Flet Holta Orgocka, drejtoresha e kompanisë S-SYSTEMS, partner zyrtar i SAP
Nga 1 janari 2021 nisi procesi i fiskalizimit për lëshimin e faturave elektronike, nëpërmjet aplikacioneve software për transaksionet e biznesit me entet publike.
Nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe AKSHI, deri tani, janë certifikuar 15 kompani për mirëmbajtjen e këtyre zgjidhjeve, ndërsa pritet që edhe 50 të tjera të licencohen për sistemin e ri. Një ndër kompanitë që pritet të jetë pjesë e tregut për ofrimin e zgjidhjeve software-ike është edhe S-SYSTEMS sh.a., e specializuar për implementimin dhe mirëmbajtjen e sistemit SAP ERP, partnere që nga 2008 me kompaninë SAP.
Drejtoresha e Përgjithshme e kompanisë S-SYSTEMS sh.a,.Holta Orgocka, në një intervistë për “Monitor” shpjegon leverdishmërinë e përdorimit të zgjedhjeve software për biznesin e vogël, të mesëm dhe të madh. Znj. Orgocka thotë se, përveç shkëmbimit të informacionit për detyrimet, të drejtat apo gjendjen e mallrave në kohë reale, procesi i fiskalizimit, nëse do të arrijë të implementohet me sukses deri në fazat e fundit të tij, do të ulë ndjeshëm edhe kohën e përgatitjes së bilanceve dhe pasqyrave financiare nga shoqëritë tregtare.
Sipas jush, çfarë synon të sjellë procesi i fiskalizimit për bizneset?
Procesi i fiskalizimit pritet të sjellë një shkallë më të madhe të automatizimit të të dhënave mes bizneseve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, si dhe ndërmjet bizneseve me njëri-tjetrin. Shkëmbimi i të dhënave do të jetë në kohë reale dhe kjo mbi të gjitha, do të shmangë vonesat e dërgimit dhe pranimit të faturave tatimore, që para fiskalizimit ndodhnin natyrshëm, si dhe hartimi i librave të shitjes dhe blerjes që do të jenë të vetëplotësuara në sistem dhe mund të bëhen vetëm ndryshime nëpër kolonat e tyre.
Nga ana tjetër, të gjitha këto përfitime shoqërohen me një kosto ekonomike për bizneset, të cilat fillojnë që nga: pajisjet kompjuterike, lidhja e internetit (duhet të garantohet që do të jetë e pandërprerë), kostoja e software-t të certifikuar apo edhe nevoja për burime njerëzore shtesë në raste të veçanta.
A mendoni se përdorimi i aplikacioneve software janë më të përshtatshmet për sipërmarrjen?
Sigurisht që përdorimi i aplikacioneve software është diçka pozitive për një sipërmarrje. Përmes këtyre aplikacioneve, ulet ndjeshëm mundësia e gabimeve njerëzore, rritet numri i raporteve dhe analizave të biznesit të cilat janë të pamundura të përpilohen në mungesë të teknologjisë dhe drejtuesit e kompanive kanë më shumë informacion ku të mbështesin vendimet e tyre. Kuptohet që madhësia dhe kostoja e aplikacioneve software duhet të jetë në raport të drejtë me aktivitetin ekonomik, që ushtron kompania dhe niveli i të ardhurave të justifikojë këtë kosto shtesë.
Bazuar te kostot, cila është më e leverdishme, përshtatja e kasës fiskale apo përdorimi i aplikacioneve?
Këtu duhet të bëjmë një ndarje sipas madhësive të kompanive. Nëse kemi të bëjmë me një kompani të mesme ose të madhe, me disa pika shitje, me para në dorë, për këto kategori është i domosdoshëm përdorimi i një aplikacioni të certifikuar software.
