Fiskalizimi, Denaj: Lehtësohen transaksionet, raportim në kohë reale

04/02/2021 2:28 PM 0 komente

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj zhvilloi një takim me përfaqësues të enteve publike në Shkodër, ku u shpreh se, objektiv është komunikimi i qasjes që ka qeveria shqiptare dhe ministria ndaj procesit të fiskalizimit.

“Drejtoria Rajonale në qytetin e Shkodrës, por edhe zyrat qendrore kanë në mënyrë të vazhdueshme një komunikim, se cilat janë modalitetet e fiskalizimit dhe çfarë është fiskalizimi”, theksoi Denaj.

Sipas ministres, fiskalizimi është një protokoll IT-je, një software, i cili sipas kërkesave të rritura të administratës tatimore kërkon që të dhënat të mos jenë një herë në fund të ditës, në administratë tatimore, por të jenë në kohë reale, në çdo moment që realizohet një transaksion.

“Ka dhe një element tjetër që, si rezultat i lehtësimeve fiskale, qeveria ndërmori vitin e kaluar, në kuadër të rimëkëmbjes ekonomike që, duke vendosur në fokus biznesin e vogël, lehtësoi nga tatimi i fitimit bizneset që e kanë qarkullimin deri më 14 milionë lekë dhe rriti pragun e TVSH-së nga 2 milionë në 10 milionë”, shtoi Denaj.

Në qytetin e Shkodrës janë rreth 450 biznese, të cilat përfitojnë nga masat lehtësuese fiskale. Gjithashtu, janë 92 ente publike, 36 biznese të angazhuara në transaksione, si dhe 167 fatura elektronike të lëshuara deri tani në këtë rajon.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of