për të bërë një ndryshim pozitiv në këtë kohë të vështirë … Unë dua që ju të dini që Boston Consulting Group do të jetë në anën tuaj për të dhënë një kontribut në çfarëdo lloj mënyre që ne të mundemi … Unë jam i sigurt se ky shtet dhe komuniteti i tij i biznesit do ta përballojë me sukses edhe këtë sfidë të radhës”.
Scott Zhang, Presidenti i Honeywell në Kinë:
“Ne gjithmonë i besojmë fuqisë “Made in China” dhe forcës së ekonomisë së Kinës”.
“Si drejtues i një kompanie që ka qenë e rrënjosur thellë në Kinë për kaq shumë vite me radhë, unë jam krenar dhe mirënjohës që punonjësit dhe partnerët tanë kanë bërë përpjekje të mëdha në Shangai, Pekin, Nanjing, Wuhan, Xi’an dhe qytete të tjera për të kontribuar pozitivisht në këtë situatë të vështirë… Ne besojmë se po të qëndrojmë të bashkuar dhe të tregojmë solidaritet, do t’i japim sa më parë fund kësaj epidemie dhe do të përpiqemi të krijojmë një të ardhme sa më të ndritshme”.
Herbert Diess, CEO i Volkswagen Group:
“Unë po shikoj që miliona njerëz po bashkojnë forcat e tyre për të fituar betejën kundër koronavirusit. Megjithëse situata është shumë serioze, unë jam thellësisht i bindur që Kina do ta kapërcejë atë me solidaritet dhe dinjitet … Ne jetojmë në një botë dhe i ndajmë me njëri-tjetrin të gjitha sfidat e njerëzimit, sepse vetëm së bashku ne mund t’i zgjidhim ato vërtet”.
Jim Fitterling, CEO i Dow:
“Unë jam befasuar nga qëndrueshmëria e kolegëve kinezë të Dow, në po të njëjtën mënyrë që jam befasuar edhe me këmbënguljen dhe vendosmërinë e Kinës për ta menaxhuar këtë krizë”.
Pikërisht një krizë e tillë na ka kujtuar edhe një herë se ne jemi të ndërlidhur ngushtësisht me njëri-tjetrin. Prandaj ajo që do të prekë partnerët tanë tregtarë apo miqtë tanë, do të na prekë edhe ne… Dhe të gjithë ne, mezi po presim që të rifillojmë sa më parë biznesin tonë si zakonisht”.
Niels Christianen, CEO i Lego:
“Ne do të vazhdojmë marrëdhëniet tona me Kinën, njësoj siç kemi bërë edhe më përpara. Ne do të vazhdojmë investimet, do të vazhdojmë me zhvillimin e mëtejshëm të organizatës sonë në këtë shtet dhe do të përpiqemi që ta bëjmë sa më të njohur markën Lego në Kinë”.
“ Qeveria ka ndërmarrë masa shumë serioze në një kohë shumë të shkurtër dhe ka nxjerrë udhëzime mjaft të qarta… Ne i kemi ndjekur hap pas hapi ato udhëzime dhe jemi shumë të sigurt se këto masa konkrete do të ndikojnë për ta parandaluar atë sa më parë të jetë e mundur”.
Dimitri de Vreeze, bashkëthemelues dhe CEO i Royal DSM:
“Koronavirusi ka pasur një ndikim shumë të madh në mendjet dhe jetët e të gjithë neve. Por ndërkohë qeveria kineze ka marrë të gjitha masat e duhura për ta përballuar sa më mirë një situatë të tillë dhe mbi të gjitha brenda një kohe shumë të shkurtër”.
“Pyetja më e shpeshtë që bëhet në këtë kohë është: “A do të shërohet Kina?” Unë mendoj se kjo është pyetja e gabuar, sepse e sakta sipas meje është: “Kur do të shërohet Kina?” Unë mendoj se kjo është pyetja e duhur sepse Kina dhe kinezët kanë treguar edhe në të kaluarën qëndrueshmëri, këmbëngulje dhe forcë për t’u përballur me situata të ngjashme. Kjo është gjithashtu ajo Kinë që ne të gjithë njohim dhe që mendojmë se do ta shohim edhe në të ardhmen”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.