Më pas biznesi mund të zgjedhë nëse kuponët e sotëm tatimore do t’i printojë nga kasat fiskale që disponon, pasi këto të jenë përshtatur sipas ligjit të fiskalizimit, apo do t’i eliminojë plotësisht pajisjet fiskale dhe do të përdorë një printer të thjeshtë termik, për të printuar faturat elektronike me para në dorë nga aplikacioni software i certifikuar. Ndoshta kjo e dyta mund të ishte zgjidhje më e leverdishme për biznesin e madh.
Në rastin e një biznesi të vogël, që aktualisht ka një vend të ushtrimit të aktivitetit dhe pothuajse të gjitha shitjet janë me para në dorë, mund të jetë më me leverdi që të shihte zgjidhjen e ofruar nga kompanitë e kasave fiskale. Por jemi ende shpejt për të parë koston ekonomike të kësaj kategorie, pasi procesi i faturave elektronike për shitjet me para në dorë fillon zbatimin nga 1 shtatori 2021. Shpresojmë që kostot të jenë të përballueshme për këtë fashë të biznesit, të cilët vetëm para pak vitesh iu është dashur të bëjnë një investim të detyruar në pajisjet e kasave fiskale.
Nga kontaktet që keni pasur me biznesin, çfarë është më i interesuar për të përdorur?
Kompanitë kanë filluar të marrin disa oferta nga prodhues apo mirëmbajtës zgjidhjesh software-ike të certifikuar për procesin e fiskalizimit, apo në proces certifikimi. Problemi kryesor që kanë kompanitë e mëdha, të cilat sot përdorin sisteme ERP është të kenë mundësinë e integrimit të sistemeve aktuale me platformën qendrore të Tatimeve.
Për sistemin SAP ERP, kompania S-Systems ka realizuar me sukses këtë proces për disa nga klientët e saj dhe do të vijojë me përshtatjen gjatë vitit 2021 për këdo që përdor sistemin SAP ERP. Ndërsa bizneset e vogla, që aktualisht përdorin kasa fiskale, blloqet tatimore A4 për faturat me apo pa para në dorë dhe bilancin e mbyllin në MS Excel apo programe të thjeshta kontabiliteti, do të jenë të interesuara për të marrë zgjidhjen me ekonomike dhe më të thjeshtë në përdorim për ta.
Për biznesin e madh, çfarë mundësish të tjera do të ofroje aplikacioni software, përveç fizkalizmit të faturave, si p.sh. për menaxhimin, magazinimin, kontabilizimin etj.?
Siç e përmenda edhe më lart, procesi i fiskalizimit mund të përkthehet edhe në rritje të shkallës së automatizimit të marrëdhënieve mes biznesit dhe shtetit, ndërmjet bizneseve me njëri-tjetrin, apo edhe ndërmjet biznesit dhe bankave të nivelit të dytë. Informacioni do të shkëmbehet në kohë reale. Në nivelin manaxherial, i gjithë informacioni për të drejtat apo detyrimet nga/ndaj palëve të treta do të shfaqet në kohë reale. Gjithashtu me fiskalizimin e faturave shoqëruese të mallrave, edhe gjendja e magazinave do të raportohet në kohë reale në masën 100% tek organet tatimore.
Kjo do të shmangë nevojën e raportimit dhe dorëzimit të inventarit analitik tek tatimet çdo datë 10 janar, siç është kërkuar vitet e fundit. Nëse do të arrijë të zbatohet me sukses edhe faza e fundit e fiskalizimit, që përfshim integrimin deklaratave doganore për importin e mallrave, apo e bankave të nivelit të dyte dhe urdhërpagesat për çdo faturë elektronike, atëherë edhe për hartimin e bilancit do të mbetet shumë pak pune dhe veprime sistemuese sipas ligjit, për ekonomistët e kompanive.
Por i gjithë ky proces do të kërkojë një kohë të gjatë përshtatje te bizneset dhe mbi të gjitha, një klimë të favorshme ekonomike, në mënyrë që t’i lejojë të gjithë aktorëve publikë dhe privatë të përfshihen maksimalisht në këtë rrugëtim që kërkon jo pak burime njerëzore, teknologjie dhe financiare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.